2016-02-26 16:08:00

Cantalamessa: ta dëgjojmë Fjalën e Zotit e të ndjekim shembullin e mirë


“Mirëpriteni fjalën e mbjellë në ju”: kjo, tema e predikimit të dytë të Kreshmëve, mbajtur nga atë Raniero Cantalamessa për Kurien Romake, në praninë e Papës Françesku. Duke vijuar reflektimin mbi dokumentet kryesore të Koncilit II të Vatikanit, predikatari i Shtëpisë Papnore propozoi sot një meditim kushtuar Kushtetutës dogmatike “Dei Verbum”, që trajton frymëzimin hyjnor të Shkrimit Shenjt e, njëkohësisht, lidhjen e tij me traditën

Me ardhjen e Krishtit,  komunikimi me Zotin ndryshon rrënjësisht

Ndryshe nga idhujt, Zoti i Biblës është Zot që flet, natyrisht, saktësoi atë Cantalamessa, është mënyrë të foluri, e cila ndryshon nga ajo njerëzore. Zoti u flet veshëve të zemrës. Sidoqoftë, është e folur në kuptimin e vërtetë të fjalës. Madje s’ka zë njerëzor, që mund të hyjë aq thellë në zemrën e njeriut, si zëri i Zotit, e fjalë, si Fjala e Tij. Nganjëherë Zoti flet me një bubullimë të fuqishme; herë tjetër, me një fllad të lehtë. E, me ardhjen e Krishtit, komunikimi i Zotit ndryshon rrënjësisht; Fjala bëhet Njeri, Zoti nis të flasë edhe me zë njerëzor. Fjala u pa e u dëgjua e, megjithatë, ajo që u dëgjua, nuk ishte fjalë njeriu, por Fjalë Zoti, Fjala e Birit të Zotit. Biseda bëhet, kështu, në vetë të parë, jo më “kështu thotë Zoti!”, por “Unë po ju them!”.

Fjala, sakrament që vepron pavarësisht prej nesh

Nëse, sipas Shën Agostinit, Sakramenti është “Fjalë, që shihet”, Atë Catalamessa e quajti Fjalën “Sakrament, që dëgjohet” e që vepron pavarësisht nga ne e nga aftësitë tona, duke na lidhur me të vërtetën e me vullnetin e Zotit. Që fjala e Zotit të bëhet udhë shenjtërimi për të gjithë, predikatari këshilloi leximin e Letrës së Shën Jakut, që na tregon tre çastet kryesore të kësaj udhe: i pari, ta pranojmë Fjalën; i dyti, të mos mjaftohemi vetëm me leximin kritik; i treti, të shikojmë veten në pasqyrë e të mos e kalojmë kohën kot, duke shikuar pasqyrën!

Këtë kujtoi predikatari, që e ilustroi mendimin e tij me shëmbëlltyrën e bujkut dhe i ftoi të gjithë t’ia ngulin mirë sytë Fjalës së Zotit e për ta vënë në jetë.

Bindju pa ngurrim Fjalës së Zotit!

Së fundi, kujtoi se dëgjimi i Fjalës së Zotit është diçka, që mund ta bëjmë gjithnjë. T’i bindesh fjalës së Zotit, do të thotë të ndjekësh frymëzimin e mirë. Po të dëgjojmë me vëmendje, do të vërejmë me habi se nuk ka ditë që në liturgji, në psalm ose në çaste të tjera, të mos zbulojmë një fjalë, për të cilën duhet të themi: “Kjo është për mua! Këtë duhet të bëj sot!”. E atë Cantalamessa përfundoi duke u kujtuar gjithë besimtarëve:

“Një fjalë e Zotit të ka bërë një propozim, të vë në zemër dëshirën e një rrëfimi të mirë, të një pajtimi, të një akti dashurie të krishterë, të fton ta ndërpresësh një çast punën e t’i drejtohesh Zotit me një akt dashurie? Mos ngurro, nisu menjëherë!” .








All the contents on this site are copyrighted ©.