2016-02-17 13:11:00

Papa, të rinjve: jeni pasuria e Meksikës. Krishti, shpresa juaj


“Të jesh i ri në Meksikë është pasuria më e madhe, e cila nuk mund të sakrifikohet”. Ishte i fuqishëm inkurajimi i Papës Françesku për rreth 100 mijë të rinjtë, që u mblodhën në stadiumin e Morelias, në Meksikë, ndërsa në Evropë afrohej mesnata. Ata kënduan, u mallëngjyen, kërcyen valle të bukura, u lutën e dëshmuan, e quajtën Atin e Shenjtë “vëlla e atë” e Papa, në përfundim të ditës së katërt të shtegtimit të tij apostolik, iu përgjigj lirshëm e pa letër etjes së tyre për vlera, familje, paqe e drejtësi. Një e vetme, fjala që u propozoi: Jezu Krishti.

Dëshmi e lutje për paqen në familje

Ati i Shenjtë Bergoglio pati para vetes një stadium të mbushur me tullumbace e me duar të ngritura lart për ta përshëndetur. Rresht e rresht, të gjithë flamujt e dioqezave, pastaj valle tradicionale e lëvizje me ngjyrat e fluturave të mëdha monarke, karakteristike për gjithë kontinentin amerikan, deri në lëshimin e tullumbaceve të bardha, që mbushën qiellin, së bashku me një kryq imponues, nën hijen e të cilit të rinjtë parashtruan problemet dhe shpresat e jetës së tyre. Dhuna, korrupsioni, trafiku i drogës, papunësia, edukimi i keq seksual dhe humbja e marrëdhënieve njerëzore të vërteta: këto, vështirësitë që u alternuan mbi podium, ndërsa flisnin të rinjtë, njëri pas tjetrit. Papa merrte shënim e dëgjonte aspiratat e tyre për familjen e paqen.

Të rinjtë, pasuria e Meksikës: Krishti, shpresa juaj

Nuk duam të kemi frikë, nuk duam t’i përshtatemi kësaj gjendjeje, duam të jemi “të rinj në dalje, siç na thoni ju”, pra të rinj që impenjohen në jetë. Por, “ku të kapemi për të pasur shpresë?” – pyetën ata Papën Françesku. E Ati i Shenjtë, i mallëngjyer nga ky besim i patundur e nga dashuria e të rinjve, u la atyre një fjalë të vetme: Jezu Krishti.

“Ju jeni pasuria e Meksikës e pasuria e Kishës e nuk tallem e as po ju bëj lajka… Jeni pasuria, që duhet shndërruar në shpresë, si lënda e parë, që duhet punuar. Por, nuk ka shpresë nëse nuk e vlerëson vetveten, nëse ndokush të çvlerëson, të mënjanon, të bën ta ndjesh veten si të ishe i kategorisë së dytë apo të katërt – gjë që të shkatërron e të vret – ose, edhe më keq, të bën të besosh se vlen vetëm nëse je i pasur”.

Krishti nuk ju lë ta ndjeni veten të padobishëm

 “E kuptoj – shtoi Ati i Shenjtë – se është e vështirë ta ndjesh veten pasuri për kombin, kur nuk ka mundësi pune të denjë, kur mohohen të drejtat. Por, po jua përsëris, është kështu si ju them, sepse:

“Sepse ashtu si ju, besoj në Jezu Krishtin… Është Ai, që e shndërron pasurinë në shpresë, që rizgjon magjinë e ëndërrave e të bën të thuash se mënyra e vetme e të jetuarit nuk është varfëria, mënjanimi, trafiku i drogës. Është Jezu Krishti ai, që i kundërshton të gjitha përpjekjet për t’ju bërë të padobishëm, ose mercenarë të thjeshtë të ambicieve të tjetërkujt”.

Krishti, mbështetja e vetme për ju

Prandaj, u tha Papa të rinjve, kur gjithçka ju duket e rëndë e bota shembet para jush, mbahuni fort pas Krishtit, mos e lëshoni dorën e Tij e nëse bini, ngrihuni sërish, sepse siç thuhet në një këngë malesh:

“Në artin e ngjitjes, nuk triumfon kush nuk bie, por kush nuk mbetet përtokë”. Pra, kurrë të mos rrini përtokë, theksoi Papa, e kujtohuni se Jezusi ju ndihmon. E nëse bie ndonjë shok, qëndrojini pranë e me anë të “terapisë së dëgjimit” jepini forcë, në emër të Krishtit.

Të rinjtë, ndërtues shenjtëroresh: familja, bazë e kombit

“Të jeni dinakë si gjarpri dhe të butë si pëllumbi”: ky qe imazhi, që u përshkroi Papa të rinjve, duke reflektuar mbi tri fjalë kyçe “shpresa, pasuria dhe dinjiteti”. E u kërkoi të ndërtojnë shenjtërore, jo vende fizike, por bashkësi, famulli e sidomos familje, ku të mësojnë të ndajnë gjithçka me të tjetrët, të mësojnë të dallojnë të mirën nga e keqja e ta dinë ç’është dashuria e vërtetë. Familje, që janë “shkolla e parë e guri bazë i një kombi të madh”.

Çastet e fundit të këtij takimi të paharrueshëm iu kushtuan lutjes korale për Virgjërën e Guadalupes, udhëhequr nga Papa Françesku:

“Na bëftë të vetëdijshëm për pasuritë, që na ka dhënë Zoti”, na rrittë në shpresën e Jezu Krishtit, në mënyrë që të ecim në jetë me dinjitetin e të krishterëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.