2016-02-26 12:28:00

Jubileu. Veprat e mëshirës: “Të veshësh të zhveshurin”


Të flasësh për lakuriqësi, do të thotë të hysh në një skutë tepër delikate për çdo njeri, sepse ka të bëjë me intimitetin e tij, me gjymtyrë, që duhen trajtuar me kujdes e me respekt ndaj vetvetes e ndaj të tjerëve.

E kjo bëhet duke i mbuluar me veshje, që pamja jonë në shoqëri të mos shkaktojë trazira e kundërvënie. Lakuriqësia, përkundrazi, e bën njeriun të duket si krijesë e dalë nga kohë mitike. Kur mbulohej me gjethe fiku. Pa llogaritur se njeriu i zhveshur mund të ftohet lehtë, mund të marrë  sëmundje, mund të infektohet nga një mori elementesh.

Në këndvështrimin fetar, e më sakt në historinë e shëlbimit, njeriu i zhveshur të kujton turpin e Adamit e të Evës, kur panë se ishin picak, menjëherë pas kundërshtimit të urdhërit të Zotit, të cilit iu desh t’i mbulonte me lëkura kafshësh (cfr Zan 3,21).

Kështu nis historia e veshjeve në Bibël, ku përshkruhen tepër shpesh. Vlera e tyre mund të jetë ekonomike, shoqërore, morale e shpirtërore. E në Bibël ndeshim edhe shumë skena, gjatë të cilave shikojmë njerëz që vishen e zhvishen. Kujtojmë edhe se funksioni i veshjeve është i shumëfishtë: veshjet mund të mbrojnë, të fshehin, të vënë në dukje ose të paraqesin gjendjen e një njeriu, duke u bërë edhe simbol i cilësive të tij morale e shpirtërore. Madje edhe vetë Zoti, ashtu si njerëzit, pikturohet i veshur. Në Bibël takojmë njerëz të veshur me lecka të ndyra e me rroba mbretërore, shohim petka morti e veshje engjëjsh. Mjafton të kujtojmë  pamjen e Shën Gjon Pagëzuesit, mbuluar me lëkurë deveje, shtrënguar në përmjet me një rrip lëkure, ose mbështjelljen e Krishtit të vdekur me çarçaf, para se të kallej në varr.

Kjo tregon sa kujdes ka Zoti për njeriun, që në zanafillë. E ky kujdes i Zotit për paraardhësit tanë, shenjë e mëshirës së Tij, pavarësisht nga mëkati, tregon se dinjiteti i çdo njeriu shkon përtej veprimeve të kryera gjatë jetës, të mira a të këqia, e edhe përtej përkatësisë së një kombi a të një tjetri.

Çdo njeri, i mirë a i keq qoftë, ka të drejtë ta mbulojë trupin, të veshë një rrobë, domethënë, të dalë para botës pa i ardhur turp nga vetja. T’i veshësh të zhveshurit sot, më shumë se një akt thjesht praktik, mund të shikohet si angazhim për mbrojtjen e vlerës së njeriut, që flet vetë për respektim e  dashuri. E natyrisht, si vepër mëshire. Sepse edhe sot, kur një palë i flakin rrobet e veshura vetëm një herë, në koshat e plehrave, të tjerë ravgojnë edhe në udhëkryqet e qyteteve të mëdha, të pasura, gjysëm të zhveshur. Duke pritur të vijë dikush e t’ua mbulojë lakuriqësinë, për t’ua kthyer edhe një herë dinjitetin.








All the contents on this site are copyrighted ©.