2016-02-25 14:54:00

Nigeri: janë vrarë mijëra të krishterë. Veriu braktiset


Sipas një vlerësimi të matur, në Nigeri janë vrarë nga 9 mijë deri në 11.500 të krishterë. Që nga viti 2000, së paku 1,3 milion të krishterë janë shpërngulur brenda vendit, ose janë larguar prej tij; 13 mijë kisha janë shkatërruar, ose mbyllur; mijëra veprimtari ekonomike, prona e shtëpi të krishterësh janë djegur e prishur. Ky është bilanci i dhunës në veri të Nigerisë e në të ashtuquajturin Middle Belt, sipas raportit “Crushed but not defeated” (Të shtypur, por jo të mundur) të organizatës “Open doors” (Dyer të hapura).

Në zonat e dhunës, të krishterët janë fshirë nga faqja e dheut

Për shkak të dhunës, pohon raporti, në disa zona të Nigerisë veriore, aty ku sundon Shariati, “prania e krishterë është fshirë virtualisht, ose është pakësuar në mënyrë thelbësore, ndërsa në zonat e tjera, numri i besimtarëve në kisha është rritur për shkak të fluksit të të krishterëve në ikje nga dhuna e në sajë të myslimanëve, që janë kthyer në krishterim”. “Si pasojë, - vijon raporti – bashkëjetesa shoqërore ndërmjet myslimanëve e të krishterëve është vënë në rrezik. Besimi i ndërsjelltë gati është zhdukur; të krishterë e myslimanë janë grupe gjithnjë e më të ndara e të dalluara, të grumbulluar në periferi, lagje apo në zona të veçanta rurale”.

Autorët e dhunës nuk janë vetëm ekstremistë myslimanë

Dokumenti dëshmon se megjithëse etnia, konflikti politik dhe lufta për shfrytëzimin e natyrës janë burime dhune në Nigerinë e veriut, shkaqet e persekutimit të të krishterëve në këtë zonë janë edhe më të shumta. Mund të gjenden sfumatura fetare, ekonomike dhe shoqërore njëkohësisht. Gjithsesi, dhuna e veçantë kundër të krishterëve ka të bëjë me mbrojtjen e myslimanëve, të identitetit dhe të pozitës së Islamit në veri. “Jo vetëm islami radikal si Boko Harami – shkruhet në raport – por edhe blegtorët myslimanë Hausa-Fulani dhe elita myslimane politike e fetare e veriut janë protagonistët kryesorë të dhunës, e cila synon të godasë pakicën e krishterë”.

Kisha e veriut nuk duhet të mbyllet në vetvete

Pavarësisht nga gjithë kjo, në veri të Nigerisë, akoma ka të krishterë, të cilët mund të bashkohen e të rezistojnë. Por Kisha e kësaj zone, pohon raporti i “Open Doors”, nuk duhet të mbyllet në vetvete e duhet të impenjohet në shoqëri, pikërisht duke dhënë kontributin e krishterë në punën për arritjen e drejtësisë, të paqes e të pajtimit. Për këtë, është e nevojshme edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare, që Kisha të punojë për rinovimin dhe transformimin e bashkësisë së krishterë e të shoqërisë nigeriane, në veri të Nigerisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.