2016-02-27 16:02:00

Papa afaristëve: bëjeni ndërmarrjen për njeriun, jo për tregjet


 “Busulla” e veprimtarisë suaj prodhuese të jetë gjithnjë “e mira e përbashkët”, domethënë, krijimi i punës dhe mirëqenia, sipas kritereve të drejtësisë, që respekton dinjitetin njerëzor, larg kompromiseve të lehta. Ky, thelbi i fjalimit të Papës, drejtuar pjesëmarrësve të Jubileut të afaristëve, mbledhur në Sallën e Palit VI, në Vatikan.  Për herë të parë, në 106 vjetët e historisë së saj, Confindustria takohet me një Papë.

Nuk është etika e “krijimit të ndërmarrjes”, që duhet vlerësuar, as fjalimet  me fjalë të mëdha mbi vlerat e punës, nëse nuk janë në gjendje t’i japin  përgjigje atit të një familjeje, të pushtuar nga ankthi, sepse nuk mund t’u sigurojë të ardhmen, madje as të sotmen, fëmijëve të tij.

Mendoni për njeriun konkret

Mendimi social i Papës njihet mirë nga të gjithë. “Evangelii gaudium” dhe “Lëvduar qofsh” e kanë sqaruar plotësisht çka mendon Papa, kur flitet për lidhjen njeri-ekonomi. E dy dokumentet - nga të cilët, i pari, u citua në fjalën e përshëndetjes së presidentit të Confindustria-s, Giorgio Squinzi - janë dy brigjet, ndërmjet të cilave lëvizi Papa, për t’iu drejtuar mijëra  afaristëve, të vegjël e të mëdhenj, që mbushnin përplot Sallën e Palit VI, skenë e paparë ndonjëherë në Vatikan. Jubileu i kësaj kategorie ishte reflektim i nxitur nga shprehja “Punë, për t’u bërë së bashku”. Papa i këshilloi  afaristët si ta  lexojnë këtë shprehje:

“Ta bësh punën së bashku’, do të thotë t’i hedhësh themelet e punës jo përmbi gjeninë vetmitare të një njeriu, por përmbi bashkëpunimin e një morie njerëzish. Me fjalë të tjera, do të thotë ‘të bësh rrjet’ për t’i vlerësuar dhuratat e të gjithëve, pa harruar cilësitë e pashoqe e të papërsëritshme të secilit”.

 Në qendër të çdo ndërmarrjeje duhet të jetë njeriu: jo njeriu abstrakt, ideal, teorik, por ai konkret, me ëndrrat e tij, me nevojat, shpresat, djersën e tij.

Drejtoni, por edhe dëgjoni

“E këto shpresa e kjo djersë kanë një fytyrë, pohoi Françesku: atë të familjeve, vatra të njerëzimit, në të cilat fitojnë kuptim e vlerë përvoja e punës, flijimi, që e ushqen, frytet, që piqen prej saj. E edhe lodhja e pleqve, tepër shpesh të flakur si të panevojshëm e të pavlerë, ndërsa mund të  shikohen akoma si pasuri dhe energji për një bashkëpunim aktiv”.

Prej këndej, porositë kryesore të Papës ishin: “Vëmendje kulmore për dinjitetin e njeriut” dhe “ekonomia t’i shërbejë drejtësisë”.

 “Busola” e veprimtarisë suaj prodhuese, përfundoi Françesku, të jetë  gjithnjë “e mira e përbashkët”, domethënë, krijimi i punës dhe mirëqenia sipas kritereve të drejtësisë, që respektojnë dinjitetin njerëzor. Sepse nuk ka liri pa drejtësi e as drejtësi, pa respektimin e dinjitetit të secilit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.