2016-02-25 14:13:00

Atë Mario Imperatori: Enciklika e Papës e natyra në Shqipëri


Ta njohim praninë e Zotit në natyrë, ta respektojmë mjedisin si një dhuratë që Hyji na ka dhuruar për ecur drejt Tij. Kështu shprehet Atë Mario Imperatori, jezuit, në mikrofonin e Radio Vatikanit, duke folur mbi enciklikën e Papa Françeskut “Ti qofsh lëvduar o Zot”, e cila u prezantua në gjuhën shqipe më 19 shkurtin e kaluar, në ambientet e Seminarit Nderdioqezan Shqiptar, në Shkodër. Përkthimi e botimi i enciklikës në gjuhën shqipe, prezantimi e promovimi janë realizuan nën kujdesin e kryedioqezës së Shkodër-Pultit.

Atë Mario Imperatori, drejtor i Institutit të Filozofisë e të Teologjisë, profesor i dogmatikës dhe i historisë së Kishës, ndalet te përmasa antropologjike e teologjike e enciklikës papnore mbi ambientin, flet për përgjegjësinë që ka çdo njeri dhe mbarë familja njerëzore në nivelin planetar ndaj ambientit.

 “Laudato si’” është një enciklikë shoqërore, jo vetëm ekologjike, e inkuadron jetën e njeriut mbi tokë, duke e lidhur varfërinë me brishtësinë e planetit. Në këtë kuptim, vë në qendër të vëmendjes tokën e varfër, pohon se duhet mundur kultura e hedhurinës, në favor të kulturës së kujdesit. Prej këndej, mund të themi se është Enciklikë globale, që flet për jetën e njeriut mbi Tokë, mbi shtëpinë e përbashkët që është natyra.

Enciklika na ofron vizionin e thellë të botës e të natyrës, që ka Papa. Një vizion global, që nënvizon larminë e pafundme të qenive të gjalla, lidhjet dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Bota, për Papën Françesku, është ambient e jo objekt për t’u zotëruar. Prej këndej, mund të them se jemi para një vizioni shumë pozitiv të realitetit, shqyrtuar deri në hollësi, jemi para një vizioni pragmatik, e njëkohësisht, edhe tejet poetik. Në këtë Enciklikë vizioni i botës është edhe antropologjik, por jo antropocentrik. Në të roli i njeriu nuk është ai i sundimtarit, por i rojtarit.

Papa disa herë bën thirrje për kthesë ekologjike e shpirtërore, ai dëshiron që njeriu  të zbulojë rolin e tij si rojtar i një dhurate të çmuar që është natyra. E kjo nuk është opcionale, e as aspekt i dorës së dytë i përvojës së krishterë. Papa e thotë qartë se kujdesi për mjedisin është pjesë përbërëse e jetës së krishterë, të mos e bësh, është mëkat, pra kemi një përgjegjësi para Zotit e para njerëzve për ruajtjen e natyrës. Atë Imperatori ndalet edhe te realiteti i rëndë i natyrës në Shqipëri, trashëguar nga regjimi komunist, që kërkon një përgjigje nga njëri prej nesh, për ta përmirësuar situatën.

Po më tepër ta dëgjojmë bisedën e dom David Gjugjës me jezuitin atë Mario Imperatorin...

 








All the contents on this site are copyrighted ©.