2016-02-23 13:53:00

Siri: lirohen nga Isis, 43 të krishterë asirë nga Khabur


Xhihadistët e Shtetit Islamik (Isis) liruan 43 të krishterë asirë, që bënin pjesë në një grup prej 250 pengjesh, marrë gjatë ofensivës xhihadiste të 23 shkurtit të vitit të kaluar nga fshatrat e krishterë në luginën e lumit Khabur, në verilindje të Sirisë. Që atëherë, pengjet janë liruar grupe-grupe.

U liruan pavarësisht nga kërcënimet e vazhdueshme me vdekje

         Në fillim të tetorit të kaluar, lajmëron agjencia katolike Fides, në faqet e internetit të terroristëve u publikua videoja e ekzekutimit të tre të krishterëve asirë të luginës së Khabur-it. Në këtë video makabër njoftohej edhe për ekzekutime të tjera, nëse nuk do të paguhej shuma e kërkuar për lirimin e pengjeve.

Në duart e Isis-it, 180 të krishterë sirë dhe asirë nga qyteti Qaryatayn

         Sipas burimeve të Kishës asire të Lindjes, pas lirimit të djeshëm të 43 pengjeve, nuk ka më të krishterë të luginës së Khabur-it, në duart e xhihadistëve, të cilët, gjithsesi, akoma mbajnë peng gati 180 të krishterë sirë e asirë nga qyteti Qaryatayn, pushtuar nga Isis më 6 gushtin e kaluar.








All the contents on this site are copyrighted ©.