2016-02-23 16:07:00

Kujtohet Imzot Nikë Prela në 20 vjetorin e kalimit në amshim


Kisha katolike e Kosovës kujton 20 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës, ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizren, nga viti 1970 deri në vdekje, më 25 shkurt 1996. Figura e vepra e ipeshkvit imzot Nikë Prela, u përkujtua me kremtimin e Meshës Shenjte në Kishën Katedrale të “Nënë Terezës” në Prishtinë, sot më 23 shkurt 2016, në ora 18.00. Kremtimin Eukaristik e kryesoi ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me Vikarin e Përgjithshëm, dom Lush Gjergjin, famullitarin e Katedrales, dom Rrok Gjonlleshaj, shumë meshtarë, rregulltarë e rregulltare, në praninë e një numri të madh besimtarësh, qytetarësh e personalitetesh kosovare.

Pas Meshës, në Katedrale u hap edhe ekspozita mbi veprimtarinë afër 27 vjeçare të ipeshkvit imzot Nikë Prela, njofton zyra e ipeshkvisë së Kosovës. Mbi figurën e veprën e imzot Nikë Prelës, në mikrofonin e dom David Gjugjës ta dëgjojmë dom Lush Gjergjin...

IMZOT NIKË PRELA, IPESHKËV I SHQUAR DHE DALLUAR (1918 – 1996)

Imzot Nikë Prela lindi në Kotorr më 3 qershor 1918 nga prindërit shqiptarë katolikë Gjergji dhe Çila, mërgimtarë nga Shkodra. Dhe kjo mjaftonte që të ishte i dëbuar dhe i padëshiruar, sepse i kishte dy “faje” kapitale: ishte shqiptar e meshtar, e pikërisht për këtë Kryqi i Jezu Krishtit, vuajtja,  burgimi, sëmundja qenë  fija lidhëse e tërë jetës së tij. Pak në hoka, por edhe me ironi thoshte: ”Kam lindur në një kohë mjaft të keqe, kur u shkatërruan dy perandori e u krijua një Jugosllavi… Refreni që kam dëgjuar qysh në fëmijëri ishte ky: “Arbanas, arbanas, jao ti sjutra i danas”, që dmth Shqiptar, shqiptar, i mjeri ti dje dhe sot”.

Shkollën fillore e të mesme e kreu në Kotor. Studimet filozofik-teologjike në Split, për disa kohë edhe në Strasbur. Si motoje të jetës meshtarake pati shkruar: “I DËBUAR NË SHTËPINË E ATIT”, fjalë që më vonë do të rrëfente përvojën e tij personale e atë kombëtare të popullit shqiptar.

Shugurimi meshtarak e Meshë e Parë i krmetoi, në një kohë të keqe, më 13 qershor 1941, në mesin e bombardimeve e të rreziqeve të mëdha. Shërbeu si famullitar në Sutomore (1941-1954) e në Muo (1955-1969) të Malit të Zi, deri te emrimi ipeshkvor, më 2 tetot 1969. Rishtas për te ishte koha pa kohë, pas demostratave të viteve 1968-1970 në Kosovë, veçmas për ipeshkvin shqiptar nga Mali Zi, pasi çdo gjë  në Kosovë ishte e panjohur dhe e paqartë për shumçka, kështu vendi, njerëzit, rrethanat, shoqëria, kompetencat në kuadrin e dioqezës Shkup-Prizren etj...

Thoshte ”Vetëm një gjë e di, si Shën Pali, se vuajtja nuk do të ndahet kurrë prej meje…Në popullin tim e gjeta  vetveten plotësisht, sepse së bashku e  nga afër i ndamë të gjitha. Zotit, Kishës, popullit tim, jo një herë, por edhe njëqind herë do t’ ia dhuroja jetën time”.

E në Kosovë si ipeshkëv, imzot Nik Prela nuk e kishte misionin e lehtë, për shumë arsye: mungesa e klerit shqiptar, varfëria, mungesa e lirisë, mungesa e Kishave e strukurave famullitare,  mungesa e shtypit fetar, gjendja e katolikëve kosovarë, shiqptarë e kroatë në realitetin shoqëror e dikriminuar nga anët e ndryshme, e jo vetëm shtetërore.  Rrethanat e asaj kohe shoqërore e politike ishin mjaft të ndërlikuara e të tensionuara. Thoshte shpesh: “Po zihet moti si para shiut apo breshërit të rrezikshëm, do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme. Zoti na ndihmoftë e na ruajtë nga e keqja! Gjatë jetës sime shumë herë e kam përjetuar këtë: kafshata deri te goja, por jo edhe në gojë. Ndoshta kësaj rradhe s’ do ta humbim rastin e mirë”.

Në audiencën me Papa Gjon Palin II, më 21 janar 1981, pak para shpërthimeve të demostratave në Kosovë, imzot Nikë Prela i tha Papës Wojtila: “Shenjtëri, gjendja në Kosovë është tejet e ngarkuar e s’di kur dhe si do të shpërthejë…Bëni diçka për popullin tim shqiptar e për Kishën tonë martire”.

Papa Wojtila vërtet i dha zemër e përkrahje ipeshkvit Prela, e nëpërmes tij të gjithë besimtarëve e mbarë popullit: ”Komunizmi e ateizmi shtetëror po përfundon, fitorja është e Drejtësisë, e Dashurisë…Para dy ditëve në karrigën Tuaj ishte Lech Walensa. Duhet të qëndrojmë  deri në fund…”. E shtoi edhe këtë: “Unë pas popullit tim polak, e dua shumë edhe popullin shqiptar, ju keni vuajtur shumë  e na keni dhuruar Nënë Terezën”.

