2016-02-24 16:02:00

Papa u përgjigjet pyetjeve të fëmijëve: libri del të enjten


Nesër, në libraritë italiane, do të dalë libri me përgjigjet e Papës Françesku për letrat e 31 fëmijëve nga e gjithë bota. Vëllimi me titull “Dashuria përpara botës” është dashur nga “Loyola Press”, shtëpia botuese e jezuitëve, dhe është botuar në Itali nga Shtëpia Botuese Rizzoli.

“Çfarë bënte Zoti para se të krijonte botën? – Donte. Pse prindërit, nganjëherë diskutojnë ndërmjet tyre? – Sepse janë njerëz”. Pyetje e përgjigje të thjeshta, të drejtpërdrejta, pa paragjykime. Këto janë baza e librit me pyetjet e fëmijëve nga 6 deri 13 vjeç e me përgjigjet e Atit të Shenjtë. Majin e kaluar, “Loyola Press” ia propozoi nismën Papës, i cili pranoi menjëherë. U mblodhën 259 letra nga 26 vende të botës, ndër të cilat edhe Shqipëria, Kina, Nigeria, Filipinet e shkollat, ku strehohen refugjatët sirianë. Muajt e kaluar, drejtori i revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro, u takua me Papën në Shtëpinë e Shën Martës e kështu, Françesku iu përgjigj letrave të fëmijëve.

“Janë të vështira këto pyetje” i thoshte Papa atë Spadaros. Vetë Ati i Shenjtë është njohur me librin më 22 shkurt, në një audiencë private në Vatikan, ku ishin të pranishëm disa nga fëmijët. Që nga 1 marsi, libri do të dalë në të gjitha libraritë e botës. Në mikrofonin tonë, drejtori i Shtëpisë botuese të jezuitëve “Loyola Press”, atë Paul Campbell:

 Një nga linjat, që ndjek libri është se “fëmijët e vegjël kanë pyetje të mëdha”. Ryan nga Kanadaja, jo i krishterë, pyet: “Çfarë bënte Zoti para se të krijonte botën?”, që është vërtet pyetje e thellë. Luka nga Australia: “Nëna më ka vdekur, a do t’i rriten krahët e engjëllit?”. Ati i Shenjtë tha: “Pyetjet e fëmijëve na nxisin t’i bëjmë pyetje të mëdha vetvetes”. Prandaj, po, janë pyetje të bëra nga fëmijë të vegjël, por janë shumë, shumë të thella. E Ati i Shenjtë qe shumë i qartë: është tmerrësisht e vështirë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve!

Si editor i këtij libri për fëmijë, që në anglisht e ka titullin “Dear Pope Francis” (I dashur Papa Françesku), çfarë prisni nga leximi i tij?

Kjo është hera e parë që një Papë shkruan një libër për fëmijë. Por ky nuk është vetëm një libër për fëmijë, sepse të vegjlit bëjnë pyetje shumë të thella. Ati i Shenjtë nuk u përgjigjet vetëm fëmijëve, por edhe prindërve të tyre, gjyshërve e të gjithë njerëzve që fëmijët i duan fort. Mesazhi i Papës është mëshira, përdëllimi, shpresa dhe dashuria. Në botën e sotme, çdo njeri ka nevojë për të dëgjuar një mesazh dashurie. Unë shpresoj që ky mesazh i Papës të arrijë tek njerëz sa më të shumtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.