2016-02-21 14:55:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: shtegtimi në Meksikë, përvojë shndërrimi


E diela e dytë e Kreshmëve na paraqet Ungjillin e Shndërrimit të Jezusit. Këtë kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot e, në vijim, bëri përsëri thirrje kundër dënimit me vdekje dhe kujtoi shtegtimin e tij apostolik në Meksikë.

“Shtegtimi apostolik, që bëra këto ditë në Meksikë, ishte për ne të gjithë përvojë shndërrimi. E si kështu? Zoti na dëftoi dritën e lumnisë përmes korpit të Kishës së Tij, të popullit të Tij shenjt, që jeton në këtë tokë”.

Një korp - kujtoi - i plagosur shumë herë, i shtypur, i poshtëruar, i dhunuar në dinjitetin e tij:

“Në  fakt, takimet e ndryshme, të jetuara në Meksikë, ishin të gjitha përplot me dritë; me dritën e fesë, që shndërron fytyrat e ndriçon udhët”.

Një udhëtim - ky i Papës në Meksikë - që e pati bariqendrën shpirtërore  në shtegtimin tek Shenjtërorja e Zojës së Gudalupes:

“Të rrija në heshtje para figures së Nënës, ishte gjëja që e dëshiroja më shumë. E falënderoj Zotin, që ma plotësoi këtë dëshirë. E kundrova dhe e lashë të më shikonte. Atë, që i ka të vulosur ndër sy, sytë e gjithë bijve; e në zemër, dhimbjet për dhunën, rrëmbimet, vrasjet, dhunimin e shumë burrave e grave të varfëra”.

Njerëz nga e gjithë Amerika - shtoi Papa - shkojnë të luten atje, ku Zoja iu duk Shën Juan Diegos duke shënuar, me këtë dukje, fillimet e ungjillëzimit të Kontinentit. E ky është trashëgimi, që i dorëzoi Zoti Meksikës:

“Të ruajë pasurinë e larmive e, njëkohësisht, të manifestojë harmoninë e fesë së përbashkët, fesë së kulluar e të fortë, të shoqëruar me një ngarkesë të madhe gjallërie e humaniteti. Ashtu si paraardhësit e mi, edhe unë shkova për ta përforcuar fenë e popullit meksikan, por njëkohësisht, edhe për t’u përfocuar; i mbusha duart plot me këtë dhuratë, që të jetë në dobi të Kishës universale”.

Ati i Shenjtë kujtoi edhe se u prit me gëzim të madh nga familjet meksikane, që i dhanë dëshmi të pastra e të forta. Të njëjtën gjë, vijoi të pohojë, mund të them edhe për të rinjtë, për rregulltarët, për priftërinjtë, për punëtorët, për të burgosurit. E më pas u ndalua tek takimi në Kubë, me Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusisë, Kirill:

“Takim shumë i dëshiruar edhe nga paraardhësit e mi. Edhe kjo ngjarje e madhe është dritë profetike e Ngjalljes, për të cilën bota e sotme ka nevojë më shumë se kurrë. Nëna e Shenjtë e Zotit vijoftë të na prijë në udhën e unitetit”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se nesër, në Romë, do të mbahet një kuvëndim ndërkombëtar me temë “Për një botë pa dënime me vdekje”, organizuar nga Bashkësia e  Shën Egjidit. Një shenjë shprese - pohoi - është qëndrimi, gjithnjë më i përhapur, i opinionit publik kundër dënimit me vdekje:

“Në të vërtetë, shoqëritë moderne kanë mundësi ta dënojnë me sukses krimin, pa ia mohuar përfundimisht atij, që e kreu, mundësinë për t’u rikthyer në rrugë të drejtë. Problemi duhet inkuadruar në optikën e drejtësisë penale, e cila duhet të jetë gjithnjë më shumë në përkim me dinjitetin e njeriut e me planin e Zotit për njeriun dhe shoqërinë. Urdhërimi ‘mos vra!’ ka vlerë absolute si për të pafajshmin, ashtu edhe për fajtorin”.

Edhe krimineli - tha Papa duke bërë thirrje - ka të drejtë të paprekshme për të jetuar:

“I bëj thirrje ndërgjegjes së qeveritarëve të arrihet në një mirëkuptim ndërkombëtar për heqjen e dënimit me vdekje. E u propozoj gjithë katolikëve të bëjnë një gjest guximtar e shembullor: që asnjë dënim me vdekje të mos zbatohet në këtë Vit Shenjt të Mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.