2016-02-13 15:21:00

Zoja e Guadalupes, figure e shekullit 16-të


Zoja e Guadalupes (spanjisht: Nuestra Señora de Guadalupe apo Virgen de Guadalupe) është një figure e shekullit 16-të, që paraqet dukjen e Virgjërës Mari në Meksikë. Është figurja më e dashur, me vlera fetare dhe kulturore në Meksikë. Njihet edhe me emrin "La Virgen Morena", që do të thotë Zoja Zeshkane. Kremtohet më 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh  në gjuhën azteke,  do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).

Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të pafundëm Amerikan.

Mbi kodrën, ku u duk Zoja, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua bazilika e sotme e Zojës së  Guadalupes.

Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figures, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur.

Dukja e Zojës së Guadalupes, që nderohet nga katolikët si Pajtore e Mbretëreshë e Kontinentit amerikan, është pranuar nga Kisha katolike e Juan Diego është shpallur shenjt nga Papa Gjon Pali II më 31 korrik 2002.

Është simbol i kombit meksikan, që nga lufta meksikane për pavarësi. Ushtritë e Miguel Hidalgos dhe të Emiliano Zapatës luftuan nën flamurin e Nuestra Señora de Guadalupe. Romancieri i njohur meksikan Karlos Fuentes shkruan: “... ju mund të mos quheni i krishterë, në se nuk besoni në krishterim, por as meksikan, nëse nuk besoni në Zojën e Guadalupes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.