2016-02-25 10:57:00

Në Vatikan, kuvend për 10-vjetorin e Enciklikës “Deus caritas est”


Sot e nesër, në Vatikan, në Sallën e re të Sinodit, do të mbahet një konferencë ndërkombëtare me titull “Bamirësia nuk do të ketë kurrë fund. Perspektivat, 10 vjet pas Enciklikës ‘Deus caritas est’”. Kujtojmë se enciklika është e para e Papës Benedikti XVI.

Konferenca organizohet nga Këshilli Papnor “Cor Unum” dhe është një ndër veprimtaritë e Jubileut të Mëshirës. Synon thellimin në perspektivat teologjike e baritore të Enciklikës për botën e sotme, në veçanti, përsa i përket punës së atyre, që merren me bamirësi në Kishë. Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Konferencave Ipeshkvnore dhe të organizmave bamirëse katolike në nivel ndërkombëtar.

Sot paradite, pas përshëndetjes së sekretarit të “Cor Unum”, Giampietro Dal Toso, prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Gerhard Ludwig Mueller mbajti një relacion me titull “Enciklika ‘Deus caritas est’: një lexim teologjik”. Më pas, folën anëtarë të organizmave bamirëse të Kishës, për t’ia lënë vendin, pasdite, interpretimit të kuptimit të dashurisë në Enciklikë nga përfaqësues të tri feve monoteiste, rabini Rosen, pedagogu mysliman Saeed Ahmed Khan dhe filozofi franko-tunizin katolik, Fabrice Hadjadj.

Nesër, do të flasë kardinali filipinas Luis Antonio G. Tagle si edhe relatorë të tjerë. Në orën 12.00, pjesëmarrësit e kuvendit do të priten në audiencë nga Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.