2016-02-25 12:55:00

Papa: i varfëri që troket në zemrën tonë është hir


Feja e vërtetë kërkon të mos jemi indiferentë ndaj të varfërve, që na kalojnë pranë. Në ta është Jezusi, i cili troket në dyert e zemrës sonë. Kështu tha sot Papa Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Të krishterët, të rrethuar me kotësi

         Në Ungjillin e ditës, Jezusi tregon shembëlltyrën e njeriut të pasur, të veshur mirë, që çdo ditë bënte gosti, mbushte tryezat plot e nuk e vinte re Lazrin e varfër e plot me plagë tek dera e shtëpisë. Papa na fton t’i bëjmë vetes këtë pyetje: “A jam i krishterë në udhën e gënjeshtrës, në udhën e fjalëve apo jam i krishterë në udhën e jetës, pra, të veprave, të veprimit”. I pasuri, vërejti Ati i Shenjtë, i njihte Urdhërimet e Tënzot, me siguri shkonte në sinagogë çdo të shtunë e një herë në vit në tempull. Ishte pra, njeri i rregullt fetar:

         “Por ishte njeri i mbyllur, i mbyllur në botën e vet të vogël – në botën e gostive, të veshjeve, të kotësive, të miqve – njeri i mbyllur në guaskën e tij të kotësive. Nuk kishte aftësi për të shikuar përtej botës së vet. E ky njeri as që e shihte ç’ndodhte jashtë botës së vet të mbyllur. Nuk mendonte, për shembull, për nevojat e sa e sa njerëzve, ose për nevojën e të sëmurëve për shoqëri, mendonte vetëm për vete, për pasurinë e për jetën e tij: jetonte në mirëqënien e vet”.

I varfëri është Zoti, që troket në derën e zemrave tona

         Ishte, pra, njeri fetar në dukje, nuk njihte asnjë lloj periferie, ishte i mbyllur në vetvete. Pavarësisht se “periferia”, nënvizoi Papa, i trokiste pikërisht në derën e vet. Ky njeri ecte në udhën e gënjeshtrës, sepse i besonte vetëm vetvetes e gjërave të veta dhe jo Zotit. Njeriu i tillë, vërejti Ati i Shenjtë, nuk lë pas asnjë lloj trashëgimie, asnjë lloj jete, sepse mbyllet në veten e vet. E Ungjilli nuk ia përmend emrin, duke ia kthyer vetëm në mbiemrin “i pasur”, sepse është e vetmja fjalë, që mund ta karakterizonte:

         “Ky është i pasur, ky ka pushtet, ky mund të bëjë gjithçka, ky është prift në karrierë, ipeshkëv në karrierë… Sa herë, edhe neve, na duket normale t’i thërrasim njerëzit me mbiemra, jo me emra, sepse nuk kanë asgjë tjetër thelbësore. Por unë pyes: ‘Zoti, që është Atë, a s’ka pasur mëshirë për këtë njeri? A s’ka trokitur në zemrën e tij për ta shkundur?’. Natyrisht që po, ishte aty, tek dera…ishte tek dera… në personin e Lazrit, i cili, po, përmendet me emër. E ai Lazër, me nevojat e mjerimin e tij, me sëmundjet e tij, ishte pikërisht Zoti, që trokiste në derë, që i pasuri ta hapte zemrën e ta linte mëshirën të hyjë. Por jo, ai nuk shikonte, rrinte i mbyllur: për të, përtej derës, s’kishte asgjë”.

Hiri për t’i parë të varfërit

         Jemi në periudhë Kreshmësh, kujtoi Papa Françesku, e do të na bëjë mirë të ngremë pikëpyetje për udhën, që kemi ndërmarrë:

         “‘Jam në udhën e jetës apo në udhën e gënjeshtrës? Sa dyer të mbyllura kam akoma në zemër? Ku gjej gëzim: në fjalët apo në veprat? A dal nga vetvetja për të shkuar drejt të tjerëve, për t’i ndihmuar? …Veprat e mëshirës, eh! Apo gëzimin e gjej kur kam gjithçka të sistemuar, vetëm për vete?’. T’i kërkojmë Zotit, ndërsa mendojmë këto gjëra për jetën, hirin që t’i shohim gjithnjë njerëzit si Lazri në portën tonë, ata që trokasin në derën e zemrës, e të dalim nga vetvetja me bujari, me mëshirë, që mëshira e Zotit të na hyjë në zemër!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.