2016-02-22 18:41:00

Atë Lombardi përfundon shërbimin pranë Radio Vatikanit. Vijon reforma e mediave të Selisë së Shenjtë


Atë Lombardi përfundon shërbimin pranë Radio Vatikanit si drejtor i përgjithshëm. Vijon reforma e mediave të Selisë së Shenjtë. Lidhur me përfundimin e shërbimit pranë Radio Vatikanit të Drejtorit të Përgjithshëm, Atë Federico Lombardi dhe të Drejtorit Administrativ, doktor Alberto Gasbarri, në fund të shkurtit, Prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin, imzot Dario Viganò - sapo mori njoftimin e Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë – emëroi ad interim, që nga 1 marsi i ardhshëm, doktor Giacomo Ghisani-n, përfaqësues juridik dhe përgjegjës i drejtimit administrativ të Radio Vatikanit, që të kujdeset për administrimin e zakonshëm të Radio Vatikanit në rrethanat aktuale të ristrukturimit të mediave vatikanase.

Atë Federico Lombardi largohet nga “Radioja e Papës”, pas 26 vjet shërbimi të jashtëzakonshëm. Erdhi në Radio Vatikan pranë Pallatit Pio në vitin 1990, si drejtor i programeve, ndërsa më 2005 u emërua drejtor i përgjithshëm. Ndërmjet këtyre dy datave – kujtojmë ne - shtegtoi pas tre Papëve në mbarë botën. Ndërmjet tjerash, shoqëroi Papën Gjon Pali II në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe Papën Françesku, më 21 shtator 2014 në Tiranë, duke i përcjellë botës mbresat e tij jashtëzakonisht prekëse për Kombin, Popullin dhe Kishën shqiptar e, sidomos, për martirët e shumtë të kësaj toke, rënë për ideale jashtëzakonisht të shenjta e fisnike, si dashuria për njeriun, për lirinë, për fenë!.

Me rastin e këtij vendimi, Sekretaria  e re e Selisë së Shenjtë për Komunikimin botoi një notë të posaçme, që po e përmbledhim më poshtë:

“Vijon procesi i unifikimit të mediave të Vatikanit, shkruhet në notë, në vijë me Motu proprio të Françeskut që, më 27 qershorin e kaluar themelonte Sekretarinë për Komunikimin, me qëllim që të gjitha realitetet që merren me komunikimin “të bashkoheshin në një Dikaster të ri të Kuries Romake”: bëhet fjalë për Këshillin Papnor të Komunikimeve Shoqërore, Sallën e Shtypit të Selisë Shenjtë, Shërbimin e Internetit Vatikanas, Radio Vatikanin, Qendrën Televizive të Vatikanit, gazetën L’Osservatore Romano, Tipografinë vatikanase, Shërbimin Fotografik, Shtypshkronjën Vatikanase. Që më 1 janarin e kaluar Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore dhe Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë janë realitete tashmë të bashkuara në këndvështrimin administrativ e të atë të menaxhimit. Ndërsa “nuk modifikohet asgjë rreth komptencës së Sekretarisë së Shtetit, përsa i përket komunikimit institucional”. Në vitin 2016, lexohet në një notë të dikasterit, kryesuar nga imzot Dario Viganò, sipas planit të paraqitur e të miratuar, parashikohet puna e ndërlikuar, por sigurisht pozitive, e bashkimit të Radio Vatikanit dhe Qendrës televizive vatikanase (Ctv), unifikim pjesërisht i nisur në praktikë për disa shërbime. Nota kujton, për shembull, shërbimin e ceremonive, për prodhimin dhe shpërndarjen e audio-ve dhe të video-ve të ceremonive papnore dhe të ngjarjeve të tjera të rëndësishme vatikanase si dhe për përdorimin më të mirë të burimeve njerëzore.

Në këtë kuadër, vijon Komunikata, kuptohet edhe arsyeja për të cilën dalja - në fund të muajit shkurt - për arsye të përfundimit të mandateve pesëvjeçare dhe të daljes në pension të dy figurave drejtuese, drejtori i përgjithshëm, atë Federico Lombardi dhe drejtori administrativ, Alberto Gasbarri “nuk mendohet të zëvendësohen me figura të njëjta drejtuese, por me emërimin e një përfaqësuesi ligjor dhe drejtuesi të zyrës administrative, me një figurë të vetme, atë të doktor Giacomo Ghisani-t, aktualisht zëvendës-drejtor i drejtorisë së përgjithshme të Sekretarisë për Komunikimin dhe njohës i mirë i realitetit të Radio Vatikanit, mbasi ka punuar shumë vjet si përgjegjës i zyrës ligjore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Vihet në dukje akoma se procesi i ristrukturimit shoqërohet edhe me formulimin e  statuteve të reja, jo vetëm të dikasterit, por edhe të Enteve të lidhura me të, që do të garantojë përfaqësinë ligjore si në selitë institucionale, ashtu edhe në ato evropiane e ndërkombëtare. Përveç “Statuteve” të reja - njofton nota - do të mendohet edhe për riformulimin e tabelave organike të realitetit të ri të unifikuar. Puna, që na pret - lexohet akoma - është rast i mirë për t’i rivlerësuar, në të dyja Entet, zonat që kanë më shumë epërsi si dhe pasurinë, që krijohet nga përdorimi i shumë gjuhëve dhe i shumë kulturave. Në këtë fazë, njofton Sekretaria për Komunikimin, Ctv do të vijojë të ketë në krye të administrimit të zakonshëm, Stefano d’Agostinin.

Personeli i Radio Vatikanit, përveç doktor Giacomo Ghisani-t për çështjet administrative, përsa i përket veprimtarisë së redaksive dhe situatës në redaksitë e ndryshme gjuhësore (domethënë drejtimit të Programeve) do t’i drejtohet atë Andrezej Majewskit, ndërsa për aspektet teknologjike, përfshirë edhe blerjet dhe zhvillimin e projekteve (domethënë veprimtaritë dhe kompetencat e drejtimit të sotëm teknik) inxhinier Sandro Piervenanzi-t.

Sekretaria për Komunikimet, vijon nota, do ta ndjekë me kujdes e vëmendje këtë proces, për të gjetur rrugëzgjidhje në rast vështirësish të mundshme e për të garantuar suksesin.  








All the contents on this site are copyrighted ©.