2016-02-12 17:13:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të Kreshmëve "C"


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Në liturgjinë e Fjalës Hyjnore, kësaj herë, dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së parë, të kohës kishtare të Kreshmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Krezhmët, të porsafilluara na thërrasin të radhitemi me Krishtin, në luftën kundër të “Keqit”. Të dëgjosh me fe fjalën e Zotit dhe të angazhohesh me seriozitet në konvertimin e jetës personale: ja kushtet që lypen për të marrë pjesë në Pashkën e Krishtit, në këtë Vit të Shenjtë të Mëshirës.

Në këtë të diel të parë të kohës liturgjike të Krezhmëve, e cila quhet ndryshe edhe e diela e tundimit, Ungjilli na përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të Krezhmëve, e cila fillon nën shenjën e luftës së brendshme kundër të keqit e së keqes, që njeriu has gjatë shtegtimit tokësor, në jetën e përditshme.

E besimi në Hyjin Atë, është një nga armët, për të luftuar të keqin dhe mëkatin, siç na mëson Jezusi me jetë, e na këshillon me fjalë, duke na nxitur t’i biem gjithmonë mohit djallit e së keqes, ta përqafojmë udhën e Jetës, udhën e Dashurisë që Zoti na ofron e tregon. Në heshtjen e zemrës sonë, Zoti na flet, fuqia e tij na ndihmon ti përballojmë tundimet, Fjala e tij na mëson si t’i përshkojmë tundimet, të jemi kurdoherë në përkim me Të, për të pasur jetën e Përjetshme në dhe me Të. 

                              Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Lp 26, 4-10
Moisiu i kërkon popullit të Izraelit t’ia shugurojë me një rit të përhershëm frytet e para të tokës Hyjit të vet, i cili i ka çliruar nga skllavëria e Egjiptit për t’i drejtuar drejt tokës së premtuar. Besimtari hebre, para se fryti i lodhjes së tij të arrijë mbi tryezë, ia paraqet Hyjit në falënderim, sepse Hyji është pronari i vetëm që nuk jeton nga puna e të tjerëve.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu i foli popullit dhe tha: “Atëherë prifti do ta marrë kaçilen prej dorës sate e do ta vërë para elterit të Zotit, Hyjit tënd. Ti atëherë fol në praninë e Zotit, Hyjit tënd, e thuaj: ‘Im atë ishte një sirian endacak. Ai zbriti në Egjipt me pak njerëz dhe atje jetoi në dhe të huaj. U shtua e u bë popull i madh, i fortë e një shumicë pa masë. Por egjiptianët na morën me të keq, na përndoqën dhe na bënë skllevër të mjerë. Atëherë ne lëshuam britmë drejt Zotit, Hyjit të etërve tanë. Ai na dëgjoi; e pa përvujtërimin tonë, mundin e të vështirat tona, dhe na nxori Zoti prej Egjiptit me dorën e vet të fuqishme e krahun e tendur, me tmerr të madh e me shenja e me mrekulli, na pruri në këtë vend e na e dha trashëgim këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë. Dhe, ja, tani, o Zot, i solla frytet e para të tokës që ti ma dhe.’ Atëherë vëri para Zotit, Hyjit tënd, dhe adhuroje Zotin, Hyjin tënd.”  Fjala e Zotit.

Psalmi 91
Rri me ne, o Zot, në kohën e tundimit

----------
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im,
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në ty.”
----------
E keqja nuk do të të gjejë,
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha
që të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
----------
Do të mbartin para duarsh
që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec,
do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
----------
Do ta shpëtoj sepse më do,
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj,
në vështirësi do të jem me të,
do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
----------

Leximi i dytë Rom 10, 8-13
Në një marrëveshje besëlidhjeje, të dy palët duhet të mund të besojnë te njëri-tjetri. Kjo është edhe sjellja e besimtarit: një besim i plotë në besnikërinë e Hyjit. Ai nuk ka parë Jezusin e ringjallur, por beson në Të. Të dëshmosh besimin do të thotë të jetosh që tani miqësinë me Hyjin, shpëtimin, që u ofrohet të gjithë njerëzve pa dallime mes hebrenjve dhe paganëve.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, çka thotë Shkrimi shenjt: ‘Afër e ke fjalën, në gojën tënde dhe në zemrën tënde’. Domethënë fjalën e fesë që ne predikojmë. Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. Sepse, Shkrimi shenjt thotë: ‘Kush beson ne Të nuk do të turpërohet.’ Kështu, pra, nuk ka dallim midis hebreut e grekut; të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur ndaj atyre që e thërrasin në ndihmë. Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’ Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, 
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Lk 4, 1-13
Në luftën që Jezusi zhvillon kundër shejtanit, i krishteri rigjen dramën e tij personale. Në shkretëtirë Izraeli duhej të bënte një zgjidhje: fjalën e Hyjit apo sigurinë politike dhe ekonomike? Hyjin apo idhujt? 
Jezusi e bën të tijën këtë mënyrë të të parit të gjërave, duke pohuar kështu se në ç’mënyrë Ai dëshiron të jetë “bir” i Hyjit. Të tundohesh nuk do të thotë vetëm të zotërohesh nga e keqja, por të jesh i shtrënguar për një vendim: ose sigurinë e një jete tokësore, ose besimin e plotë në Hyjin pa ditur se ku do të të çojë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkreti, ku, për dyzet ditë, e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, pati uri. 
Atëherë djalli i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroj këtij guri të bëhet bukë.” Jezusi i përgjigj: “Thotë Shkrimi shenjt: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë’.” 
Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, e i tha: “Ty do ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua, dhe unë ia jap kujt të dua. Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.” Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbej’!”
Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të ruajnë’, dhe ‘do të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur’.” Jezusi i përgjigj: “Por u tha edhe: ‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd’!” 
Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.  Fjala e Zotit
 

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu...... 








All the contents on this site are copyrighted ©.