2016-02-16 11:57:00

Papa lutet tek varri i “ipeshkvit të indiosve” në katedralen San Cristobal


Pas drekës në kurien ipeshkvnore, së bashku me indiosit meksikanë, në San Cristobal de Las Casas, Papa Françesku shkoi për vizitë në katedralen e qytetit, ku u takua me grupe të sëmurësh e të moshuarish. Në një kapelë, në të djathtë të elterit, u ndal në lutje para varrit të imzot Samuel Ruiz Garcia, ipeshkvit të ndjerë, vdekur në vitin 2011. Mbrojtës i madh i të drejtave të popullsive autoktone të Meksikës dhe të Amerikës Latine, konsiderohet si “ipeshkvi i indiosve”. Pavarësisht se i parë me sy të keq në ambientet konservatore të Kishës, imzot Ruiz e vijoi veprimtarinë e vet, duke u bërë edhe ndërmjetësues në Chiapas, në konfliktin ndërmjet Ushtrisë Zapatiste të Çlirimit Kombëtar dhe qeverisë federale meksikane.

 “Imzot Ruiz – nënvizohet në faqen misionare të jezuitëve Popoli.info – kishte aftësinë të dëgjonte njerëzit, edhe jashtë botës kishtare, e kryente rolin e ndërmjetësuesit… edhe pas kryengritjes zapatiste, që shpërtheu në Chiapas më 1 janar 1994: duke mos e përligjur përdorimin e armëve, don Samueli (emër tjetër me të cilin thirrej me dashuri) punoi pranë institucioneve, që të kuptoheshin dhe të zgjidheshin problemet bazë të kryengritjes, të cilat lidheshin me kushtet e papranueshme të shtypjes e të shfrytëzimit shekullor të indiosve në Chiapas”.

 Lindur në vitin 1924, pas shugurimit meshtarak, Samuel Ruiz studioi në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Në moshën 35 vjeçare, Papa Gjoni XXIII i besoi dioqezën e San Cristobal de Las Casas, duke shuguruar kështu ipeshkvin më të ri të Meksikës. Deri në atë çast me orientim konservator, takimi me varfërinë dhe me aparteidin ekonomik, shoqëror dhe kishtar kundër indiosve të Chiapas, shkaktuan në të një farë “shndërrimi”. Përqafoi opcionin më përparimtar të Kishës, atë të preferencës për të varfërit, promotor i së cilës qe edhe gjatë Koncilit II të Vatikanit. “Erdhi për t’i kthyer indiosit në doktrinën e krishterë – tregojnë për të – por u kthye prej tyre në udhën e Ungjillit. Nga misionar u kthye në dishepull”.

Afërsia e tij me teologjinë e çlirimit, natyrisht, nuk u pa me sy të mirë në Vatikan, po ashtu, edhe shtimi i numrit të diakonëve të përhershëm në dioqezën e tij, pasi shumica e tyre ishin indios. Sipas disave, kjo i hapte rrugën një lloj meshtarie të njerëzve të martuar në Kishë, por Papa Gjon Pali II nuk e luajti nga dioqeza. Në një intervistë për revistën “Popoli”, në vitin 2000, imzot Ruiz tregon se edhe kardinali Ratzinger, deri atëherë kritik ndaj “teologjisë indios”, i pati thënë se, duke parë punën  e tij, kishte kuptuar gjëra, që nuk i mendonte më parë.

Fitues i shumë çmimeve dhe medaljeve në favor të të drejtave të njeriut, kandidat i Nobelit për paqen, mëse një herë në shënjestër të atentateve dhe kërcënimeve, në vitin 2000, kur mbushi 75 vjeç, imzot Samuel Ruiz Garcia e la detyrën ipeshkvnore për t’u transferuar në Queretaro, duke ia lënë vendin pasardhësit.








All the contents on this site are copyrighted ©.