2016-02-12 13:04:00

Françesku u nis për Meksikë, duke u ndaluar për disa orë në Kubë


Në shtegtimin e 12-të ndërkombëtar, i pari i Vitit Jubilar, Papa Bergoglio latino-amerikan kthehet për të katërtën herë  në Kontinentin e tij. Françesku u nis sot për Meksikë, duke u ndaluar për disa orë edhe në Kubë, për takimin historik me Patrikun e Moskës, Kirill, në aeroportin e Havanës. Është një vizitë baritore e ngarkuar me ngjarje e takime, prej gjashtë ditësh, deri më 18 shkurt. Gjatë shtegtimit në Meksikë, Papa do të takohet, ndërmjet tjerësh, me bashkësinë e indianëve Chiapas, me emigrantët në kufi me SHBA, me të burgosurit e burgut Ciudad Juarez dhe me familjet e viktimave të trafikut të drogës.

Dyzet fluturime e trembëdhjetë fjalime, në agjendën e Papës. Në program shënohet edhe nisja e sotme e Atit të Shenjtë nga aeroporti romak Fiumicino, në orën 7.45 dhe arritja, në orën 14.00 me orën vendase (20.00 me atë evropiane) në Havanë. Menjëherë pas, takimi privat me Kirillin, rreth dy orë bisedë private, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët dhe fjalimet e kreut të katolikëve e atij të ortodoksëve rusë. Lamtumira parashikohet për orën 17.10, me orën vendase, 23.10, me atë evropiane, e më pas, menjëherë, nisja për Qytetin e Meksikos, ku Papa pritet të arrijë në orën 19.30, 02.30 të së shtundes, me atë evropiane. Menjëherë pas arritjes së Papës në aeroportin ndërkombëtar “Benito Juarez”, pritja zyrtare.

Të shtunën, 13 shkurt, në orën 9.30 (16.30) ceremonia e mirëseardhjes, në Pallatin Kombëtar dhe vizita e mirësjelljes presidentit të Republikës, Enrique Pena Nieto, pasuar, në orën 10.15 (17.15), nga takimi me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin Diplomatik. Në orën 11.30 (18.30) takimi i Papës me ipeshkvijtë e Meksikës. Pastaj, kremtime e takime të tjera, me të cilat do të njihemi në vijim të këtij shtegtimi kaq të rëndësishëm të Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.