2016-02-14 11:47:00

Papa në shenjtëroren e Guadalupes: Zoja na kërkon të jemi lajmëtarët e saj


Ndërsa Evropa flinte në gjumin e parë, në mesnatën e djeshme, Papa Françesku shkonte të lutej tek Zoja e Guadalupes, si bir, që e lëshon veten në duart e nënës, siç e përmendi shpesh gjatë këtij udhëtimi të sapofilluar në Meksikë. Zoja e Guadalupes është shumë e dashur për banorët e Amerikës Latine e Ati i Shenjtë, me dashuri të madhe e me krenarinë e argjentinasit, pjesë e kësaj popullsie, që e nderon jashtëzakonisht këtë Zojë, përshkoi krejt historinë e saj në homelinë e meshës së kremtuar në Bazilikën e Guadalupes në gjuhën spanjolle. Ungjilli i ditës, që tregon për vizitën e Virgjërës Mari tek kushërira e saj, Elizabeta, i dha shkas Atit të Shenjtë të fliste për një vizitë tjetër, atë të Zojës, që erdhi t’i takojë banorët e trojeve meksikane, duke takuar një indios të thjeshtë, tashmë shenjt, Huan Diegon:

“Në atë agim të dhjetorit 1531, bëhej mrekullia e parë, që pastaj, do të ishte kujtesa e gjallë e gjithçkaje, që ruhet në këtë shenjtërore. Atë agim, në atë takim, Zoti rizgjoi shpresën e birit të vet, Huanit, shpresën e Popullit të vet. Në atë agim, Zoti rizgjoi e rizgjon shpresën e më të vegjëlve, më të vuajturve, të të shpërngulurve e të të mënjanuarve, të gjithë atyre, që ndjejnë se nuk kanë një vend të denjë mbi këto troje. Në atë agim, Zoti iu afrua dhe i afrohet zemrës së vuajtur por të fortë të sa e sa nënave, baballarëve, gjyshërve, që i kanë parë bijtë të nisen, i kanë parë të humbur e madje, edhe në duart e kriminalitetit”.

Në atë agim të veçantë, kur iu duk Zoja, Huan Diego provoi ç’është shpresa, ç’është mëshira e Zotit, theksoi Papa. Ndjehej krejtësisht i papërshtatshëm për të ndërtuar shenjtëroren, që i kërkonte shën Maria, së cilës ia shprehu mëse një herë këtë dyshim, sepse ai ishte i pashkollë e i padalë, por Zoja s’pyeti dhe e zgjodhi si lajmëtarin e saj. Kjo do të thotë, vërejti Bergoglio, se jo vetëm në ndërtimin e shenjtërores materiale, por edhe të asaj tjetrës, të shenjtërores së jetës, të bashkësisë, të shoqërisë e të kulturës, askush nuk mund të përjashtohet e të gjithë janë të nevojshëm:

“Shenjtërore e Zotit është jeta e bijve të Tij, e të gjithëve e në të gjitha kushtet, në veçanti e të rinjve pa të ardhme, ekspozuar para një morie gjendjesh të dhimbshme, të rrezikshme, është jeta e të moshuarve të pavlerësuar, të harruar në shumë skuta. Shenjtërore të Zotit janë edhe familjet, të cilat kanë nevojë për minimumin e nevojshëm që të formohen e të qëndrojnë të bashkuara. Shenjtërore e Zotit është fytyra e shumë vetëve, që takojmë në rrugën tonë…”

Ta shohim Nënën e Zotit me sytë e shën Huan Diegos, këshilloi Papa, për të vënë tek këmbët e saj të gjitha problemet, që na lënë pa forcë, që na lënë pa shpresë, për të kërkuar ndihmë e fuqi për ndryshimin e transformimin e jetës. Në heshtje, theksoi Papa, duke paralajmëruar një himn liturgjik të mrekullueshëm, t’i kthejmë sytë kah Maria e t’i themi:

S’due tjetër, veç me të pa,

Mari!

Me sy të hapun kah ti,

si botë e mbyllun në vetvete...

Mjafton Ty me të kundrue

e me zbrazë heshtas

në zemrën tande,

zemrën e mbushun plot.

E Ti flladin e ballit

aspak mos e trazo.

Vetëm përkunde lehtë

vetminë time të dhunueme,

varun mes jetës e vdekjes...

Në sytë e tu,

o Nanë e dashunueme,

shoh një copë jete

shtangun në kujtesë;

e orët, shoh, që nxitojnë,

e njerëzit që i kafshon

lëtyra e jetës e e vdekjes...

Mjafton me të pa, o Nanë,

me t’kundrue veç një çast

me zemër në zemrën tande,

Në pastrinë tande

të bardhë porsi zambaku,

e me pa Dritën

që rri pezull mbi ne!

  (Himn i lashtë liturgjik, përkthyer lirisht)

Për të marrë përgjigje prej Zojës, ashtu siç e mori Huan Diego, se ajo është pranë nesh e asgjë nuk duhet të na shqetësojë e madje, “e ka për nder” të jetë Nëna jonë. Kjo, tha Papa, na jep sigurinë se lotët e të vuajturve nuk bien në tokë të thatë, por lartohen në Qiell, deri nën mantelin e Zojës. “A s’jam Nëna jote? A s’jam këtu? Mos i lejo dhimbjet e trishtimet të fitojnë”, shprehu Papa me fjalët e tij, përgjigjen e shën Marisë për çdo bir të Zotit. Edhe sot, nënvizoi Ati i Shenjtë, na fton të bëhemi lajmëtarët e saj, për të ndërtuar shenjtërore të reja, për t’i ndihmuar të tjerët në jetë, për të fshirë sa e sa lot:

“Bëhu lajmëtari im – na thotë – duke u dhënë për të ngrënë të uriturve, për të pirë të eturve, jepu një strehë nevojtarëve, vish të paveshurit e vizito të sëmurët. Ndihmoji të burgosurit, fale atë që të bën keq, ngushëlloje të trishtuarin, kij durim me të tjerët e, sidomos, lute me përdëllim Zotin tonë. A s’jam vallë nëna jote? A s’jam këtu? – na thotë Maria. Shko e ndërto shenjtëroren time, më ndihmo ta përtërij jetën e bijve të mi, vëllezërve të tu”.








All the contents on this site are copyrighted ©.