2016-02-15 12:58:00

Papa, fëmijëve të spitalit pediatrik: rëndësi ka t’ju duan


Ta ndjejnë se dikush kujdeset për ta, se dikush i do dhe u qëndron pranë: këto janë ilaçet më të rëndësishme për Papën, të cilat i përmendi gjatë vizitës në Spitalin pediatrik “Federico Gòmez”, kur në Evropë ishin orët e para pas mesnatës. Struktura meksikane ka traditë të lashtë e është shumë e çmuar për vendin, pasi jo vetëm që aty ka filluar ngritja e sistemit shëndetësor kombëtar në vitin e largët 1532, por edhe sepse sot, aty mjekohen shumë fëmijë me tumor e me sëmundje të tjera të rënda. Por kura më e mirë e që s’mund të zëvendësohet nga asnjë ilaç është ajo, që Ati i Shenjtë e quajti “terapia e dashurisë”.

Takimi i Papës me fëmijët u vesh me tinguj: rënia e këmbanës, të vegjlit që ekzekutuan një pjesë muzikore para Atit të Shenjtë si për t’i vënë vulën fitores së tyre kundër kancerit, pastaj Ave Maria e kënduar nga një vajzë, që i emocionoi të gjithë e jo vetëm 36 fëmijët e pranishëm në repartin onkologjik. Buzëqeshja e tyre u pasqyrua në fytyrën e në vështrimin plot dashuri të Papës Françesku, mbushur plot me mirënjohje:

 “Faleminderit për dashurinë me të cilën më pritët; faleminderit, sepse shoh dashurinë me të cilën ju mjekojnë e ju shoqërojnë. Faleminderit për përpjekjet e sa e sa vetëve, që po bëjnë ç’është e mundur të shëroheni sa më shpejt. Është kaq e rëndësishme ta ndjeni se dikush kujdeset e ju shoqëron, ta ndjeni se ju duan e ta dini se po kërkojnë mënyrën më të mirë për t’ju mjekuar; për të gjithë këta njerëz, them: faleminderit”.

Mirënjohjes, shtoi më pas Papa Françesku, i shtohet dëshira për bekim:

Dëshiroj t’ju bekoj. Dua t’i lutem Zotit që t’ju bekojë, t’ju shoqërojë ju dhe familjarët tuaj, të gjithë njerëzit që punojnë në këtë shtëpi dhe bëjnë të mundur që ato buzëqeshje të vazhdojnë të shtohen çdo ditë. Të gjithë ata, që jo vetëm me ilaçe, por sidomos me ‘terapinë e dashurisë’ ndihmojnë që kjo kohë të përjetohet me më shumë gëzim”.

Së fundi, Ati i Shenjtë u kërkoi fëmijëve t’i mbyllin sytë e t’ia hapin zemrën Virgjërës Mari, Zojës së Guadalupes:

Kemi Nënën tonë: t’i lutemi të na ofrojë Birin e saj Jezusin. T’i mbyllim sytë e t’i kërkojmë atë, që na dëshiron zemra sot”.








All the contents on this site are copyrighted ©.