2016-02-18 15:22:00

Ipeshkvijtë e SHBA me Papën: feja është më e fortë se muret


“Bota është tepër shpesh e ndarë për shkak të kulturës, të kushteve ekonomike, politike e edhe për shkak të mureve, të perdeve të hekurta, por Papa na përcjell mesazhin se feja jonë e dashuria për Jezusin, janë më të fuqishme se gjithçka, që mund të na ndajë”. Këtë pohon kryetari i Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve(Usccb), imzot Joseph Edward Kurtz, duke folur për vizitën e Papës në Ciudad Juárez, në kufi me SHBA-të, udhëkryq dramatik i dyndjes së emigrantëve nga mbarë Kontinenti.

Një Kishë e vetme

Prelati, dje në mes të 300 besimtarëve nga SHBA-të, të cilët ndoqën kremtimin e Papës në Ciudad Juárez, nga El Paso, gjatë vijës së kufirit ndërmjet dy vendeve, i ftoi besimtarët të luten së bashku si “një Kishë e vetme”. Papa, nënvizon imzot Kurtz, “na fton t’i shikojmë vëllezërit e motrat tona, në veri e në jug, si shokë udhe në shtegtimin drejt Krishtit. E ndjemë këtë bashkim të thellë e këtë ndjesi solidariteti, posaçërisht kur Papa u lut në kufi për ata, që kanë lënë këtu jetën, në përpjekjen për të kaluar mbatanë”.

Sot Kisha vendase ka një trashëgimi të çmuar kulturore

Për kryetarin e ipeshkvijve amerikanë, “secila nga Kishat sjell një trashëgimi të veçantë kulturore”, të cilën Papa Françesku e përshkroi si “burime që meritojnë të ndahen bashkë”. Në këtë kuptim, pohon, vizita është një mundësi tjetër për të mësuar ta ndajmë bashkë gjithë këtë larmi, ndërsa njëkohësisht na kujtohet se jemi një Kishë e vetme në Amerikë. Feja jonë na bashkon në të vetmin Korp të Krishtit, nën mbrojtjen amtare të Zojës sonë të Gudalupes.

Dy ipeshkvij nga SHBA-të, në Meksikë për vizitën e Papës

Për vizitën e Papës në Meksikë, Konferenca ipeshkvnore e SHBA-ve dërgoi, si përfaqësues, dy ipeshkvij, që drejtojnë dy dioqeza në kufirin me vendin laltino-amerikan: imzot Daniel E. Flores, ipeshkëv i Brownsville, në Texas, dhe imzot Oscar Cantù, ipeshkëv i Las Cruces, në New Mexico.

Faqja e internetit e Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve botoi fotografitë  e ipeshkvijve, që e ndoqën në El Paso, Meshën shenjte, kremtuar nga Françesku në Ciudad Juárez,  përtej murit, që ndan dy vendet. Simbol i fuqishëm bashkimi në Krishtin, kjo Meshë!








All the contents on this site are copyrighted ©.