2016-02-19 11:24:00

Shenjtorët e javës 21-28 shkurt


Të dielën më 21 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 2-të të kohës liturgjike të Krezhmëve, që përgatisin e paraprijnë festën e Pashkëve. Po këtë ditë, kalendari liturgjik përkujton edhe shën Pier Damianin, ipeshkëv i Ostia-s, kardinal e doktor të Kishës dhe shën Germanin.

Të dielën e 2-të të Krezhmnëve, liturgjia e Fjalës së Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit, na kujton një moment teje të veçantë të jetës së Jezusit, shndërrimin e tij. Kjo ngjarje e ndriçon udhën krezhmore: pendesa e agjërimi që praktikojmë, kanë si qëllim ta shndërrojnë jetën tonë sipas shembullit të Jezusit.

Të hënën më 22 shkurt, Kisha katolike feston Katedrën e shën Pjetrit. Qëndrueshmëria e shtëpisë garantohet nga themelet. Duke ia besuar Kishën Pjetrit, Jezusi pranon se feja e Apostullit ishte e ndjerë, e vërtetë, e qëndrueshme. Shën Pjetri bëhet kështu garanti për fenë e të tjerëve, guri i këndit, që mban shtëpinë.

Të martën më 23 më shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Polikarpin, ipeshkëv e martir. Liturgjia e ditës na mëson se është e drejtë dëshira që ndjejnë të gjithë besimtarët për t’i shërbyer Krishtit, por nuk duhet të kemi pretendimin se jemi të vetmit, ose të parët që e bëjmë këtë.

Të mërkurën më 24 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Modestin. Liturgjia e ditës na thotë se është i lum ai që beson në Zotin dhe e lë veten në dorën e Tij. Kështu në jetë, të vegjlit u besohen të mëdhenjve, që duhet të kujdesen për ta e t’i shoqërojnë në rrugët e jetës, derisa të rriten.

Të enjten më 25 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Nestorin, ipeshkëv e martir e shën Çezarin. Në një fragment të Ungjillit u flitet bashkëshortëve, duke na kujtuar  të gjithëve planin e Zotit për të krijesat. “Njeriu të mos e ndajë atë që Zoti e bashkoi” tingëllon fraza e njohur e të gjitha martesave.

Të premten më 26 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Aleksandrin e shën Vitorin. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria e Zotit është e përjetshme. Ç ‘respekt tregon Jezusi për dinjitetin e fëmijëve dhe të drejtën e tyre për t’iu afruar Atij! Mbretëria e Zotit është vetëm për ata që do të bëhen si fëmijë, pra do ta lëshojnë krejtësisht vetveten në duart e Hyjit. Këtë na mëson Ungjilli i ditës

Të shtunën më 27 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. Feja e lutja ecin së bashku, na mësojnë leximet e kësaj dite. Jezusi u tregon dishepujve se pa lutjen nuk mund të arrihet asgjë, as shërimi nga sëmundjet.

Të dielën e ardhshme më 28 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të të Krezhmëve. Gjithnjë më 28 shkurt, kalendari përkujton edhe shën Romanin.








All the contents on this site are copyrighted ©.