2016-02-13 11:34:00

Katedralja e të Ngjiturit të Zojës në Qiell


 Katedralja metropolitane e Qytetit të Meksikos i kushtohet “Të Ngjiturit të Zojës në Qiell”. Ndërtesa, e ngritur me gurë vullkanikë ngjyrëhiri, është e gjatë 110 metra, e gjerë 55 dhe e lartë 30 metra në navtën qendrore. Në këto troje qe ndërtuar një tempull i hyjnisë azteke  Xipe. Mbi këtë tempull, Hernan Cortés ngriti një Kishë, me materialin e nxjerrë nga tempujt e lashtë. E deklaruar katedrale nga Papa Klementi VII (1530), u lartua në rang metropolitan nga Papa Pali III (1547). Ndërtimi i tempullit të sotëm nisi më 1657, sipas projektit të arkitektit spanjoll José Damian Ortiz de Castro e u përfundua vetëm në vitin 1813. Fasada ka tre relieve prej mermeri të bardhë. Në qendër, relievi që paraqet Zojën e ngjitur në qiell. Më të majtë, dorëzimi i kyçeve të Parajsës Shën Pjetrit e, më të djathtë, barka e Kishës. Përsipër orës, tri shtatore, që paraqesin tri virtytet teologale: Fenë, Shpresën e Dashurinë. Kullat e kumbonareve janë të larta ndërmjet 64 e 67 metra.

Kisha ka pesë navata e 16 kapela anësore. Kupola, në qendër të navatës, vepër e Manuel Tolozës, me një tambur tetëkëndësh, mbahet nga katër shtylla e mbyllet me një kupolë. Në kupolë sodisim Zojën e Ngjitur në qiell. Vetratat janë vepër e Matias Goeritz. Elteri i Faljes është vepër e Jeronimo de Balbas (1735), autor edhe i elterit të Mbretërve Dijetarë e i Elterit të madh të Katedrales së Siviljes. Në fillim të vitit 1967 në katedrale ra një zjarr, që dëmtoi disa struktura të brendshme, të cilat u rindërtuan. Në sakresti mund të soditen piktura të mëdha të mjeshtrave Cristóbal de Villalpando dhe Juan Correa. 








All the contents on this site are copyrighted ©.