2016-02-18 17:39:00

Atë Lello Lanzilli: populli i Zotit është protagonist në Kishë


Sinodi për një bashkëpunim më të madh ndërmjet organizmit kishtar e besimtarëve. 

Nga data 6 deri më 9 shkurt, në Vatikan, u mbajtën punimet e një Seminari studimi, me titull “50 vjet pas Apostolica Sollicitudo. Sinodi i Ipeshkvijve në shërbim të një Kishe Sinodale”. Në Seminarin, mbajtur në Vatikan e promovuar nga Sekretaria e përgjithshme e organizmit të prelatëve (Sinodit të ipeshkvijve), morën pjesë shumë ekspertë, profesorë të ekleziologjisë e të së drejtës kanonike nga Universitetet dhe Fakultetet e ndryshme kishtare të botës. Qëllimi i takimit ishte thellimi i fjalimit të Papës Françesku, shqiptuar më 17 tetorin e vitit 2015, me rastin e përkujtimit të 50-të vjetorit të themelimit të Sinodit të Ipeshkvijve nga i Lumi Papa Pali VI. Sinodi i ipeshkvijve bisedoi me profesorë mbi tema si sinodaliteti, kolegjialiteti e populli i Zotit në Kishë, për një bashkëpunim e afrim më të madh.

Pra, u fol për një përfshirje sa më masive të “popullit të Zotit” në jetën dhe veprimtarinë e Kishës, në sinodin e ipeshkvijve, si në “parapërgatitje”, me një këshillim të “përhershëm” të besimtarëve, siç ndodhi me pyetësorin që iu dërgua të gjitha kishave famullitare para asamblesë së jashtëzakonshme mbi familjen më 2014, e po kështu edhe me një “dëgjim e përfshirje më të madhe të besimtarëve”, që marrin pjesë në punimet e asambleve, megjithëse ata nuk e kanë të drejtën e votimit.

Sot ndjehet nevoja e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Kishës, ndërmjet klerit dhe popullit të Zotit, ndërmjet organizmit të ipeshkvijve (Sinodit) dhe besimtarëve, që do të shërbente pastaj edhe për zbatimin e mëtejshëm të vendimeve, që dalin nga sinodet, në përkim me situatat e ndryshme shoqëroro-kulturore të realiteteve vendore. Kështu u tha mes tjerash, në Seminarin e mbajtur nga data 6 deri më 9 shkurt, në të cilin u shqyrtua tema e sinodalitetit, kolegjialitetit dhe popullit të Zotit. Në këtë takim mori pjesë edhe jezuiti Atë Lello Lanzilli, me të cilin biseduam mbi përmbajtjen dhe domethënien e këtij Seminari. Në mikrofonin e Klaudia Bumçit flet jezuiti Atë Lello Lanzilli, ta dëgjojmë... 








All the contents on this site are copyrighted ©.