2016-02-25 14:01:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veprat e mëshirës


Çfarë ndodh gjatë këtij Jubileu të Mëshirës? Ftohemi ta rizbulojmë fytyrën e mëshirshme të Atit Qiellor e të bëhemi të mëshirshëm si Hyji; të rizbulojmë faljen, e cila duhet dhënë e duhet marrë. Papa Françesku sugjeron një nga mënyrat konkrete për ta jetuar mëshirën e kjo ka të bëjë me veprat e mëshirës.

Ato dalin në pah nga meditimi i njërës prej faqeve më të njohura të Ungjillit sipas Mateut (Mt25), në të cilin Jezusi na thotë se në fundin e kohërave, do të gjykohemi mbi bazën e mënyrës me të cilën e kemi njohur Atë vetë në fytyrën e vëllezërve. Ja çfarë shkruan Papa Françesku:

“Është dëshira ime e gjallë që populli i krishterë, gjatë Jubileut, të reflektojë për veprat e mëshirës të trupit e të shpirtit. Do të jetë një mënyrë për ta rizgjuar ndërgjegjen, shpesh të dremitur para dramës së varfërisë, e për të hyrë gjithnjë e më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore. Predikimi i Jezusit na paraqet këto vepra të mëshirës, që ta kuptojmë nëse jetojmë apo jo si dishepujt e Tij. Të rizbulojmë veprat e mëshirës së trupit: t’u japim për të ngrënë të uriturve, t’u japim për të pirë të eturve, të veshim të zhveshurin, të përbujmë shtegtarin, të ndihmojmë të sëmurët, të vizitojmë të burgosurit, të varrosim të vdekurit. E të mos harrojmë edhe veprat e mëshirshme të shpirtit: të këshillojmë të ndërdyshurit, të mësojmë të paditurit, të qortojmë mëkatarët, të ngushëllojmë të vuajturit, të falim fyerjet, të durojmë njerëzit e mërzitshëm, të lusim Zotin për të gjallë e për të vdekur (MV 15)”.

Natyrisht, nuk është e nevojshme t’i bëjmë të gjitha përnjëherësh, sepse jeta na vë përpara herë njërën e herë tjetrën prej këtyre veprave, por të ndihmojmë në famulli për t’u dhënë një dorë varfanjakëve e të ndihmojmë për çdo gjë në familje, këtë po, mund ta bëjmë të gjithë e gjithnjë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.