2016-02-24 11:47:00

Fillimi i misionit të nuncit apostolik Imzot Luciano Suriani në Serbi


Filloi punën nunci i ri apostolik në Serbi. Imzot Luciano Suriani, kryeipeshkëv titullar i Amiternit, mbërriti në Beograd pasditen e 4 shkurtit e që në aeroport, ia dorëzoi Letrat kredenciale kreut të Protokollit të Ministrisë së Punëve të jashtme serbe, Dragali Petroviç. Ceremonia e vërtetë e paraqitjes së Letrave u bë të nesërmen në Pallatin presidencial, në praninë e presidentit serb Tomisllav Nikoliç. Gjatë bisedës së përzemërt, presidenti përmendi punën e vyer të nuncit të mëparshëm apostolik, Orlando Antonini dhe kujtoi audiencën tek Papa Françesku më 11 shtatorin e vitit të kaluar. Shprehu vlerësimin e tij për nismën e ngritjes së një komisioni serbo-kroat, i cili do të shqyrtojë rastin e kardinalit Alojzije Viktor Stepinac, shpallur i Lum nga Kisha Katolike, por element kundërshtish ndërmjet serbëve e kroatëve. Të parët e konsiderojnë kolaboracionist të regjimit fashist të Ante Paveliçit, ndërsa për të dytët është shenjt. Komisioni synon pajtimin e palëve.

Më tej, presidenti serb Nikoliç nënvizoi rëndësinë e takimit ndërmjet Papës Françesku dhe Patrikut rus Kirill, duke theksuar nevojën e bashkimit të të krishterëve, sidomos për t’u mbrojtur nga persekutimet në zona të ndryshme të planetit.

Nga ana e tij, imzot Suriani transmetoi përshëndetjen dhe bekimin e Papës Françesku, konfermoi marrëdhëniet e mira të Serbisë me Selinë e Shenjtë dhe dëshirën për t’i përmirësuar më tej. Në fund të ceremonisë, në sheshin përballë Pallatit Presidencial, u ekzekutua himni i Selisë së Shenjtë e vetë nunci nderoi flamurin kombëtar, për t’u kthyer më pas në rezidencën e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.