2016-02-17 19:02:00

Papa në Meksikë, fjalë në favor të më të fundmëve


Njohje epokale për baritorinë e indiosve

“Fjalët, që u tha Papa bashkësive indios në Chiapas marrin kuptim epokal”. Kështu nënvizon përgjegjësi i Zyrës për baritorinë e emigrantëve në dioqezën e Milanos, don Alberto Vitali, autor i librit “Ipeshkvi i Chiapas. Jeta e Samuel Ruiz, që e thërrisnin Tatic”, me Shtëpi Botuese EMI-n. “Që nga kohët e Koncilit – shpjegon meshtari në mikrofonin e Radio Vatikanit – filloi reflektimi mbi fajet historike ndaj indiosve, jo vetëm të popujve kolonizatorë, por edhe të Kishës. Përballë shembujve të meshtarëve, që kanë marrë anën e popullsive autoktone, si Bartolomé de Las Casas, ka pasur edhe një lloj mendimi e pretendimi evropian, që i konsideronte indiosit, të paaftë ta kuptonin kumtin e Ungjillit”. Meshtarët e paktë indios, që u shuguruan fillimisht, shpesh i detyronin të hiqnin dorë nga kultura e tyre, në favor të asaj evropiane. “Ndërsa, gjatë viteve të fundit – shton don Vitali – sidomos pas konferencës së Medellin (1968), disa kisha lokale, si ajo e San Cristòbal de Las Casas e ipeshkvit Samuel Ruiz, promovuan një baritori të vërtetë indigjene e jo indigjeniste, për të cilën popujt autoktonë konsiderohen ‘subjekte’ të fesë. Fakti që Papa, sot, e rehabiliton kulturën e tyre dhe u kërkon falje indiosve, përbën njohjen e kësaj rruge dhe të mandatit të tyre si dëshmitarë të Ungjillit në botë”.

Denoncim për t’u ridhënë dinjitet viktimave

“Fakti që Papa foli qartë për trafikun e drogës, korrupsionin, nevojën e transparencës, përballë presidentit Nieto, është burim i madh shprese e ngushëllimi për popullin meksikan, i cili, sidomos gjatë dhjetë vjetëve të fundit, është sprovuar shumë nga dhuna”. Këtë kujton gazetarja Lucia Capuzzi, eksperte e politikës amerikanolatine, që ndjek Papën Françesku në këtë udhëtim të 12-të apostolik, si e dërguar e gazetës kishtare italiane “Avvenire”. “Denoncimi, gjatë një takimi zyrtar, i korrupsionit, i trafikut të drogës, i përjashtimit të kulturave të ndryshme, i dhunës, i vdekjes, i trafikut të njerëzve dhe i sekuestrimeve, siç bëri Papa – shpjegon Capuzzi – do të thotë nxjerrja në plan të parë e luftës, që e ka karakterizuar historinë e Meksikës, së paku që prej 10 vjetësh, absolutisht të harruar nga mediat e nga politika ndërkombëtare. Këtu kanë vdekur mëse 200 mijë vetë, shumica civilë, të zënë në kurth nga dhuna ndërmjet organizatave të ndryshme kriminale, të famshmit ‘narcos’, me bashkëpunimin aktiv të ‘pjesëve të shtetit të korruptuar’. Rasti i 43 studentëve të Igualas, që policia ua dorëzoi narkotrafikantëve, të cilët i zhdukën, nuk është veçse maja e ajsbergut e një mekanizmi, që përsëritet shpesh në këtë vend”. “Kaq është e vërtetë – vijon gazetarja – sa gjëja e parë, që u thonë meksikanët atyre, që shkojnë në vendin e tyre është: ‘për çdo gjë mos iu drejto policisë’. Të flasësh për këto tema haptas, siç bën Papa, do të thotë të marrësh anën e viktimave, t’u thuash se nuk janë vetëm e t’u japësh dinjitet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.