2016-02-15 18:25:00

Pedofilia: Komisioni papnor kërkon denoncimin e abuzimeve para autoriteteve civile


Kemi “përgjegjësi morale dhe etike për të denoncuar abuzimet e mundshme” të meshtarëve kundër të miturve: ky është qëndrimi i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, udhëhequr nga kardinali amerikan Sean O’Malley. Ditët e kaluara, shtypi anglofon vuri në dukje deklaratat e një eksponenti të Vatikanit, sipas të cilit, për “Vatikanin”, ipeshkvijtë katolikë “nuk janë të detyruar të denoncojnë abuzimet e klerit me fëmijët”.

         Selia e Shenjtë bëri sot të ditur një deklaratë, shkruar pikërisht nga kardinali O’Malley dhe anëtarët e tjerë të Komisionit, ku theksohet se “Krimet dhe mëkatet e abuzimeve seksuale me fëmijët nuk duhet të mbahen kurrë më sekrete. Garantoj – shkruan prelati, që citon Papën Françesku – vigjilencën plot zell të Kishës në mbrojtjen e fëmijëve dhe premtimin për t’u përgjigjur me përgjegjësi të plotë për të gjithë”. Deklarata vazhdon: “Ne, presidenti dhe anëtarët e tjerë të Komisionit, dëshirojmë të pohojmë se detyrimet tona civile duhet të respektohen natyrisht, por, edhe përtej tyre, kemi të gjithë përgjegjësinë morale dhe etike për të denoncuar abuzimet e dyshuara pranë autoriteteve civile, që e kanë për detyrë ta mbrojnë shoqërinë tonë”.

         Kardinali O’Malley vijon, duke nënvizuar se “në SHBA-të, Karta e ipeshkvijve pohon qartë detyrimin që të gjitha dioqezat/eparkitë e gjithë personeli të denoncojë abuzimet para autoriteteve publike. Çdo vit, në mbledhjen tonë të nëntorit, në një seksion për formimin e ipeshkvijve të rinj, ky detyrim ritheksohet e, çdo shkurt, Konferenca ipeshkvnore propozon një program formimi, ku ai theksohet qartë. Si Komision këshillimor i Atit të Shenjtë për Mbrojtjen e të Miturve, kohët e fundit, kemi folur me Papën Françesku për panoramikën e gjerë të nismave të edukimit në Kishat lokale, gjatë dy vjetëve të fundit, dhe kemi përsëritur se anëtarët janë të gatshëm të japin materiale për kurset në Romë”.

         Përsa u përket artikujve të shtypit, si ai i gazetës “The Guardian”, që flasin për udhëzime të Vatikanit, pati ndërhyrë edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Fjala është për një artikull të imzot Tony Anatrella, ekspert në psikiatri e psikologji, botuar në kuadrin e vëllimit, ku përmbahen rezultatet e kursit të organizuar çdo vit nga Kongregata e Ipeshkvijve. Nuk janë udhëzime të reja të Vatikanit, saktësoi atë Lombardi, por reflektimet e vitit 2015 e imzot Anatrella nuk shpreh asnjë mendim të ndryshëm nga ai zyrtar i Kishës Katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.