2016-02-23 13:27:00

Papa: Zoti është konkret, jo “fesë vetëm me fjalë”


Krishterimi është fe konkrete, që vepron, duke bërë mirë e jo vetëm me fjalë; nuk është fe e hipokrizisë dhe e kotësive të kësaj bote. Papa Françesku e theksoi disa herë këtë, gjatë homelisë në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Gjatë Kreshmëve, nënvizoi, Zoti na tregon rrugën, në të cilën duhet të ecim.

         Zoti është konkret, theksoi Ati i Shenjtë, duke komentuar Ungjillin e ditës, në të cilin Krishti u thotë dishepujve të vet të bëhen shërbëtorë të të tjerëve, pa u mburrur si farisenjtë. Si ata, edhe sot, shumë të krishterë mburren me përkatësinë e tyre në Kishë, por nuk bëjnë asgjë për të qenë anëtarë të denjë të saj, nuk marrin përsipër asnjë impenjim, duke e jetuar krishterimin si ndonjë prestigj e jo si shërbim për më të varfërit.

Rruga e veprave

         Papa Françesku shpjegoi mirë dialektikën ungjillore ndërmjet fjalëve e veprave, duke kujtuar si i kritikon Jezu Krishti në Ungjill skribët e farisenjtë, i cili u kërkon dishepujve dhe njerëzve të pranishëm të bëjnë ashtu siç u thonë ata, por të mos sillen si ata:

         “Zoti na mëson udhën e veprave. E sa herë hasim njerëz – edhe ne, eh! – sa herë themi në Kishë: ‘O, unë jam shumë katolik!’. ‘Po çfarë bën?’. Sa prindër i thonë vetes katolikë, por s’kanë kurrë kohë për të folur me fëmijët, për të luajtur me fëmijët, për t’i dëgjuar ata. Ndoshta, prindërit e tyre ndodhen në shtëpi për pleq, por janë gjithnjë tepër të zënë e nuk munden të shkojnë t’i shohin e i braktisin aty. ‘Por, jam katolik, eh! Marr pjesë në këtë apo në atë shoqatë’. Kjo është feja e fjalëve: them se jam kështu, por shkoj pas kësaj bote”.

Çfarë do Zoti

         Kur fjalët nuk shoqërohen me vepra përfundojmë në mashtrim, nënvizoi Papa. Fjalët e Isaisë profet, në leximin e parë të liturgjisë së sotme, tregojnë se Zoti preferon që njerëzit të mos bëjnë keq, por të mësojnë si të bëjnë mirë. E fjalët e Biblës janë mëse të qarta: “Ndihmoni të shtypurin, jepini të drejtën bonjakut, mbrojeni vejushën”. E tregojnë edhe mëshirën pa fund të Zotit, që i thotë njerëzimit se edhe nëse mëkatet e tij janë tejet të dukshme, “kuq si gjaku, do të bëhen bardh si bora”, siç thuhet në Librin e Isaisë:

         “Mëshira e Zotit arrin tek ata, që kanë guxim ta pleqërojnë punën me Të, por diskutojnë mbi të vërtetën, mbi gjërat që bëjnë e nuk bëjnë për t’u ndrequr. E kjo është dashuria e madhe e Zotit, në këtë dialektikë nga e thëna tek e bëra. Të jesh i krishterë do të thotë të bësh: të bësh vullnetin e Zotit. E në ditën e fundit – sepse të gjithë do ta kemi një ditë të tillë! – atë ditë, ç’do të na pyesë Zoti? Mos vallë do të na thotë: ‘Çfarë keni thënë për mua?’ Jo! Do të na pyesë për gjërat që kemi bërë”.

Gjoja të krishterë

         E këtu Papa përmendi kapitullin e Gjyqit të Mbramë në Ungjillin sipas Mateut, kur Zoti i kërkon llogari njeriut për mënyrën si sillet me të uriturit, të eturit, të burgosurit e të huajt. “Kjo – pohoi Ati i Shenjtë – është jeta e krishterë. Vetëm fjalët janë të kota, bëjmë gjoja se jemi të krishterë”:

         “Zoti na dhashtë urtinë për ta kuptuar mirë ndryshimin ndërmjet fjalëve e veprave, na mësoftë rrugën e veprave e na ndihmoftë të ecim në këtë rrugë, sepse udha e fjalëve na çon në vendin, ku ishin të gjithë këta… dijetarët e ligjit, këta klerikë, të cilëve u pëlqente të visheshin sikur të ishin mbretër, apo jo? Por ky nuk është realiteti i Ungjillit! Zoti na tregoftë rrugën e drejtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.