2016-02-17 15:01:00

Papa: të burgosurve, çojeni kokën lart e punoni për lirinë tuaj


Pak para përfundimit të shtegtimit në Meksikë, Papa u ndalua në burgut pranë Qendrës për Rehabilitimin Shoqëror n.3, burg i Shtetit Chihuahua, ku vuajnë dënimin rreth 3 mijë vetë. U foli pikërisht për  rolin e burgjeve e, sidomos, të Mëshirës hyjnore në jetën e njeriut, duke jetuar, kështu, me ta, disa çaste prekëse të Jubileut të Mëshirës.

Nuk mund të nisesha, theksoi, duke u drejtuar fjalën të burgosurve, pa e kremtuar Jubileun e Mëshirës me ju:

“Gjatë shtegtimit tim në Afrikë, në qytetin e Bangui, munda të hap Portën Shenjte të mëshirës për mbarë botën. Sot, për ju e me ju, dëshiroj të ripohoj edhe një herë besimin me të cilin Jezusi na inkurajon, duke na siguruar se mëshira i pushton të gjithë, në të katër skajet e tokës. Nuk ka vend, ku të mos arrijë mëshira e Tij, nuk ka skutë as njeri, që të mos e prekë”.

E të kremtosh Jubileun e Mëshirës me ju, shtoi Papa, do të thotë të kujtosh se duhet të nisësh menjëherë udhën, për t’i dhënë fund dhunës e kriminalitetit. Gjë që, vijoi të kujtojë, nuk mund të realizohet duke izoluar, duke ndarë, duke burgosur, sepse këto mjete nuk mund t’i zgjidhin problemet. Shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë jeta e njerëzve, e familjeve, e atyre, që vuajnë nga rrethi veskeq i dhunës. Mëshira hyjnore na kujton se burgjet janë simptomë, që tregon sesi është vetë shoqëria; në shumë raste, janë simptomë e heshtjeve edhe e përjashtimeve, shkaktuar nga kultura e hedhurinës. Janë simptomë e një kulture, që ka pushuar s’e vlerësuari jetën e shoqërisë, që i ka braktisur bijtë e vet:

“Ndërsa mëshira, shtoi Papa, na kujton se rikthimi në radhët e shoqërisë nuk nis ndërmjet këtyre mureve. Nis së pari jashtë, në udhët e qytetit, duke krijuar një sistem të shëndetshëm shoqëror në lagjet, shkollat, sheshet, udhët, banesat, në të gjithë spektrin shoqëror. Sistem shëndeti shoqëror, që lind kulturën e parandalimit të këtyre situatave, të këtyre udhëve, të cilat e plagosin indin e shoqërisë”.

Problemi i sigurisë nuk zgjidhet vetëm duke burgosur, por është thirrje. Kërkon ndërhyrje për të përballuar shkaqet strukturore e kulturore të pasigurisë, që godasin mbarë sistemin shoqëror.

E këtu, Papa nuk mund të mos kujtonte shqetësimin e Jezusit për të uriturit, të eturit, të pastrehët e të burgosurit (Mt 25,34-40), shprehje e mëshirës së thellë të Atit, sot imperativ moral i asaj shoqërie, e cila dëshiron të krijojë kushtet e nevojshme për pëmirësimin e bashkëjetesës:

“Në aftësinë e një shoqërie për t’i përfshirë në radhët e saj të varfërit, të sëmurët, të burgosurit, duket edhe aftësia e saj për të shëruar plagët e për të krijuar bashkëjetesën e vërtetë. E përfshirja në radhët e shoqërisë nis me ndjekjen e shkollës nga të gjithë bijtë tanë, me punën e denjë për familjet, me krijimin e hapësirave publike për kohën e lirë, me shërbimet shëndetësore e shërbimet e bazës, për të kujtuar vetëm disa nga masat, që duhen marrë”.

Ta kremtosh Jubileun e Mëshirës me ju, vijoi Papa, do të thotë të mos mbetesh i burgosur në të kaluarën, në të djeshmen, por të hapësh portën e ardhmërisë, të së nesërmes: do të thotë të besosh se punët mund të ndryshojnë. Të kremtosh Jubileun me ju, do të thotë t’ju ftosh ta ngreni kokën lart e të punoni për të fituar hapësirën e dëshiruar të lirisë.

Më pas, si u ndalua tek gjendja shpirtërore e të burgosurve, duke  dëshmuar se e njeh fare mirë rënien e tyre, pendimin, vetminë, dëshirën për t’u rikthyer në jetë, Papa i ftoi t’u flasin të dashurve, t’u tregojnë përvojën, t’i ndihmojnë për ta frenuar rrethin veskeq të dhunës e të përjashtimit. Kush ka vuajtur, theksoi, mund të bëhet profet në shoqëri. E të japë një ndihmesë të madhe në gjirin e kësaj shoqërie, që përdor e hedh, për të mos vijuar të mbjellë viktima.

Këto, fjalët inkurajuese të Papës drejtuar të burgosurve, për të inkuarjuar, më pas, edhe personelin, që punon në këtë Qendër, ose në të tjera, si kjo.

Para se t’ju jap bekimin, u tha Françesku të pranishëmve, do të më pëlqente të luteshim një çast në heshtje. Secili t’i lypë Zotit, nga thellësia e zemrës,  ndihmën për të besuar në Mëshirën e Tij. E, në përfundim, kërkesa tashmë tradicionale e Papës: “Mos harroni të luteni për mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.