2016-02-15 16:53:00

Papa: Dita e katërt e shtegtimit në Meksikë, sot në Chiapas


Papa Françesku, në ditën e katërt të shtegtimit të tij të 12-të apostolik ndërkombëtar, shkoi sot në Chiapas, shtet në jug-lindjen e largët të vendit, në kufi me Guatemalën, ku preku drejpërdrejt temat e varfërisë së popullatës, problemet e bashkësive indiane vendase si dhe dramën e emigrantëve latino-amerikanë të cilët, duke u nisur nga jugu, synojnë të hyjnë në Meksikë e ta përshkojnë, për t’u drejtuar nga SHBA-të.

Papa u nis rreth orës 7.30 (14.30 me orën evropiane) nga Qyteti i Meksikos, për të arritur në Tuxtla Gutierrez, kryeqytet i Shtetit Chiapas, rreth orës 10.15 (17.15 me orën evropiane), pas një fluturimi prej rreth 750 kilometrash. U nis, në vijim, me helikopter për në San Cristobal de Las Casas ku, në orën 10.30 (17.15 me orën evropiane) kremtoi Meshën Shenjte me bashkësitë indiane vendase, në Qendrën sportive bashkiake. Meshë jo e zakonshme, e kremtuar edhe në të trija gjuhët e bashkësive vendase. Më pas, rreth orës 13.00 (20.00 me atë evropiane) Papa u ul në sofër, i rrethuar nga përfaqësuesit e indianëve. 

Në orën 15.00 (22.00 me orën evropiane), Françesku do të vizitojë  Katedralen e San Cristobal de Las Casas, ku pritet të ndalohet tek Varri i imzot Samuel Ruiz Garcia, një nga ipeshkvijtë e qytetit, i mirënjohur për mbrojtjen e të drejtave të popullsive vendase të Meksikës e të gjithë Amerikës Latine.

Në orën 15.35 (22.35 me orën evropiane) Papa do të rikthehet me helikopter në Tuxla Guierrez, ku, në orën 16.15 (23.15 evropiane), do të takohet me familjet në stadiumin “Victor Manuel Reyna”: fluturimi i kthimit në Qytetin e Meksikos parashikohet për orën 18.10 (1.10 me orën evropiane), për të arritur në cak, dy orë më vonë. Nesër, pra!

Duke shfletuar faqet e para të historisë së krishterimit në San Cristobal, kujtojmë se ipeshvki i parë i vendit ishte Bartolomeu de Las Casas, domenikan e ipeshkëv spanjoll, që jetoi ndërmjet viteve 1400-1500 e, ndryshe nga disa prej sivëllezërve të tij, dha një kontribut të shquar në mbrojtjen e indianëve vendas. Pastaj këtu është varrosur edhe ipeshkvi Samuel Ruiz Garcìa, vdekur më 2011, bari që i priu grigjës për 40 vjet, shumë pranë teologjisë së çlirimit e shpesh i akuzuar si simpatizant i ushtrisë zapatiste të çlirimit kombëtar(EZLN). Ruis ndjehej si mbrojtës i zarrtë i popullsive vendase, aq sa të njihet si themelues i Kishës indiane të Chiapas, për kontributin e shquar që dha në njohjen e vlerave të grupeve indiane në katolicizmin bashkëkohor paskonciliar. Njihet edhe për rolin e tij ndërmjetës gjatë revoltës së Ushtrisë Zapatiste të Çlirimit Kombëtar në vitin 1994.

Duhet kujtuar edhe se Chiapas, në kufi me Guatemalën, është porta e hyrjes për emigrantët, që shkelin në Meksikë nga Amerika e Jugut, duke synuar, pastaj, të arrijnë në SHBA nga qyteti kufitar verior, Ciudad Juarez, të cilin Françesku do ta vizitojë të mërkurën, dita e fundit e vizitës së tij në Meksikë.   








All the contents on this site are copyrighted ©.