2016-02-15 11:12:00

Gjergj Meta: Françesku dhe Kirili një përqafim për të ardhmen


Dom Gjergj Meta: Françesku dhe Kirili një përqafim për të ardhmen. Pra, takimi ndërmjet Papa Françeskut dhe Kirilit, Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë, është i rëndësishëm në vetvete, por edhe për dokumentin e përbashkët që ata kanë firmosur në kryeqytetin kubanez të Havanës. Papa Françesku i kishte thënë Patriarkut në të kaluarën: “Ku të duash, si të duash dhe kur të duash”. Një vullnet i hekurt për të dalë jashtë atyre kornizave diplomatike apo pretenduese të një primati që për Kishën Katolike është i rëndësishëm, por që para së gjithash është një primat shërbimi dhe dashurie.

Dhe ja, takimi u bë. U hodh edhe një urë tjetër afrimi midis kishave të krishtera, por jo vetëm. Një urë që për shumë arsye historike, diplomatike, njerëzore, politike etj., ishte prishur dhe me vështirësi po rindërtohej. Takimi i dy patriarkëve ndodhi në një kontekst dhe vend simbolik. Të dy ishin në vizita baritore, njëri te besimtarët katolikë të kontinentit latino-amerikan e tjetri te besimtarët ortodoksë rusë. Dhe pikërisht prej Kubës, “…në kryqëzimin ndërmjet Veriut dhe Jugut, ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” prej këtij ishulli, “simbolit të shpresave të “Botës së re” dhe të ngjarjeve dramatike të historisë së shekullit XX” dy liderët ia drejtuan fjalën e tyre të gjithë popujve të Amerikës Latine dhe kontinenteve të tjera. Takimi u përshëndet me nota entuziazmi edhe nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu.

Liderët konfirmuan edhe një herë se rruga e takimit është ajo e duhura. Unë besoj se ky takim është përshëndetur nga të gjithë njerëzit vullnetmirë të të dyja palëve. Sot Kisha ortodokse ruse përbën një forcë të madhe në botën e krishterë, jo vetëm për shkak të numrave, por edhe për shkak të pasurisë së madhe si një traditë e gjatë dhe solide teologjike e shpirtërore. Janë të shumtë ato burra dhe gra të traditës ruse që kanë dhënë një kontribut të madh në jetën shpirtërore të krishterë përgjatë shekujve. Afrimi me Kishën ortodokse ruse, edhe përpara mundësisë së një Sinodi panortodoks që shpresohet të mbahet së shpejti, hap shumë kanale të reja komunikimi në rrugën e të ashtëquajturit ekumenizëm. Patriarku Kiril, qysh kur ka qenë përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë në Sinodin rus, ka punuar gjithmonë me shumë këmbëngulje për afrimin e dy Kishave e në një farë mënyre ai po korr frutet e një pune të bërë me vite.

Por, përveç takimit në vetvete, i rëndësishëm është edhe dokumenti që doli nga ky takim. Një dokument gjithëpërfshirës i cili në tre pika thelbësore përmbledh të gjitha problemet që po kalon sot, jo vetëm Kisha, jo vetëm të krishterët, por e gjithë shoqëria njerëzore.

Së pari dokumenti prek çështjen e të krishterëve që sot, sidomos në lindjen e mesme, po përndiqen e po përzihen nga vendet e tyre për shkak të luftës dhe terrorizmit. I bëhet apel bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyje, në mënyre që të respektohen të drejtat e religjionit në këtë zonë të nxehtë. Dialogu ndërfetar shihet si një rrugë e cila mund të përmirësojë gjendjen e atyre të krishterëve që edhe në kohën tonë po martirizohen për të ruajtur besimin e tyre. Po ashtu të krishterët në Ukrainë ftohen që të marrin pjesë në shuajtjen e konfliktit dhe përplasjes në atë vend e që skizma e ndodhur ndërmjet të krishterëve ortodoksë të shërohet sa më shpejt në një vend që po vuan këto vitet e fundit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.