2016-02-24 14:18:00

Papa: të pushtetshmit t’i shërbejnë të mirës së përbashkët, prepotentët të kërkojnë falje!


Kush ka pushtet e pasuri t’i përdorë në shërbim të së mirës së përbashkët; e kush i përdor si mjete dhune e shfrytëzimi, të marrë guximin e të pendohet, të ndërrojë jetë. Ky ishte thelbi i katekizmit të Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në  Sheshin e Shën Pjetrit. Zoti, vijoi Papa, është më i madh se lojërat e ndyra të njerëzve e nuk ia mohon faljen, atij që ia kërkon.

Zgjodhi një simbol tejet shprehës Papa, duke e parë pushtetin si dy faqet e një medaljeje. Medalje, që shkëlqen me faqen e vet të ndritshme – pushtetin e jetuar si shërbim – e  tmerron me faqen tjetër të frikshme e mizore - pushtetin arrogant, që bëhet sundim e dhunë, edhe pa shpirt.

Mjete drejtësie apo korrupsioni?

Përballë rreth 30 mijë vetëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell gati pranveror, Papa Françesku shpjegoi një aspekt të Mëshirës hyjnore, duke e vënë ballë për ballë me një dilemë të lashtë, gati sa vetë bota: atë të autoritetit të ushtruar për të mirën e të gjithëve, ose në shërbim të ndonjë lakmie private:

“Pasuria e pushteti duhen parë si realitete, që mund të jenë të dobishme për të mirën e përbashkët, nëse vihen në shërbim të të varfërve e të të gjithëve, me drejtësi e dashuri. Por kur, siç ndodh tepër shpesh, jetohen si privilegj, me egoizëm e prepotencë, shndërrohen në mjete korrupsioni e vdekjeje”.

Një histori e lashtë-aktuale

Për ta konkretizuar këtë, Papa u mbështet mbi një histori simbolike të Biblës, që flet për mbrapshti, dhunë e pendim. Është fjala për rrëfimin biblik të Mbretit Akab, që donte të shtinte në dorë vreshtin e Nabotit për të zgjeruar trojet e pallatit e që, për ta realizuar këtë dëshirë, e shndërroi pushtetin në arrogancë, sundim e dhunë. Pikërisht kjo ndodhi me vreshtin e Nabotit. Mbretëresha Jezabelë, grua pa kurrfarë skrupulli, vendosi ta zhdukë Nabotin. E për ta vënë në jetë planin e saj kriminal, shfrytëzoi  pozitën. Jo vetëm shpifi, por edhe u dha urdhër autoriteteve të qytetit ta akuzonin Nabotin se kishte mallkuar mbretin. Mbretëresha mashtruese e dinte mirë se për një faj të tillë Naboti do të dënohej me vdekje. Gruaja e pushtetshme e dënoi vreshtarin e pafajshëm. E dënoi dhe e grabiti. E kështu përfundon edhe historia: si vdiq Naboti, mbreti mundi ta shtjerë lirisht në dorë vreshtin e huaj, aq të dëshiruar:

“E kjo nuk është histori e  kohëve të lashta, të perënduara. Jo! Është histori e kohëve tona! Histori e njerëzve të pushtetshëm, që për të fituar sa më shumë para, i shfrytëzojnë të varfërit, i shfrytëzojnë të tjerët. Është historia e trafikut të njerëzve, e punës prej skllavi, e të varfërve që punojnë në të zezë e marrin aq sa për të mbajtur frymën gjallë, për t’i pasuruar, kështu, njerëzit e pushtetshëm. Është edhe historia e politikanëve të korruptuar, që duan gjithnjë shumë e më shumë”.

Mëshira i shëron plagët

Ja pra, ku të çon ushtrimi i autoritetit pa respekt për jetën, pa drejtësi, pa mëshirë, vërejti Françesku, që tregoi edhe fundin e historisë. Mbreti Akab, duke e ndjerë veten të shtypur nën barrën e mëkatit që i rëndonte fort mbi ndërgjegje, e kuptoi se kishte bërë keq, u përul e kërkoi ndjesë:

“Sa gjë e bukur do të ishte sikur pushtetarët shfrytëzues të ditëve tona të bënin të njëjtën gjë. Zoti e pranoi pendimin e tij; pa harruar, veç, se një i pafajshëm kishte humbur jetën e faji i bërë nuk mund të mos kishte pasojat e veta. E keqja e bërë, lë gjurmë të dhimbshme në historinë e njerëzve, duke i hapur plagë, që nuk mbyllen lehtë. E vetëm mëshira tregon, edhe në këtë rast, rrugën që duhet ndjekur. Mëshira mund t’i shërojë plagët, ta ndryshojë rrjedhën e historisë”.

Tundimi për privilegje

Ta shikojmë Krishtin, përfundoi Françesku, Mbretin, që ka për fron “kryqin”. Nuk është mbret që vret, por përkundrazi, mbret që jep jetë. E shembulli i tij, shtoi duke u folur shtegtarëve të gjuhës polake, duhet të jetë nxitje për të  rrëmuar zemrën:

“Sot, në udhën kreshmore të Vitit të Mëshirës, të bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes e ta pyesim veten sa ndikon mënyra jonë e mendimit, e vlerësimit dhe e veprimit për të na tunduar ta shpërdorojmë pushtetin mbi të tjerët, thjesht për të fituar privilegje për vete”.

Ndërmjet përshëndetjeve përfundimtare të grupeve në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa iu drejtua posaçërisht ipeshkvijve miq të Lëvizjes së Fokolarëve, mbledhur për kuvëndimin e tyre vjetor, bashkësisë Gjoni XXIII, me ipeshkvin e Riminit, imzot Francesco Lambiasi dhe ish-punëtorëve të Videocon, të Anagni-t.








All the contents on this site are copyrighted ©.