2016-02-19 12:20:00

Atë Spadaro: Papa i rijep vlerë frymës popullore të Meksikës


Papa në Meksikë u prit në mënyrë të jashtëzakonshme nga një popull, që i shprehu nderimin e dashurinë më të madhe. Po cili është mesazhi, që u la  njerëzve të këtij vendi të madh latinoamerikan? Pyetëm drejtorin e revistës “Civiltà Cattolica”(Qytetërimi Katolik), atë Antonio Spadaron S.I., që e shoqëroi Françeskun gjatë gjithë shtegtimit:

Përgjigje: - Mesazhi i Papës synon ta hapë këtë shoqëri, e cila nganjëherë vuan me durim, ose jeton e shtypur nën barrën e tensioneve, që lidhen me dhunën, me trafikun e drogës ose me mungesën e çdo shprese për të rinjtë. E atëherë, Papa thotë: “Të rinjtë nuk janë vetëm shpresa e shoqërisë dhe e Kishës, por janë edhe pasuria e saj”. Interesant edhe fakti që Papa kujton  urtinë stërgjyshore të Meksikës, të pasur me gjuhë e kultura të ndryshme, për t’u vlerësuar - domethënë urtinë e paraardhësve të lashtë, e nga ana tjetër thotë se shoqëria duhet të krijojë mundësi për t’u zhvilluar, sepse përndryshe kjo pasuri, kjo aftësi, që e bën pasurinë të japë fryt, avullohet. Atëherë mund të themi se është mesazh i madh feje, mesazh besimi në Zotin Jezus, që është në gjendje ta shpëtojë popullin, ta shpëtojë shoqërinë që jeton në kushte të vështira e, njëkohësisht, edhe vlerësim  i energjisë shpirtërore të popullit të Meksikës, vlerësim i mënyrës meksikane të jetesës, siç e quajti vetë Papa.

Pyetje: - Në qendër të vëmendjes mbetet edhe Zoja e Guadalupes, pikë referimi për të gjithë meksikanët, besimtarë e jo besimtarë…

Përgjigje: - Po t’i vërejmë me kujdes tre shtegtimet e Papës Françesku në muajt e fundit: në Kubë, SHBA e Meksikë, do të kujtohemi menjëherë se pika që i bashkon është pikërisht devocioni marian: Zoja e Kobres në Kubë, Zoja e Papërlyer në Washington e Zoja e Guadalupes, që është Pajtore e Amerikës.  Ajo që ka më shumë rëndësi, është mënyra si e shikon Papa Zojën e Gudalupes, e sidomos, mënyra sesi në Të, apo më saktë në sytë e saj, shikon pasqyrimin e popullit. Është populli, që pasyrohet në sytë e Zojës. Nëse e shikon me vëmendje figuren, sidomos me mikroskop, pikërisht në bebet e syve të Zojës mund të vëresh një skenë me njerëzit, që  janë para saj. Atëherë, kjo lidhje bijnore me Marinë, jeton  nga fakti se në sytë e saj  mund të pasqyrohet vetë populli, mund të njihet populli.

Pyetje: - Sipas jush, a shërben ky shtegtim edhe për ta inkurajuar Kishën meksikane, që të bëhet më guximtare?

Përgjigje: - Natyrisht Papa Françesku e nxiti shumë Kishën vendase, me fjalët e  tij, por edhe me kushtimin, që gjeta në seminarin e Ecatepec. Në këtë seminar Papa nënshkroi këtë kushtim: “Uroj të jeni barinj të popullit besnik të Zotit, e jo klerikë të Shtetit”. E këtë ua përsëriti edhe një herë rregulltarëve. E me këtë deshi t’u thoshte: kujdes, sepse Kisha rrezikohet të mos e luajë rolin, nëse mbyllet brenda vetvetes, nëse kërkon privilegjet e saj, të drejtat e saj, duke u bërë, në një farë mënyre, burokraci. Atëhere, jo! Këtu është e nevojshme një pjesëmarrje e thellë popullore. Lidhur me këtë Papa ishte plotësisht i qartë. Prej këndej, është sfidë e madhe për Kishën, për shoqërinë civile e, sigurisht, për rolin që luan Kisha në gjirin e shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.