2016-02-19 12:16:00

Biseda e Papës Françesku me gazetarët, në kthim nga Meksika


Papa Françesku e përfundoi shtegtimin apostolik në Meksikë. Dje, pak para orës 15.00, arriti në aeroportin Romë-Ciampino, pastaj, para se të rikthehej në Vatikan, u ndalua disa çaste për vizitën e zakonshme në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Akti i fundmë i shtegtimit, ishte takimi me gazetarët gjatë fluturimit të kthimit. Nuk u fol vetëm për Meksikën e për takimin me Patrikun Kirill. Të shumta, pyetjet; të rëndësishme, përgjigjet e Papës, i cili në përfundim falënderoi organizatorin e shtegtimeve papnore qysh në fillim të papnisë së Gjon Palit II, Alberto Gasbarrin, i cili, me shtegtimin e Meksikës, e përfundoi edhe shërbimin e  tij.

Çështja Maciel

“Një ipeshkëv, që ia ndërron famullinë një meshtari, kur bëhet fjalë për  raste të njohura pedofilie, është i papërgjegjshëm! E gjëja më e mirë, që mund të bëjë, është dorëheqja. Fjalëpakë e i prerë, Papa, që në fillim të takimit me gazetarët, kur, në spanjisht, iu drejtua pyetja për pedofilinë në Meksikë, në rastin Maciel, kreu i Legjinarëve të Krinjë tmerr i vërtetë, që akoma sot i trondit thellë ndërgjegjet e viktimave e shpesh herë, ishte pyetja, përfundon me transferimin e meshtarit fajtor, për dënim.

Guximi i Benediktit XVI kundër ndyrësive të Kishës

Papa shprehu haptas nderimin për paraardhësin e tij, Benediktin XVI, atë që, si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, e pati plotësisht në dorë rastin Maciel, duke e hetuar plotësisht. E ishte kardinali i asokoshëm Ratzinger që, vijoi të kujtonte Françesku, në Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe, dhjetë ditë pas vdekjes së Gjon Palit II, pati thënë se duheshin spastruar “porquerias”, pisllëqet e Kishës. E ishte Benedikti XVI, vijoi Françesku, ai burrë i guximshëm, që ndihmoi shumëkënd ta hapte këtë portë. Puna shkon përpara, siguroi Papa, duke kujtuar se ka vendosur të emërojë një sekretar të tretë   në Doktrinën e Fesë, që të merret posaçërisht me këto raste. Françesku falënderoi, më pas, Zotin  që “iu hoq kapaku kësaj tenexhereje”, e cila duhet të vijojë të mbetet pa kapak. “Është  tmerr edhe ta mendosh se një meshtar, i shuguruar për ta çuar fëmijën tek Zoti,  mund 'ta hajë atje', në një flijim djallëzor, ta shkatërrojë”.

Kush ndërton vetëm mure, nuk është i krishterë

Duke kaluar nga gjuha spanjolle, në atë italiane, Papa iu përgjigj çështjes së emigracionit, një nga pikat bazë të fushatës zgjedhore në SHBA, me kandidatin Trump i cili, përveçse e quajti Papën politikan, për qëndrimet tij ndaj emigrantëve, dha edhe njoftimin se do të marrë masa të rënda kundër tyre. Papa iu përgjigj duke cituar Aristotelin, sepse ishte filozofi i madh grek ai, që e pati quajtur njeriun: “kafshë politike” dhe shprehu mendimin se njeriu, i cili s’mendon tjetër, veçse të ndërtojë mure, e jo ura, nuk është i krishterë. Por, shtoi, duhet parë mirë nëse Trump e ka thënë me të vërtetë këtë!

Takimi me Kirillin dhe komentet e greko-latinëve

Françesku foli, më pas, për takimin dhe përqafimin me Kirillin në Kubë, për bisedën, që i bëri të lumtur të dy, e shtoi edhe se do të jetë shumë pranë Koncilit panortodoks të Kretës, me një mesazh e me lutje, që ortodoksët të ecin përpara. Prej këndej, pastaj, përgjigjja, ndoshta më e ndërlikuar e gjithë konferencës së shtypit: ajo mbi reagimet e lindura në gjirin e greko-katolikëve të Ukrainës, lidhur me Deklaratën e përbashkët, nënshkruar nga Papa e nga Patriku, e cila u shikua – pohoi gazetari francez, që bëri pyetjen – si “dokument politik, që mbështet politikën ruse”. Françesku shprehu shqetësimin për kritikat e bëra në Ukrainë nga ana e greko-katolikëve, që e paskeshin ndjerë veten “thellësisht të zhgënjyer e të tradhtuar” nga Dokumenti, e njëkohësisht ndihmoi për interpretimin e intervistës, me të cilën kryeipeshkvi i madh ukrainas, Sviatoslav Shevchuk, shprehu ndjenjat e popullit të vet. “Për ta kuptuar një deklaratë, duhet kërkuar hermeneutika e së tërës, tha: pra, nga njëra anë, aspekti dogmatik i deklaratave të kryeipeshkvit, në bashkim të plotë me Ipeshkvin e Romës, e nga ana tjetër, shprehja e ideve personale, që është e drejtë e secilit, për Deklaratën e përbashkët, e jo për takimin me Kirillin, saktësoi Françesku. Për dokumentin, vijoi të sqarojë Papa, mund të diskutohet, pa harruar luftën dhe vuajtjen e pësuar nga Ukraina, prej nga mund të kuptohet edhe ajo, që ndjen populli në këtë situatë. Marrëveshjet e Minskut shkojnë përpara, përsëriti Papa, “e nuk mund të shlyhet me brryl, çka u shkrua me dorë!”.

