2016-02-24 12:54:00

Udha e Kryqit për gratë viktima të shfrytëzimit


Të premten e ardhshme, më 26 shkurt, në orën 19.30, nga Kisha romake  e Shpirtit Shenjt në Sassia do të niset “Udha e Kryqit e solidaritetit dhe e lutjes për gratë e reja, viktima të trafikut, të prostitucionit të detyruar dhe të dhunës”. Organizohet nga bashkësia Gjoni XXIII, në bashkëpunim me Veprimtarinë baritore për thirrjet të dioqezës së Romës.

Ka shtatë stacione, kjo Udhë e jashtëzakonshme Kryqi: nga Borgo Santo Spirito, në Kishën e re, duke kaluar mbi urën e Shën Engjëllit. E shtatë janë edhe çastet e lutjes, të meditimit e të dëshmive: “Do të dëgjojmë dëshmitë e drejtpërdrejta të vajzave, që e kanë provuar mbi lëkurën e vet ç’do të thotë të jetosh në kushte skllavërie. Sepse skllavëria nuk ka marrë fund ende. Skllavëria ekziston edhe sot e kësaj dite  në qytetet tona, edhe pse nuk duam ta besojmë e i mbyllim fajësisht sytë para saj” - shpjegon don Aldo Buonaiuti, koordinator i nismës. Organizatorët njoftojnë, ndërmjet tjerash, se do të jetë i pranishëm edhe kardinali Agostini Vallini.

Kujtojmë se Bashkësia Gjoni XXIII i ndjek nga afër dhe i ndihmon viktimat e prostitucionit që prej 25 vjetësh.Vetëm kohët fundit ka kontribuar për të liruar më se 7.000 gra nga kjo formë moderne, e turpshme, e skllavërisë. Aktualisht në strukturat e bashkësisë, strehohen më se 200 vajza, ndërsa veprojnë 21 “njësi të rrugës”, që mobilizohen çdo javë në të gjithë Italinë për t’i takuar gratë e vajzat e për t’u ofruar  rrugëdalje nga shfrytëzimi, nga jeta prej skallavi. U propozojnë lirinë. E edhe i ndihmojnë ta fitojnë.

Sipas të dhënave të kësaj bashkësie, në Itali numërohen ndërmjet 75.000- 120.000 gra të detyruara të bëjnë jetën e tmerrshme të rrugës. Ndërsa “klientët” e tyre janë nëntë milion, që shpenzojnë në këtë tregti të turpshme më se 90 milionë euro në muaj.  








All the contents on this site are copyrighted ©.