2016-02-18 13:44:00

Papa në kufirin SHBA-Meksikë: kurrë më njerëz si mish për top


Papa Françesku e përfundoi udhëtimin e tij apostolik në Meksikë e sot u kthye në Romë. Etapa e fundit e vizitës së tij, ishte mesha në Ciudad Juarez, vetëm 80 metra larg kufirit me SHBA-të, ku lartohet rrjeta kundër emigracionit. Para qindra mijëra vetëve, nga të dyja anët e këtij muri, Ati i Shenjtë ngriti zërin me forcë “Kurrë më vdekje e shfrytëzim!” për të gjithë ata, që kërkojnë shpresë përtej kufirit, shpesh, duke u bërë “mish për top”.

Besimtarët në meshën e Papës, edhe përtej rrjetit amerikan

Për disa orë, Meksika dhe SHBA-të u bënë një gjë e vetme. Në Ciudad Juarez, një nga qytetet më të dhunshme të botës, ku trafiku i njerëzve lidhet me atë të drogës, ku mijëra vetë humbin jetën në përpjekjen për të kaluar kufirin e për të hyrë në El Paso, në SHBA-të, besimtarët u mblodhën rreth Papës, si nga njëra, ashtu edhe nga ana tjetër e rrjetës. E aty ishin edhe ipeshkvijtë amerikanë, 80 metra larg podiumit të vogël të gjelbërt me sfond të bardhë, ku Papa kremtoi shpresën dhe fitoren e jetës mbi vdekjen.

Mikpritje e ngrohtë e lutje nën Kryqin e madh

Ati i Shenjtë Bergoglio u prit me gëzim e dashuri nga njerëzit, që e shoqëruan gjatë gjithë etapave të këtij shtegtimi meksikan. Ngjyrat papnore shiheshin qartë e mbizotëronin, të ngatërruara me rërën, shkurret e shkëmbijtë, që karakterizojnë këtë qytet, në kufi me lumin Rio Grande, i cili në këtë pjesë rrjedh shtruar, i detyruar të kalojë në një shtrat bërë nga dora e njeriut. Pak para meshës, Françesku shkoi të lutet në Kryqin e drunjtë, vendosur në kufi e pastaj, ngriti zërin:

Kurrë më vdekje e shfrytëzim

“Kurrë më vdekje e shfrytëzim! Ka gjithnjë kohë për të ndryshuar, ka gjithmonë një rrugëdalje e një mundësi, ka gjithmonë kohë për t’iu lutur Atit Qiellor të ketë mëshirë”.

Papa vetë iu lut Zotit për dhuratën e kthimit të shpirtrave, për një zemër të hapur, për dhuratën e lotëve, që pas tyre, sytë të mund të shohin qartë:

“Janë lotët, që mund ta hapin rrugën e shndërrimit; janë lotët, që mund ta zbusin zemrën; janë lotët, që mund ta pastrojnë vështrimin e të na ndihmojnë të shohim spiralen e mëkatit, në të cilin, shpesh, mbetemi të zhytur”.

Mungesë ligjesh, që shtypin gjithnjë e më tepër të varfërit

Papa vetë e hodhi vështrimin mbi dramën e emigracionit për shkak të krizave humanitare, foli për ata që kërkojnë shpresë, duke ecur në këmbë me qindra kilometra, nëpër male, shkretëtira e rrugë të rrezikshme, pastaj vuri në dukje mungesën e ligjeve, drogën, shfrytëzimin e rrjetin e gjerë, që përfiton nga nevoja, brishtësia e të varfërve, të cilët i shtyp gjithmonë:

Mish për top

“Padrejtësi, që radikalizohet ndër të rinjtë: ata, si mish për top, persekutohen e kërcënohen, kur përpiqen të dalin nga spiralja e dhunës dhe nga ferri i drogës”.

 “E ç’duhet të themi për shumë gra – shtoi Papa – të cilave u është marrë padrejtësisht jeta?”. Ati i Shenjtë iu referua zhdukjes së sa e sa grave, zakonisht të varfëra, që punojnë në fabrikat (“maquiladoras”), ku prodhohen mallra për t’u shitur në perëndim. E ky fenomen, që filloi në vitin 1993 vijon edhe sot, i pacënuar. Papa preku zemrat e besimtarëve e lotët u rridhnin faqeve shumicës prej tyre, ndërsa Françesku fliste për njerëzimin e shtypur në këtë qytet, por edhe në vende të tjera kufitare nëpër botë:

“Një kalim, një rrugë e ngarkuar me padrejtësi të tmerrshme: të skllavëruar, të sekuestruar, të grabitur, shumë prej këtyre vëllezërve tanë janë objekt tregtie në këtë trafik njerëzish”.

Kthim kah Zoti e mëshirë: këto, rrugët e shpëtimit

Në Vitin Jubilar të Mëshirës, Ati i Shenjtë u tha meksikanëve se mund të dalin nga kjo spirale dhune përmes kthimit në udhën e Zotit, përmes mëshirës. Papa lavdëroi punën e shumë organizatave në favor të të drejtave të emigrantëve, në të cilat impenjohen edhe njerëz të Kishës. Ata, vuri në dukje Bergoglio, e mbrojnë jetën, duke vënë në rrezik jetën e tyre:

“Me jetën e tyre janë profetë të mëshirës, janë zemra, që kuptojnë dhe këmbë, që shoqërojnë Kishën, e cila i hap krahët dhe mbështet e përkrah njerëzit”.

Të rinjtë, shpresa e Meksikës

Në përshëndetjen përfundimtare, Papa foli për vlerën e të rinjve, që janë shpresa e popullit meksikan, duke nënvizuar se, edhe kur nata na duket tepër e gjatë e shumë e errët, ka drita, që lajmërojnë shpresën. Pastaj, para lutjes për Virgjërën e Guadalupes, ndërsa mijëra tullumbace bardh e verdh fluturonin në qiell nga kufiri meksikan në atë amerikan, Ati i Shenjtë iu referua teknologjive të reja:

“Mund të lutemi, të këndojmë e të festojmë dashurinë e mëshirshme, që na dhuron Zoti e që asnjë kufi nuk mund të na pengojë ta ndajmë së bashku”.








All the contents on this site are copyrighted ©.