2016-02-29 18:13:00

Papa ortodoksëve etiopë: kundër të krishterëve ushtrohet dhunë shkatrrimtare


Historia ka lënë pas një barrë keqkuptimesh e mosbesimi, por martirët e Kishave tona janë farë uniteti, mbi të cilën mund të ndërtohet një “kohë e re” vëllazërimi. Këto, fjalët që i drejtoi Papa Françesku Shenjtërisë së Tij Abuna Matthias I, Patrik i Kishës ortodokse Tewahedo të Etiopisë, të cilin e priti në audiencë. Papa, në vijim, përsëriti thirrjen për mbrojtjen e  të krishterëve të persekutuar në Afrikë e në Lindjen e Mesme nga një dhunë shkatrrimtare.

Kyçi i uniteit të të krishterëve ndodhet në “ekumenizmin e martirëve”. Është një koncept kyç i shërbesës së tij, që Papa Françesku e përsëriti në takimin me Patrikun Abuna Matthias I, kreu i bashkësisë së madhe të krishterë  Tewahedo të Etiopisë, që bën pjesë në Kishat ortodokse lindore.

Të krishterët persekutohen, bota të veprojë!

E pikërisht kësaj Kishe, të lidhur me Romën me marrëdhënie shumë të përzemërta, Françesku i njeh meritën e besnikërisë ndaj Ungjillit, paguar me çmimin e gjakut:

“Juaja ka qenë Kishë martirësh që nga zanafilla, e akoma sot jeni dëshmitarë të një dhune shkatrrimtare kundër të krishterëve e kundër pakicave në Lindjen e Mesme si dhe në disa zona të Afrikës. Nuk mund të pushojmë s’u kërkuari, edhe një herë, atyre që kanë në duar fatet politike dhe ekonomike të botës, të promovojnë bashkëjetesën paqësore, të bazuar mbi respektin reciprok e mbi pajtimin, mbi faljen reciproke e mbi solidaritetin.

Martirizmi është rruga drejt bashkimit

Në këtë besnikëri, deri në flijimin më të lartë, Papa shikon elementin më bashkues e më të shenjtë që, në një farë mënyre, i zhduk përçarjet e lindura nga ekumenizmi gjatë shekujve:

“Në të njëjtën mënyrë që gjaku i martirëve u bë farë e të krishterëve të rinj në Kishën e lashtë, sot gjaku i shumë martirëve, që u përkasin të gjitha Kishave, bëhet farë e unitetit të të krishterëve. Martirët e shenjtorët e të gjitha traditave kishtare janë tashmë një gjë e vetme në Krishtin: emrat e tyre janë shkruar në martyrologium-in e vetëm të Kishës së Zotit. Ekumenizmi i martirëve është ftesë, që na drejtohet ne, këtu e tani, për të përshkuar së bashku udhën drejt unitetit gjithnjë më të plotë!

Shumë gjëra na bashkojnë!

Në planin e dialogut teologjik me Kishën ortodokse etiopike, Françesku kujtoi udhën e nisur nga paraardhësit e Patrikut Abuna Matthias I: takimet e Gjon Palit II e të Benediktit XVI me Patrikun paraardhës, Abuna Paulos,   falë të cilave, kujtoi Papa, u bë i mundur thellimi i dialogut teologjik që në vitin 2004:

“E kemi pothuajse gjithçka të përbashkët: një fe të vetme, një Pagëzim të vetëm, një Zot e Shëlbues të vetëm, Jezu Krishtin. Jemi të bashkuar për virtyt të Pagëzimit, që na bën gjymtyrë të të vetmit Korp të Krishtit. Jemi të bashkuar falë një mori elementesh të përbashkëta të traditave tona të pasura murgare e të praktikave liturgjike. Jemi vëllezër e motra në Krishtin. Siç është vërejtur disa herë, ajo që na bashkon, është shumë më e madhe, se ajo, që na ndan”.

Një kohë e re vëllezërimi

Françesku kujtoi përpjekjet e mëdha që po bën Etiopia për të përmirësuar jetën e popullsisë, duke e bazuar mbi shtetin e së drejtës dhe mbi respektin për rolin e grave. Nuk harroi edhe problemin e mungesës së ujit, me pasojat e rënda shoqërore dhe ekonomike e më pas, duke përfunduar, uroi që ndërmjet dy Kishave të nisë një kohë e re vëllazërimi e miqësie:

“Jemi të vetëdijshëm se historia ka lënë pas një barrë keqkuptimesh e mosbesimi të dhimbshëm, për të cilat lypim faljen e shërimin nga Zoti. Të lutemi njëri për tjetrin, duke kërkuar mbrojtjen e martirëve dhe të shenjtorëve për të gjithë njerëzit, që i besohen kujdesit tonë baritor. E të lutemi edhe që Shpirti Shenjt  të vijojë të na shndrisë e të na prijë drejt harmonisë dhe paqes, duke ushqyer në ne shpresën se një ditë, me ndihmë të Zotit, do të bashkohemi rreth elterit të Flijimit të Krishtit në një Kungim të vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.