2016-02-22 14:59:00

Françesku: Kisha, ndonëse e trazuar nga ngjarjet historike, nuk shembet!


Ditën e Jubileut të Kuries Romake, Papa kryesoi Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. U mblodhëm, kujtoi në fillim të homelisë, për të kremtuar Jubileun e Mëshirës si bashkësi shërbimi e Kuries Romake, e Governatoratit dhe e institucioneve, që lidhen me Selinë Apostolike. Kapërcyem Portën Shenjte e arritëm tek Varri i Shën Pjetrit, për të bërë dëshminë tonë të fesë. Sot Fjala e Zotit i shndriti posaçërisht gjestet tona, theksoi Papa në vijim të homelisë. E, një nga rezultatet e Vitit Shenjt, duhet të jetë fundi i arrogancës së atyre që, duke punuar në Vatikan, kanë ndonjë farë pushteti mbi vartësit:

“Edhe në mjediset e punës - u shpjegoi Papa kardinajve, krerëve të dikastereve, ipeshkvijve sekretarë e punonjësve të thjeshtë - mund të kultivojmë e të praktikojmë një ndjenjë të fortë baritore, posaçërisht ndaj njerëzve, me të cilët punojmë ditë për ditë. Që askush të mos e ndjejë veten të lënë pas dore, ose të keqtrajtuar, por secili të mund të provojë, para së gjithash në këtë vend, kujdesin e dhembshur të Bariut të Mirë”.

Barinjve u kërkohet të kenë si model vetë Zotin, që kujdeset për grigjën e vet, që shkon në kërkim të deles së bjerrun, i prin në vathë së humburës, ia lidh plagët të plagosurës e kujdeset për të sëmurën. Sipas Papës, secili duhet të ketë një sjellje, e cila është shenjë e dashurisë pa kufij, siç përshkruhet, kujtoi, në profecinë e Ezekielit, që merr shkas nga mungesa e barinjve të Izraelit:

“Na bën mirë edhe ne, shtoi Papa, të thirrur siç jemi për të qenë barinj të Kishës, ta lëmë fytyrën e Zotit, Bariut të Mirë, të na ndriçojë, të na pastrojë, të na shndërrojë e të na rikthejë krejtësisht të rinuar në misionin tonë”.

Në Shkrimin Shenjt, vijoi të kujtojë Françesku, besnikëria dhe mëshira janë binom i pandashëm. Ku është njëra, atje gjindet edhe tjetra, e pikërisht në përkimin dhe përplotësimin ndërmjet tyre, mund të shikojmë edhe vetë praninë e Bariut të Mirë.

“Kisha, ndonëse e tundur dhe e shkundur nga ngjarjet e historisë, nuk shembet!”.

Ky, pohimi i Papës. Nuk shembet, shpjegoi, duke cituar Shën Agostinin, sepse i ka themelet mbi shkëmbin, prej të cilit rrjedh edhe emri Pjetër. Nuk është shkëmbi, që e merr emrin nga Pjetri, por Pjetri nga shkëmbi. Kështu  emri Krisht nuk rrjedh nga emri i krishterë, por emri i krishterë, nga  Krishti, mbi themelin e të cilit ngrihet Kisha:

“Është Jezusi, prandaj, guri i themelit e shkëmbi, mbi të cilin duhet të ndërtojmë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.