Dy çështje ishin në qendër të jetës e të veprimtarisë së imzot Nikë Prelës, vuajtja, pra martirizimi i popullit e i Kishës shqiptare, dhe të varfërit, njerëzit e përbuzur e të mëjanuar. Thoshte: ”Nuk e di pse duhet të vuajmë kaq shumë e kaq gjatë, por e di se Zoti na do nëpërmjet Kryqit, e di se jemi të zgjedhur  për punë të mëdha…Për të varfrit, për popullin tim shqiptar, për Kishën tonë nuk di çka nuk do të bëja… Pa e sprovuar vuajtjen në lëkurën tënde, nuk di çka është vuajtja, as jeta. Vetëm vuajtja, vetë, Kryqi na përgatisin ditë më të mira, të ardhmen më të bukur”.

Imzot Nikë Prela qe e mbeti deri në vdekje paqedashës i bindur, por jo edhe pasiv, vezhgues i ngjarjeve e largpamës. Për të, viti 1989 qe sfidë e jetës dhe tronditje e thellë e ndjenjave njerëzore, fetare dhe kishtare. Mirëpo ai kurrë nuk u dorëzua para së keqes, para rreziqeve e kërcnimeve të shpallura apo të fshehta, sepse mbështetej vetëm e vetëm në duart e Zotit e në fuqinë e Tij të mirë. Me urti iu përgjigj sfidave e kritikave,  edhe atyre shoqërore, kombëtare e politike. Thoshte: ”Bota ende nuk e di mirë se çdo po ndodhë me ne. Edhe mos të isha shqiptar, do të isha në anën e popullit të shkelur, sepse vuan pafajësisht e padrejtësisht. Politika ime është drejtësia e dashuria e Zotit, është respekti e drejtësia ndaj popullit. Detyra ime është ta njoftoj botën mbi gjendjen tonë e të lutëm. Herdo-kurdo do të ngadhënjejë drejtësia, e vërteta, sepse askush nuk e ka botën në dorë, përpos Zotit…”.

Gjatë vitit 1990 me tërë fuqinë përkrahu lëvizjet e atëhershme të kosovarëve. Tezave famëkeqe se në Kosovë vepronte terrorizmi, separatizmi, irredentizmi, ekstremizmi fundamentalist islamik, ai u përgjigj qartas e bindshëm: ”Fjala është për popullin tim, pa dallime fetare, për njerëzit e shkretë, që vuajnë e përndiqen padrejtësisht. Edhe unë jam dënuar tri herë me burg vetëm pse jam shqiptar dhe meshtar katolik. Prandaj, unë nuk do të heq dorë kurrë nga e vërteta. S’ ka kompromise me rrena e mashtrime, me manipulime. Për ta mbrojtur të vërtetën duhet të jemi të gatshëm të flijojmë çdo gjë, nëse është nevoja edhe jetën. Këtë mund ta bëjmë vetëm me fe e me dashuri. Tërë jeta ime është ”për Zotin, pë Kishë, për Popullin tim Shqiptar”.

Imzot Nikë PRELA dallohej edhe si intelektual, themeloi revistën fetaro-kulturore DRITA, së bashku me meshtarin e dalluar Mons. Nikollë Mini-n e të tjerë, shkroi: “Fjalori biblik” /1994/, “Shenjtërit – pajtorët tanë” (1995); përkrhyeu nga shqipja në kroatisht “Nëna jonë Terezë” (1982); Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit: Lumen Gentium, Dei Verbum e Gaudium et Spes (1992); nga kroatishtja në shqip “Zbatimi i thirrjes” (1995), si dhe veprën postume kroatisht “Osvrti i Razmatranja”(1997); shqip “Vështrime e Meditime” (2006).

Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës (25 shkurt 1996), Dr. Ibrahim Rugova pat thenë: “Shembëlltyra e ndritshme e Ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë si frymëzim brenda nesh”.

Ditën e varrimit të tij, Presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën. Në takimin e fundit të imzot Nikë Prelës me dr. Ibrahim Rugovën (4 shtator 1995), pas mjekimit njëmujor në Milano, ipeshkvi tashmë me këmbë të amputuar, në karrocë, iu drejtuar Kryetarit: “Tani edhe unë i përgjaj Jezu Krishtit, popullit tim shqiptar, sepse vuaj shumë dhe të gjitha ia paraqes Zotit për të mirën e popullit tonë, për Ju dhe punën Tuaj të madhe në dobi të paqes…”

Presidenti dr. Ibrahim Rugova, dukshëm i emocionuar nga gjendja shëndetësore e nga fjalët e ipeshkvit, tha: “Ju, Shkëlqesi, keni vuajtur e vuani edhe tani shumë, por të gjitha i keni përballuar trimërisht e heroikisht. Zoti ju ndihmoftë, ju bekoftë e ua shpërbleftë për të gjitha!”.

Këta dy njerëz të rrallë e të dalluar, kishin besimin në Zotin e në popullin, ushqenin shpresën për një të ardhme më të mirë e të lirë për popullin të cilit i shërbyen duke ofruan “pjesën më të mirë të vetvetes” për Kosovën , duke lënë si testament shpirtëror, përkushtimin e dashurinë për popullin dhe vendin.

Dy mendje e dy zemra, dy veprimtarë e dëshmitarë të çështjes së Kosovës e të kombit shqiptar. Personalitete që  vunë gurthemelin e së tashmes dhe të ardhmes së Kosovës.                                                                                        








All the contents on this site are copyrighted ©.