2016-02-17 11:35:00

Më 17 shkurt kalendari kujton 7 shenjtorët themelues të Shërbëtorëve të Lumes Virgjërës Mari


Më 17 shkurt kalendari i Kishës katolike kremton Shtatë Themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari.

Në Firencën e shekullit XIII, të pasur me kulturë e me para, udhëkryq idesh e luftërash ndërmjet guelfëve e bigelinëve, nuk munguan burra e gra që praktikonin jetën ungjillore. Ndërmjet tyre është edhe grupi që u njoh me emrin “vëllezërit dhe motrat e pendesës”, formuar nga tregtarë e borgjezë të pasur të cilët, ndonëse duke banuar secili në shtëpinë e vet e duke u marrë me punët e familjet e veta, u impenjuan me gjithë shpirt në vepra bamirësie, sidomos në ndihmë të të varfërve, të të sëmurëve e në pjesëmarrjen në jetën liturgjike. Ndërmjet tyre shumë shpejt u dallua për zell shpirtëror e për impenjim shoqëror një grup prej shtat vetash.

Kështu rreth vitit 1233, ndërsa qyteti i Firences ishte i përçarë nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë, anëtarë të një shoqërie laike, e përbërë nga besimtarë të devotshëm ndaj Virgjërës së lume Mari, të lidhur me njëri-tjetrin nga ideali ungjillor i bashkimit vëllazëror dhe i shërbimit ndaj të varfërve, vendosën të jetonin së bashku, me pendesë e lutje.

Pasi u lanë të varfërve veprimtarinë, shtëpitë dhe pasuritë, rreth vitit 1245, u tërhoqën në Monte Senario, afër Firences, ku ndërtuan një banesë të vogël dhe një vend lutjeje kushtuar Shën Marisë.

Shumë vetë shkonin tek ata, në dyshime e ngushtica, aq sa vendosën të themelonin Urdhrin e Marisë, shërbëtorë të të cilës ishin. Prej këndej edhe emri Servitë. Sipas traditës, emrat e tyre janë: Bonfigliom Bonagiunta, Manetto, Sostegno, Amadio, Uguccione e Alessio.








All the contents on this site are copyrighted ©.