2016-02-22 14:05:00

Atë Rupnik: njerëzit e Kuries të jenë të lirë nga vetvetja


E lirë, e gatshme, bujare, që hapet: kjo është Kisha për atë Marko Ivan Rupnik, teolog jezuit, drejtor i Qendrës Aletti, që sot paradite, në Sallën Pali VI, përuroi me një meditacion, Jubileun e Kuries Romake dhe të Institucioneve të lidhura me Selinë e Shenjtë, në të cilin morën pjesë edhe punonjësit laikë me familjarët e tyre. I pranishëm, Papa Françesku, i cili, më pas, kaloi Portën Shenjte së bashku me punonjësit e Kuries dhe kremtoi meshën për ta, në festën e katedrës së Shën Pjetrit.

         Feja jonë është “pranimi i jetës” së dhuruar nga Zoti. Kjo është detyra e Kishës: “ta bëjë të dukshme hirin e mirësinë, destinatarët e të cilave jemi”, pra, t’i tregojmë botës ç’ka bërë Zoti me ne. Meditimi i atë Rupnik u përqendrua në kuptimin e mëshirës në jetën e përditshme:

         “Në një farë mënyre, jo vetëm Kuria Romake, por çdo Kurie ka rrezik të mos i rezistojë tundimit për të marrë një karakter pak si para-shtetëror, para-perandorak, si në të kaluarën. E është një tundim i tmerrshëm: sepse kjo vë në qendër funksionin, strukturën, institucionin, individin, i cili është në funksion të….[dikujt apo diçkaje]”.

         Do të ishte shkandull, tha jezuiti, nëse ne i tregojmë botës se e jetojmë krishterimin si realitet individual: Kisha, shtoi, dallohet për “një mënyrë strukturimi, qeverisjeje, drejtimi dhe administrimi”, që është bashkim, është gjithëpërfshirje. “Pas një Kishe të mirë – vërejti atë Rupnik – nuk ecën kush, kurrë”, por të gjithë janë gati të ndjekin një “Kishë të bukur”, e cila, me gjestet dhe fjalët e saj, bën të dalë në dritë tjetri, Biri e, akoma më tepër, Ati. Kështu, njeriu kthehet në “vend jete, kuptuar si bashkim e mëshirë”:

         “Sa bukur është kur dëgjon ndokënd, që ka pasur të bëjë me një Kurie të caktuar e thotë: a e di, gjeta njerëz të lirë, të lirë nga vetvetja, që ofrohen, janë të gatshëm, bujarë, që hapin [dyer]. Sa shumë janë këta! E duhet t’i nxjerrim në dritë”.

         Ky është misioni i Kishës:

         “Të mbulojë distancën ndërmjet nesh e njeriut bashkëkohor, të plagosur si ne, të lënduar si ne, të sprovuar si ne: sa më shumë do të jemi të vuajtur si gjithë njerëzit, aq më të mëshirshëm do të jemi, sepse kjo është meshtaria e Krishtit. Ai u sprovua në gjithçka për të qenë meshtar i mëshirshëm. E kështu do t’i përfshijmë njerëzit në dëshirën për të pasur një jetë të re”.

         Nga ana tjetër, është Zoti, i vetmi që mund ta mbulojë distancën, që e ndan nga njeriu i humbur, nga mëkatari, nga i vdekuri. Njeriu, i vetëm, nuk mund ta bëjë këtë. Aftësia e Zotit për të arritur deri tek ne, nënvizoi atë Rupnik, përbën vetë identitetin e Hyjit, që shprehet në qëndrimin e Tij ndaj nesh e ndaj Krijimit. Kjo s’është tjetër veçse mëshira hyjnore. Duke cituar disa pjesë nga Bibla, teologu jezuit u ndal në Ungjillin sipas Gjonit, aty ku Krishti paraqitet si hardhia e vërtetë e Ati Qiellor si vreshtari. Zoti është si lëngu i hardhisë, që përshkon degë e gjethe dhe e bën kokrrën e rrushit të prodhojë verë. Jeta e përditshme, theksoi atë Rupnik, bëhet vendi ku ai, që është prekur nga mëshira e Atit dhe ka qenë në gjendje të prodhojë “verë”, e bën të dukshëm “lëngun” që e ka përshkuar, pikërisht sepse jeton atë lloj jete, që është bashkim e që e përfshin edhe tjetrin:

         “Nëse kalon përmes nesh kjo jetë e Zotit, njeriu është i aftë të mbartë frytin që mbetet, është i aftë ta mbështjellë punën e vet me dashurinë që mbetet në amshim, sepse kthehet tek Ati: njeriu mund të bëjë të dukshëm vetëm humanitetin e tij hyjnor në Krishtin”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.