2016-02-26 17:46:00

Papa viziton Bashkësinë e shën Karlit, në Castelgandolfo


Sot pasdite, e premtja e javës së dytë të Kreshmëve, Papa Françesku, në kuadrin e “shenjave jubilare” të dëshmimit të veprave të mëshirës, ishte për vizitë në bashkësinë e Shën Karlit, pranë Castelgandolfos. Bashkësia i përket Qendrës italiane të solidaritetit, themeluar nga don Mario Picchi, për parandalimin dhe kundërshtimin e përjashtimit të njerëzve, posaçërisht të të droguarve, nga radhët e shoqërisë.

E kështu, Papa nuk pushon s’i mrekulluari njerëzit, e edhe ata, që punojnë përkrah tij. Gjatë shtegtimit në Meksikë denoncoi me zë të lartë trafikun e drogës. Fjalët e Françeskut “.. më shqetësojnë shumë ata që, të joshur nga pushteti bosh i botës, lartojnë kimerat e mbajnë simbolet e tyre makabre, për të tregtuar vdekjen… Ju lutem, mos e nënvleftësoni sfidën etike e antiqytetare, që përfaqëson droga për të rinjtë e për mbarë shoqërinë, duke përfshirë edhe Kishën”.

Pak ditë pas kthimit të tij nga Meksika, Papa e bëri konkrete e të dukshme, atë që kishte thënë në Katedralen e Qytetit të Meksikos:

“Ne, barinjtë e Kishës, nuk mund të mjaftohemi me dënime të përgjithshme, por duhet të kemi një guxim profetik dhe një projekt cilësor serioz për të kontribuar në endjen e rrjetit delikat njerëzor. Vetëm duke nisur nga familjet, duke e afruar e duke e përqafuar periferinë njerëzore dhe ekzistenciale  të trojeve të shkretuara të qyteteve tona, duke vënë në lëvizje bashkësitë famullitare, shkollat, institucionet komunitare, bashkësinë politike, strukturat e sigurimit, vetëm kështu do të mund t’i çlirojmë plotësisht nga ujërat, në të cilat, për fat të keq, mbyten shumë jetë”.

Duke ndjekur fillin, që lidh këto të Premte të Mëshirës të Vitit Shenjt,  këtë herë Papa, pa asnjë paralajmërim, u duk te porta e Bashkësisë së “Shën Karlit”, në rrethinat e Romës. Bashkësia e themeluar nga dom Mario Picchi kujdeset për 55 mysafirë, që po ecin së bashku në udhën e daljes nga ndikimi i drogës.

Çudia ishte e përgjithshme. Askush nuk priste ta shikonte Papën në prag. E Ati Shenjt Françesku ndenji me të rinjtë, dëgjoi historitë e tyre e i bëri ta ndjejnë thellë afërsinë e tij. E, sidomos, i nxiti fort të mos lejojnë t’ua marrë frymën metastaza e drogës. Në përfundim, duke i përqafuar, i siguroi se rruga që kanë nisur në këtë bashkësi, është mundësi reale për të rifilluar  një jetë të denjë për t’u jetuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.