2016-02-23 15:28:00

Enciklika e Papës “Ti qofsh lëvduar o Zot” në shqip u prezantua në Shkodër


Në ambientet e Seminarit Nderdioqezan Shqiptar në Shkodër, më 19 shkurt 2016, u bë prezantimi e promovimi në gjuhen shqipe i enciklikës së Papa Françeskut, “Laudato Sii” “Ti qofsh lëvduar o Zot”, Përkthimi e botimi u realizuan nën kujdesin e Arqipeshkvisë së Shkodër-Pultit.

Interesit të madh që shoqëroi këtë takim iu përgjigj edhe paneli i zgjedhur me mjaft kujdes nga organizatorët, i cili përbëhej nga:  Sh.T. Imzot Angelo Massafra Arqipeshkev Metropolit i Kryedioqezës Shkodër-Pult si edhe President i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, Prof. Dr. Alfred Çapaliku pedagog në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës dhe njëkohësisht moderator i kësaj konference, Dr. Albert Nikolla drejtor i Caritas-it Shqiptar, P. Mario Imperatori S.J drejtor i Institutit Filozofik-Teologjik në Shkodër si edhe  Motër Rita Ndoci përgjegjëse e komisionit për baritoren e të rinjve dhe universitarëve në dioqezën tonë. Të pranishëm në këtë promovim ishin edhe shumë meshtarë, motra dhe laik të angazhuar në fusha të ndryshme edukative, ekonomike, sociale etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Arqipeshkvi Angelo Massafra falënderoi të pranishmit për interesimin si edhe të gjitha ato që në mënyra të ndryshme kanë kontribuar për realizimin e këtij botimi në gjuhen shqipe. Ai nënvizoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për boten mbarë ky dokument e kryesisht për Shqipërinë si një vend me pasuri dhe bukuri të mëdha natyrore. Në këtë kontekst shtoi Imzot Massafra, porosia që na jep Papa me anë të kësaj enciklike është shumë aktuale për ne dhe uroi që mesazhi i kësaj vepre të hyj në çdo shtëpi shqiptare.

Qasja dhe rrjedhojat etike  që sjell ky dokument u  trajtuan nga Dr. Albert Nikolla, i cili duke bërë një studim krahasues edhe me enciklikat e tjera sociale të magjisterit të kishës, nxori në pah aspektin ekologjik si sfidën themelore që karakterizon këtë dokument. Albert Nikolla theksoi faktin se kjo vepër e Papa Françeskut është vazhdimësia e zërit të fuqishëm që pasardhësit e Pjetrit kanë ngritur historikisht për çështjet shoqërorë dhe më specifikisht për të mirën e përbashkët, koncept i cili në enciklikë përmendet rreth 26 herë. Në fund të diskutimit të tij ai rikujtoi edhe njëherë porosinë e Papa Françeskut sipas të cilit, mandati i Zotit për ta sunduar token nuk është një mandat sundimtarie dhune por kujdesi.

Pjesa e dytë  e konferencës u karakterizua nga ndërhyrja e Motër Rita Ndocit dhe e Atë Mario Imperatorit.  

Motër Rita bazuar në përvojën e saj baritore  të përditshme evidentoi faktin se kjo enciklikë është  një dhuratë por edhe një përgjegjësi. Është një dhuratë sipas saj prej faktit se është mjaftë gjithëpërfshirëse qoftë në drejtim të burimeve që iu referohet, qoftë në raport ndaj atyre që iu drejtohet. Ajo theksoi edhe disa prej sfidave që Ati Shenjt shikon si më emergjente për tu përballuar, si relativizmi, antropocentrizmi, teknokratizmi, biocentrizmi etj.

Atë Mario nga ana e tij trajtoi me tepër dimensionin teologjik dhe sidomos  atë ekumenik të kësaj enciklike. Dimensioni ekumenik për faktin se në këtë dokument Papa Françesku citon disa here edhe vet Patriarkun e Kostandinopojës Baratolomeun, gjë që tregon se sfida ekologjike është një sfidë e përbashkët për të dyja kishat ashtu si për gjithë boten. Një tjetër faktor që e bën të rëndësishme këtë dimension është fakti se enciklika është promovuar në Vatikan në praninë e J. Zizoulas ipeshkëv ortodoks si edhe njëri prej teologëve më të mëdhenj ortodoks bashkëkohorë.  Nder të tjera, Atë Mario pohoi edhe rëndësinë e dimensionit eskatologjik të krijimit si realitet i krijuar për të qenë në totalitetin e tij i orientuar drejt Zotit.

Ndërhyrjet e shumta dhe plot interes  nga të pranishmit, ishin pjesa e fundit e këtij aktiviteti që në realitet këtë pasdite shënoi vetëm fillimin e tij, pasi siç porosit Papa kujdesi për  shtëpinë e përbashkët duhet të angazhoj çdo ditë e çdo moment të gjithë të krishterët dhe njerëzit vullnet mirë.

Përgatitur nga Mark Pashkja

Në vazhdim propozojmë një intervistë, realizuar më 20 gusht 2015, me jezuitin italian atë Antonio Spadaron S.J., drejtor i revistës “Civiltà Cattolica” mbi enciklikën e Papa Françeskut Laudato si’, Enciklikë “e hapur” për të mirën e planetit.

