2016-02-12 10:27:00

Në Kubë, takimi historik Françesku- Kirilli. Meksika pret Papën


Pak pas orës 8.00 Papa Françesku u nis nga aeroporti romak Fiumicino  për shtegtimin e tij të 12-të apostolik. Etapa e parë, Kuba, për takimin historik me Patrikun ortodoks rus Kirill, në aeroportin e Havanës. Një deklaratë e përbashkët do të vulosë takimin prej rreth dy orësh ndërmjet Papës e Patrikut: shenjë tejet optimiste për dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Më pas Papa do të vijojë shtegtimin drejt Meksikës, ku do të jetë deri më 17 shkurt, për t’u rikthyer në Vatikan të nesërmen.

Motoja e shtegtimit: “Misionar i mëshirës e i paqes”. Dje paradite, si zakonisht  në prag të shtegtimeve apostolike, Françesku ishte në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u gjunjëzua në lutje para Zojës Salus Populi Romani,  së cilës ia besoi takimin me Patrikun e Moskës si dhe gjithë shtegtimin e tij.

Sot paradite automobili papnor u ndalua në pistë pak metra larg airbusit A330-200 të Alitalia-s, pagëzuar me emrin Giotto. Papa Bergoglio, gjithnjë me çantën e zezë në dorën e majtë, u prit nga imzot Gino Reali, ipeshkëv i Porto Santa Rufina, nga presidenti i Alitalia, Luca Cordero di Montezemolo, nga presidenti i Enac, Vito Riggio dhe autoritete të tjera civile e ushtarake, me të cilët shkëmbeu një përshëndetje të përzemërt.   Menjëherë pas, Papa, me buzë në gaz, ngjiti këmbët e shkallëzës  e, para se të hynte në avion, i përshëndeti të pranishmit me një lëvizje të përzemërt të dorës.








All the contents on this site are copyrighted ©.