2016-02-16 17:30:00

Papa, klerit të Meksikës: mos u dorëzoni para tundimeve


Dita e Papës në Morelia, qendër gjeografike e Meksikës, në Shtetin Michoacàn. Në stadiumin “Venustiano Carranza”, që zakonisht zë 20 mijë vetë, Ati i Shenjtë kremton Meshën me meshtarët, rregulltarët e murgeshat e me të gjithë klerin vendas. Meshë në gjuhën spanjolle, por edhe në atë “purhépecha” të indiosve të këtyre anëve. Homelia e Papës është një komenti i Ungjillit sipas Mateut, në të cilin Jezusi u mëson dishepujve të vet si të luten, u mëson “Atynën”.

E që në fillim Papa Françesku vë theksin mbi lutjen. “Më thuaj si lutesh – citon një proverb – e të them si jeton, më thuaj si jeton e të them si lutesh”. Sepse, shpjegon Ati i Shenjtë, “duke më treguar si lutesh, më mëson si ta zbuloj Zotin e gjallë, e, duke më treguar si jeton, më mëson të besoj në Zotin që ti e lut, sepse jeta jonë flet për lutjen e lutja flet për jetën tonë”. Lutja mësohet, nënvizon Papa, “shkolla e lutjes është shkolla e jetës e shkolla e jetës është vendi ku bëjmë shkollë lutjeje”.

Jezusi na mëson lutjen "Ati ynë"

Duket si lojë fjalësh homelia e Papës, por Ati i Shenjtë ka si shembull Jezusin, i cili për t’u mësuar të vetëve misteret e jetës i ndërthuri ato me misterin e jetës së vet. U tregoi atyre ç’do të thotë të jesh Bir i Zotit, ndërsa bënte gjërat e zakonshme të jetës: hante, flinte, shëronte, predikonte, lutej.  E gjithë besimi i Tij i patundur përmblidhet në fjalët e “Atynës”, që u mësoi të vetëve. Është lëshimi në duart e Hyjit, që na e mësoi edhe ne e është edhe dëshmia jonë për Zotin e gjallë. “Ç’është vallë misioni - pyet Papa - nëse jo të themi përmes jetës sonë: Ati ynë?”

"Mos na ler të biem në tundim"

E duke përshkuar lutjen, që na mësoi Jezusi, Ati i Shenjtë e aktualizon për klerin meksikan, që kishte përpara, por edhe për çdo të krishterë. Përqendrohet në shprehjen “e mos na ler të biem në tundim”. Edhe Jezusi u lut që dishepujt e Tij, të djeshëm e të sotëm, të mos bien në tundim. Papa i rreshton një e nga një tundimet: dhuna, korrupsioni, trafiku i drogës, përbuzja e dinjitetit të njeriut, indiferenca para vuajtjes… Por asgjë nuk është më e keqe se dorëzimi, ngritja e duarve para atij realiteti të shëmtuar të botës së sotme, që duket i patundur. Dorëzimi, nënvizon Ati i Shenjtë, është armë e preferuar e djallit. “Dorëzim, që na paralizon e na pengon jo vetëm të ecim, por edhe ta ndërtojmë rrugën; dorëzim që jo vetëm na frikëson, por edhe na mbyll në ‘sakrestitë’ e në siguritë tona, në dukje të forta; dorëzim që jo vetëm na pengon ta kumtojmë Ungjillin, por na pengon edhe ta lëvdojmë Zotin. Dorëzim që jo vetëm na pengon të planifikojmë, por na pengon edhe të rrezikojmë e t’i ndryshojmë gjërat. Prandaj, Ati ynë, mos na ler të biem në tundim”.

Papa kujton imzot Vasco Vasquez de Quiroga

Duhen kujtuar çastet e tundimit, çastet e tundimeve të mëdha nëpër të cilat ka kaluar njerëzimi, sepse jo gjithçka fillon me ne e natyrisht, nuk do të përfundojë me ne, thekson Papa Françesku, i cili kujton ipeshkvin e parë të shtetit të Michoacàn, Vasco Vasquez de Quiroga. Ishte gjykatës e u bë ipeshkëv, mbrojtës i madh i indiosve, spanjoll, por në vend që të kujtohet si kolonizator, konsiderohet bir i kësaj toke meksikane. “Tata Vasco”, siç e quajnë vendasit, u kujdes për indiosit “purhépechas”, të cilët përshkruheshin prej tij si “të shitur, të keqtrajtuar e vagabondë ndër tregje për të mbledhur frutat, që hidheshin përtokë”, por para këtij realiteti, ipeshkvi nuk u dorëzua. “Dhimbja e vuajtjes së vëllezërve të vet – vëren Papa – u bë lutje e lutja u bë përgjigje konkrete”.

Kjo është lutja për të cilën na fton Jezusi në Ungjillin e sotëm. “O Atë, baba, ‘abbà’, mos na lër të biem në tundimin e dorëzimit, mos na lër të bien në tundimin e humbjes së kujtesës, mos na lër të biem në tundimin e harrimit të paraardhësve tanë, që me jetën e tyre, na kanë mësuar të themi: Ati ynë”, përfundon Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.