2016-02-21 15:58:00

Në Sheshin e Shën Pjetrit u shpërndanë 40 mijë “Misericordine”


Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Papa ‘farmacist’ u shpërndau besimtarëve një ilaç shpirtëror. “Misericordin-nën”, që në shqip, ndoshta, mund ta përkthejmë “Përdëllesa”, ilaç i Mëshirës Hyjnore, për të shëruar shpirtin.

Misericordina ka pamjen e një kutie, që përdoret për të mbajtur ilaçet. E brenda ka pikërisht ‘ilaçe’, që të ndihmojnë për shërimin e shpirtit: një rruzare me 59 rruaza, një figure të Mëshirës Hyjnore e një fletëpalosje me këshillat për përdorim. Kit-i u shpërnda për herë të parë në nëntor 2013, në përfundim të Vitit të Fesë. E tani, para se “të varfërit e Papës” të nisnin shpërndarjen, Françesku u tha besimtarëve:

“Sot mendova t’ju dhuroj ju, që jeni në Shesh, një “ilaç shpirtëror” të quajtur Misericordina. E kemi bërë edhe një herë tjetër, por sot është me cilësi më të mirë: është Misericordina plus. Një kuti, që përmban Rruzaren dhe figuren e Jezusit të Mëshirshëm”.

Me këto fjalë Papa i njoftoi dhjetra mijëra besimtarët e mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit, për dhuratën, që më pas e shpërndanë të pastrehët dhe refugjatët, përkrah vullnetarëve e rregulltarëve. E papritur, kjo, nga besimtarët, që u larguan për në shtëpi me kutitë e vogla në dorë, si të gjitha kutitë e ilaçeve, që i marrim në farmaci. Po sot  i morën në ‘farmacinë’ e Papës.
Ilaçi, siç lexojmë në fletëpalosje, mjekon, me mëshirën e Zotit, shpirtin dhe zemrën e trazuar. Suksesi i tij garantohet nga fjalët e Jezusit. Përdoret kur dëshirojmë kthimin e mëkatarëve, kur kemi nevojë për ndihmë, kur na mungon forca për t’iu kundërvënë tundimit, kur nuk ia dalim mbanë të falim ndokënd, kur kërkojmë përdëllesë për njeriun, që jep shpirt e kur duam ta adhurojmë Zotin, për të gjitha hiret e Tij, në rrugën e gjatë e të trazuar të jetës. Mund të përdoret si nga fëmijët, ashtu edhe nga të rriturit, sa herë që kanë nevojë. Ilaçi përdoret kështu: thuhet Rruzarja e Mëshirës Hyjnore, e përhapur nga Shën Faustina Kovalska. Nuk ka asnjë rrezik të paparashikuar e asnjë pasojë të dëmshme. Sakramentet e shenjta ndihmojnë shumë për suksesin e përdorimit të ‘ilaçit’, lexojmë më në fund në fletëpalosjen, që e këshillon besimtarin edhe t’i drejtohet ndonjë meshtari, për informacione plotësuese e t’i ruajë shpjegimet, për t’i pasur, kur ta ndjejë përsëri nevojën e përdorimit të ‘ilaçit’. Kutitë, me emrin “Misericordine” janë prodhuar me mijëra, në katër gjuhë: italisht, spanjisht, anglisht e polonisht. Shpërndarja e ‘ilaçit’, realizuar edhe në Poloni, është nismë e imzot Konrad Krajevskit, lëmoshtar papnor. E kjo është hera e dytë!








All the contents on this site are copyrighted ©.