“Nuk mund ta konsiderojmë natyrën si diçka, që nuk ka të bëjë me ne, ose si një kornizë të thjeshtë të jetës sonë”. Është një nga fragmentet e Enciklikës “Laudato si’”, dokument i cili vë në plan të parë urgjencën e promovimit të një ekologjie të gjithanshme, që përfshin përmasat njerëzore e shoqërore. Folëm për këtë me atë Antonio Spadaron S.J., drejtor i revistës “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi katolik), e cila ia kushtoi plotësisht numrin e saj të fundit, Enciklikës së Françeskut.

Më preku thellë vizioni i botës, i propozuar nga Papa; vizion global, i gjerë, që nënvizon larminë e pafundme të qenive të gjalla, e edhe lidhjet, marrëdhëniet ndërmjet tyre. Bota, për Papën Françesku, është ambient e jo objekt për t’u zotëruar. Prej këndej, mund të them se jemi para një vizioni shumë pozitiv të realitetit, shqyrtuar deri në hollësi: Papa flet për insektet e për atomet, por duke e parë gjithçka si një rrjet më të madh marrëdhëniesh; vizion pragmatik, e njëkohësisht, edhe tejet poetik. Më prek thellë në këtë Enciklikë edhe vizioni i botës, që natyrisht, është edhe antroplogjik, por jo antropocentrik: në të roli i njeriu nuk është ai i sundimtarit, por i rojtarit. Papa disa herë bën thirrje për kthesë ekologjike, dëshiron që njeriu  të zbulojë rolin e tij si rojtar i një dhurate të çmuar. E kjo nuk është opcionale, e as aspekt i dorës së dytë i përvojës së krishterë: Papa e thotë qartë se kujdesi për mjedisin është pjesë përbërëse e jetës së krishterë: të mos e bësh, është mëkat.

 Ç’të re sjell ky dokument që, sigurisht, ndjek gjurmët e traditës së Doktrinës Shoqërore të Kishës, natyrisht, duke sjellë edhe ndihmesë origjinale…

 Ndoshta gjëja më interesante, më me vlerë, është se çështja ambientale, me këtë Enciklikë, bëhet një kapitull i Doktrinës Shoqërore. Që sot çështja nuk shtrohet më në planin nëse katolikët duhet të merren me çështjet e ekologjisë në perspektivë të fesë. Pra problemi nuk është a duhet ta bëjnë, por si duhet ta bëjnë këtë. Në këtë kuptim Papa propozon atë, që ai e quan “revolucion kulturor”. Do ta krahasoja me Rerum Novarum të Leonit XIII: atje në qendër të vëmendjes ishte çështja e punëtorëve, këtu, ambienti.

Si në Evangelii Gaudium, edhe këtu, citohen shumë dokumente të Konferencave ipeshkvnore; a mund të flitet për një Enciklikë me frymë sinodale?

 Absolutisht po! Ndjehet fryma kolegjiale, shumës, por edhe ekumenike e ndërfetare. Citohen Konferencat ipeshkvnore lokale, prej këndej mund të thuhet se mbarë Kisha merr pjesë në këtë dokument kaq të rëndësishëm të Papnisë; “dokument i hapur për të gjithë!”, mund ta quajmë, gati “open source” (Burim i hapur). Por e dimë se është edhe ekumenik, sepse Papa citon Patrikun Bartolomeu, e edhe një mistik islamik, prej këndej vërehet një urë e hapur për lidhjen me fetë e tjera: Papa u bën thirrje të gjitha feve të mobilizohen!

 Shihet se “Laudato si’” është dokument, që flet për ekologji të gjithanshme: ambientale, ekonomike, shoqërore….

 Po, karakteristika e kësaj Enciklike është vërtet gjerësia dhe thellësia. “Laudato si’” është Enciklikë shoqërore, jo vetëm ekologjike: inkuadron jetën e njeriut mbi tokë, duke e lidhur varfërinë me brishtësinë e planetit. Në këtë kuptim, vë në qendër të vëmendjes tokën e varfër, pohon se duhet mundur kultura e hedhurinës, në favor të kulturës së kujdesit. Prej këndej, mund të themi se është Enciklikë globale, që flet për jetën e njeriut mbi Tokë.

Në shtator Françesku do të flasë në Kombet e Bashkuara në New York, në Asamblenë e Përgjithshme. Kjo Enciklikë, në një farë mënyre,   përshpejton e thekson edhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje të pritur…

Papa shikon një botë të ndërvarur e kjo lidhje na detyron të mendojmë për një botë të vetme, një projekt të vetëm, të përbashkët, duke propozuar rrugëzgjidhje që nuk nisen nga perspektiva të vogla e lokale, por nga perspektiva globale. Për Papën, Takimet botërore të nivelit të lartë kushtuar ambientit vitet e fundit, nuk kanë qenë të mjaftueshme, nuk i  kanë dhënë përgjigje - e këtë e thotë qartë në Enciklikë – shpresave, për shkak të mungesës së një vendimi politik. Prej këndej duhen forma, mjete të frytshme të governance globale, për t’i trajtuar problemet e përbashkëta. Sigurisht që Papa ka shumë lëndë për të trajtuar në Pallatin e Qelqit.








All the contents on this site are copyrighted ©.