2016-02-15 14:57:00

Papa në Meshën me vendasit e Meksikës: Ligji i Zotit është i përkryer. Mjaft më me përbuzje, padrejtësi e dhunë!


Papa Françesku, në ditën e katërt të udhëtimit të tij në Meksikë, në Tuxtla Gutierrez, kryeqytetin e Shtetit Chiapas, në San Cristobal de Las Casas, në orën 10.30 (17.15 me orën evropiane) kremtoi Meshën Shenjte me bashkësitë indiane vendase, në Qendrën sportive bashkiake. Meshë kjo jo e zakonshme, e kremtuar në tri gjuhët e bashkësisë vendase. Më pas, rreth orës 13.00 (20.00 me atë evropiane) Papa u ul në sofër, i rrethuar nga përfaqësuesit e indianëve.

“Li smantal Kajvaltike toj lek” – këto, fjalët e para të Papës Bergoglio, shqiptuar në një nga dialektet indiane, që do të dëgjohej më pas shpesh gjatë Meshës. “Ligji i Zotit është i përkryer, freskon shpirtin”. Ishin fjalët e Psalmit (Ps.19/18,8), që e fymëzuan Atin e Shenjtë Bergoglio për ta përqendruar homelinë pikërisht tek Ligji i Zotit, që “freskon shpirtin, e bën të urtë njeriun e zakonshëm, gazmon zemrën, ndriçon rrugën”.

Është ligji, që populli i Izraelit e mori nga duart e Moisut, ligj, që do ta kishte ndihmuar popullin e Zotit të jetonte në lirinë, për të cilën ishte i thirrur. Ligj, që do të ishte dritë për hapat e popullit në shtegtim.

Më pas, duke u frymëzuar nga Leximi i parë (cfr. Es 3, 9), Papa përshkoi çastet më dramatike të historisë së popullit të zgjedhur, tejet të ngjashme me ato të chiapasëve, që po e ndiqnin. Kujtoi se Izraeli pati provuar skllavërinë, despotizmin e faraonit, vuajtjen, keqtrajtimet, derisa u mbush kupa e Zoti tha: “Mjaft më!”. “Nuk i lejoj më t’i shtypin!”. “I pashë mundimet e tyre, ua dëgjova britmën, ua njoha ankthin”. E ata e panë fytyrën e Zotit, fytyrën e Atit, i cili vuan përballë padrejtësive, që u bëhen bijve të tij. Atëherë, me një paralelizëm të gjetur, Papa kujtoi se ligji i Zotit u bë simbol lirie, simbol gëzimi e drite. E dëshmon përvoja e Popol Vuh, aktualizoi, i cili prej kohësh shumë të lashta kujtonte: “Agimi shkrepi mbi të gjitha fiset e mbledhura bashkë. Fytyra e vrugnuar e tokës u rinua  nga dielli”(33). Agimi ndriti për popujt, që ecën tepër shpesh nëpër errësirën e historisë, kujtoi Françesku, me etjen për të jetuar të lirë, larg shtypjes, poshtërimit, keqtrajtimit:

“Në zemrën e njeriut e në kujtesën e shumë prej popujve tanë është e shkruar dëshira  për  tokën e për kohën, në të cilën vendin e përbuzjes e zë  vëllazërimi, vendin e padrejtësisë, solidariteti e atë të dhunës, paqja”.

E solidaritetin e vërtetë të Atit, që ecën pranë nesh, shtoi Papa Françesku, e gjejmë vetëm në Jezu Krishtin:

“Në Të shikojmë sesi ky ligj i përkryer merr korp, merr fytyrë, merr histori, për ta shoqëruar e për ta mbështetur popullin e  Tij: bëhet Rruga, bëhet e Vërteta, bëhet Jeta, që errësira të mos e thotë fjalën e fundit e agu të mos pushojë së ndrituri mbi jetën e bijve të Tij”.

Pastaj Papa Françesku u ndalua tek vetë historia e besimtarëve të pranishëm. Foli për mijëra format, që u përdorën për t’ua shuar dëshirën për dritë, për t’u ndaluar, më pas, përsëri, tek tema e tij aq të dashur, ajo e mbrojtjes së Krijimit, duke theksuar se njeriu nuk është pronar, e as sundues i gjithësisë, i autorizuar ta plaçkisë e ta rrënojë. Dhuna, që gjindet në zemrën njerëzore, të plagosur nga mëkati, theksoi Françesku, gjen shprehjen e vet edhe në simptomat e sëmundjes, që vërehet në tokë, në ujë, në ajër e në të gjitha qeniet e gjalla. Prandaj, ndërmjet të varfërve më të braktisur e më të keqtrajtuar, kujtoi edhe tokën tonë të shkretuar e të shtypur, që “gjëmon e vuan në dhimbjet e lindjes” (Rm 8.22); (Enc. Qofsh lëvduar, 2).

Nuk mund t’i mbyllim sytë para krizës më të thellë të historisë ambientale, shtoi Papa. E, duke iu drejtuar chiapasëve, vijoi:

“Në këtë drejtim, siç pohojnë edhe ipeshkvijtë e Amerikës Latine, popujt tuaj kanë shumë për të na mësuar, sepse  jetojnë në harmoni me natyrën, të cilën e respektojnë si burim të ushqimit, si shtëpi të përbashkët e si elter për të bashkëndarë pasuritë e tokës” (Dokumenti i Aparesidës, 472).

Pastaj, denoncimi kundër shfrytëzimit e shfrytëzuesve të këtyre popujve, të keqkuptuar e të përjashtuar padrejtësisht nga shoqëria:

“Disa i shikuan si të prapambetura vlerat e tyre. Të tjerë, të magjepsur nga pushteti, nga paraja e nga ligjet e tregut, i plaçkitën tokat e tyre ose realizuan vepra, që e ndotën ajrin e tyre. Ç’trishtim! Sa mirë do të na bënte ne të gjithëve një rrëmin i ndërgjegjes, për t’u thënë pastaj: ‘Na falni’! Bota e sotme, e zhveshur nga kultura e hedhurinës, ka nevojë për ju” .

Të rinjtë, nënvizoi akoma Papa, kanë nevojë ta ruajnë urtinë e të parëve. Bota e sotme, e pushtuar nga ethet e pragmatizmit, ka nevojë ta mësojë përsëri vlerën e dhurimit, pa pritur asnjë shpërblim:

“Jezu Krishti vijon të vdesë e të rilindë në çdo gjest ndaj më të voglit nga vëllezërit e Tij. Të marrim zemër e të vijojmë të jemi dëshmitarët e Mundimeve të Tij, të Ringjalljes së Tij, duke e mishëruar”.

Kështu u shpreh Papa Bergoglio, që e përfundoi homelinë me të njëjtën shprehje, në gjuhën e chiapasëve, që e kishte nisur:  “Li smantal Kajvaltike toj lek”; “Ligji i Zotit , që është i përkryer,  ta freskon shpirtin!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.