2016-02-26 15:11:00

Françesku: të krishterët ta çojnë dashurinë e Zotit në botë


Historia e Kishës është “histori dashurie”, “dashuri e dhuruar nga Zoti, që  duhet çuar në botë”. Është një nga fragmentet kryesore të fjalimit, që Papa u drejtoi pjesëmarrësve në Kongresin Ndërkombëtar me rastin e 10-vjetorit të Enciklikës “Deus caritas  est” - “Zoti është dashuri”, të Benediktit XVI, organizuar nga Këshilli Papnor “Cor Unum”. Papa nënvizoi se në Vitin Jubilar, të krishterët janë të thirrur t’i jetojnë veprat e mëshirës, si shenjë e dashurisë së Jezusit.

Në emër të të pranishëmve, Atin e Shenjtë e përshëndeti imzot Giovanni Pietro dal Toso.

Histori dashurie e histori bamirësie! Papa nënvizoi vlerën e Enciklikës së parë të Benediktit XVI dhe pohoi se dashuria është në qendër të jetës së Kishës. Është vërtet zemra, siç thoshte Shën Terezina e Krishtit Fëmijë.

Dashuria e Zotit, zemra që rreh në jetën e çdo të krishteri

Viti Jubilar, që po e jetojmë, kujtoi Papa, është edhe rast për t’u kthyer tek kjo zemër, që rreh fort, zemër e  jetës sonë dhe e dëshmisë sonë, në qendër të kumtimit të fesë:

Zoti është dashuri (1 Gjn 4,8.16). Zoti nuk ka vetëm dëshirën ose aftësinë për të dashur. Zoti është dashuri; dashuria është thelbi i Tij, natyra e Tij. Ai është i pashoq, por jo i pashoqërueshëm, vetmitar: ai nuk mund të rrijë vetëm, nuk mund të mbyllet në vetvete, sepse është bashkim. Është dashuri, e dashuria, për vetë natyrën e saj, komunikohet, përhapet:

“Kështu Zoti e bën njeriun ortak në jetën e Tij të dashurisë e - nënvizoi - edhe atëherë kur njeriu largohet prej Zotit, Ai nuk largohet, por shkon ta takojë. Pikërisht kjo prirje për ta takuar, shtoi Papa, është mëshira e tij, mënyra e Tij për t’u shprehur me ne, mëkatarët, është fytyra e Tij, që na shikon e kujdeset për ne”.

Të krishterët të jenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit në botë

“Dashuria e mëshira - vijoi Françesku - lidhen kështu ngushtësisht, sepse janë mënyra e të qenit dhe e të vepruarit të Zotit: janë identiteti i Tij, emri i Tij. E, duke u rikthyer tek Deus caritas est, Papa kujtoi se çdo formë e dashurisë, e solidaritetit, e ndarjes së përbashkët, është thjesht pasqyrim i kësaj dashurie të Zotit:

“Ai, pa u lodhur kurrë, dikon dashurinë e Tij mbi ne, e ne jemi të thirrur të bëhemi dëshmitarë të kësaj dashurie në botë. Prandaj duhet ta shikojmë dashurinë hyjnore si busull, që e orienton jetën tonë, para se të ecim përpara në çdo veprimtari: aty e gjejmë drejtimin, prej saj mësojmë si t’i shikojmë vëllezërit e botën”.

Çdo institucion i Kishës të dëftojë se Zoti e do njeriun

Ky mision, vijoi Papa, është tepër i rëndësishëm, sepse, jo me fjalë, por me dashuri konkrete, mund të bëjë që çdo njeri ta ndjejë se Ati e do si të ishte bir i Tij, i paracaktuar për jetën e pasosur me Zotin. Françesku i falënderoi të gjithë ata, që angazhohen ditë për ditë në këtë mision dhe u bëri mbarë të krishterëve këtë thirrje:

“Në këtë Vit Jubilar desha të nënvizoj se të gjithë mund ta jetojmë hirin e Jubileut pikërisht duke i vënë në jetë veprat e mëshirës trupore e shpirtërore: e t’i jetosh veprat e mëshirës, do të thotë të zgjedhosh foljen ‘me dashtë, si do Krishti!’”.

E kështu, të gjithë së bashku, mund të kontribuojmë konkretisht në misionin e Kishës, për ta komunikuar dashurinë e Zotit, që dëshiron të përhapet.

Enciklika “Deus caritas est” - “Zoti është dashuri”, pohoi në përfundim Françesku, e ruan të paprekur freskinë e mesazhit të saj, përmes të cilit tregon perspektivën gjithnjë aktuale për udhën e Kishës. “Sa më shumë të jetojmë me këtë shpirt, aq më shumë do të jemi të krishterë  të vërtetë”, rikujtoi Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.