Bashkimet civile: Papa nuk ndërhyn, por mendon si Kisha

I prerë, Françesku, edhe kur pohoi se “Papa nuk pëzjehet në politikën italiane”, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi bashkimet civile, që po diskutohen në Parlamentin italian:

“Sepse Papa u përket të gjithëve e nuk mund të merret me një politikë konkrete, të brendshme, të një vendi: ky është roli i Papës! Këtë mendoj unë e këtë mendon edhe Kisha!”.

Ajo që thotë Katekizmi për njerëzit homoseksualë

Një parlamentar katolik, shtoi Françesku - duhet të votojë sipas ndërgjegjes së  tij të mirëformuar - duke pohuar, më pas, se të thuash “e mirëformuar”, është njëlloj si të thuash se mendimi i tij për njerëzit homoseksualë, është ai, që përmban Katekizmi i Kishës Katolike.

Aborti nuk është e keqja më e vogël, është krim

Lidhur me virusin Zika dhe rrezikun e grave shtatzëna, që i nxiti disa autoritete të propozojnë abortin ose ta shmangin shtatzaninë, Françesku përsërit me forcë ç’e shtyn Kishën të mos e marrë parasysh konceptin e “së keqes më të vogël”:

“Aborti nuk është e keqja më e vogël, është krim! Është të zhdukësh njërin, për të shpëtuar tjetrin. Aborti është e keqe absolute”.

Nuk duhet ngatërruar, vijoi, e keqja e shmangies së shtatzanisë, me abortin”. Aborti nuk është problem teologjik: është problem njerëzor, problem mjekësor. Mbytet një njeri, për të shpëtuar tjetrin, në rastin më të mirë:

“Është e keqe në vetvete, por jo e keqe fetare, fillimisht, jo, është e keqe njerëzore:

“Ta shmangësh shtatzaninë nuk është ‘e keqe absolute’, vijoi Papa, duke kujtuar udhëzimet e Palit VI për rastet e dhunës, siç ishte, për shembull, rasti i disa regulltareve në Afrikë, që u autorizuan të përdorin kontraceptivet”.

Të mos shpërdorohet kultura dhe historia e Evropës

Duke marrë shtytjen nga pyetja lidhur me çmimin e rëndësishëm “Karli i Madh”, që do t’i dorëzohet pas pak javësh, Françesku uroi atë, që ai e quan rithemelim i Bashkimit Evropian:

“Sepse Evropa nuk është i vetmi kontinent në botë, por ka një forcë, një kulturë, një histori, e cila nuk mund të shkapërderdhet e duhet të bëjmë gjithçka mund të bëhet që Bashkimi Evropian të ketë forcë e edhe frymëzim për të ecur përpara”.

Të integrohen në jetën e Kishës familjet e plagosura

Duke folur për familjen, për të divorcuarit e të rimartuarit, Françseku kujtoi se dokumenti pas-sinodal, që do të dalë së shpejti, ndoshta para Pashkëve, do të ketë gjithçka u tha në Sinod; e veç kësaj, shpjegoi edhe rëndësinë themelore, që ka përgatitja për martesë dhe për edukimin e fëmijëve, të cilët janë viktima të problemeve të familjes, edhe kur këto probleme lindin për shkaqe të jashtme, siç është, për shembull, nevoja për punë. Françesku kujtoi, pastaj, takimin me familjet në Tuxtla, për të ripohuar rëndësinë e integrimit të familjeve të plagosura e të familjeve të rimartuara në jetën e Kishës, gjë që nuk do të thotë se mund edhe të kungohen: “Kjo do t’u hapte plagë edhe martesave, çifteve, sepse nuk do t’u krijonte kushte për ta përshkuar gjithë rrugën e nevojshme të intregrimit”.

Miqësia e një prifti me një grua

Miqësia e një prifti me një grua nuk është mëkat, vijoi Papa, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e pikërisht pyetjes lidhur me miqësinë dhe letërkëmbimin e Gjon Palit II me filozofen amerikane Anna Tymieniecka. “Burri, që nuk di të ketë marrëdhënie miqësie me një grua, është burrë, që e ka diçka mangut”, kujtoi Papa:

“Miqësia me një grua nuk është mëkat, është thjesht miqësi. Mëkat janë marrëdhëniet dashurore me një grua, që nuk është gruaja jote. Papa është njeri, Papa ka nevojë për mendimin e grave. E edhe Papa e ka një zemër, që mund të ketë miqësi të shëndoshë, shenjte, me një grua”.

Dëshira për të shkuar në Kinë e për të takuar Imamin e al Azhar

Në përfundim Papa kujtoi dëshirën për t’u takuar me imamin e al Azharit, për të shkuar në Kinë, e, pastaj, për të ripërshkuar pasurinë, historinë, gëzimin e edhe fenë e popullit meksikan, që duhet kuptuar përmes “faktit Guadalupe”. Zoja është aty, tha Papa, i cili u lut shumë para Saj. U lut për botën, për të kërkuar paqen:

“I  kërkova falje, i kërkova që Kisha të rritet e shëndetshme, i kërkova hire për popullin meksikan: e gjëja, të cilën ia kërkova më shumë, ishte që priftërinjtë të jenë priftërinj të vërtetë; murgeshat, murga të vërteta e ipeshkvijtë, ipeshkvij të vërtetë, ashtu si i do Zoti”.

E gjithçka tjetër, është sekret, përfundoi Papa, ashtu si gjërat, që biri ia thotë Nënës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.