2016-02-12 14:02:00

Françesku në fluturim drejt Kubës, takimi me gazetarët. Më 2017 do të jetë në Kolumbi


Avioni me të cilin Papa Françesku u nis për shtegtimin e 12-të apostolik ndërkombëtar, vijon fluturimin. Etapa e parë, Kuba, për takimin historik me Patrikun ortodoks rus, Kirill, pastaj Meksika. Më 2017 do të jetë në Kolumbi për nënshkrimin e marrëveshjeve të paqes ndërmjet qeverisë dhe rebelëve të Farc.

Papa Françesku pati një takim të këndshëm me gazetarët, të cilët i uruan shtegtim të mbarë. Shtegtim që Papa e quajti shumë i rëndësishëm dhe i dëshiruar, posaçërisht për takimin me vëllain Kirill e me popullin meskikan.

Mirëdita! - ishte fjala parë e Papës drejtuar gazetarëve. E menjëherë pas: - Ju falënderoj për praninë tuaj, për punën, që do të bëni. Është shtegtim impenjativ, tepër i dendur, por  edhe tepër të dëshiruar: shumë i dëshiruar nga vëllai im, Kirill, nga unë e edhe nga meksikanët. Pardje, duke nisur audiencën e përgjithshme të së mërkurës, dekania juaj meksikane po më priste, si të donte të më bënte të hyj në tunelin e kohës, me të gjithë filmat e Cantinflas. E kështu hyra në Meksikë, nëpër portën e Cantinflas, që të bën të shkrihesh në gaz. Dëshira ime më e thellë është të ndalohem para Figures të Zojës së Gudalupes, këtij misteri, që studiohet, studiohet, studiohet e nuk arrihet kurrë në një shpjegim bindës njerëzor. Edhe studimi më shkencor thotë: “Po kjo është punë e Zotit”. E është po kjo, që i bën meksikanët të thonë: “Jam ateist, por edhe gudalupian”. Disa meksikanë, jo të gjithë, janë ateistë!

Dëshiroj t’ju them edhe një gjë tjetër: ky është shtegtimi i fundit, në të cilin më shoqëron doktor Gasbarri. Ai punon në Vatikan prej 47 vjetësh. E prej 37 vjetësh, merret me shtegtimet papnore. E them  këtë, sepse mundemi, gjatë këtyre ditëve, t’i shprehim mirënjohjen tonë e të mendojmë dhe për ndonjë festëz të vogël këtu, në kthim… E pastaj imzot Mauricio Rueda do të jetë i ngarkuar me shtegtimet. Mirësevjen! E tani, nëse më lejoni, dëshiroj t’ju përshëndes personalisht.

Atë Lombardi:

Para se Papa të përshëndesë gazetarët, e ftojmë dekanen tonë që, përveçse i dha filmin Papës, tani do t’i japë edhe mundësinë të mbrohet nga dielli i Meksikës. Është papa i tretë, të cilit Valentina i dhuron një sombrero!

Valentina Alazraki:

Që ta ndjejë veten meksikan! Të parën ia dhurova Gjon Palit II, 37 vjet më parë. Pastaj ai bëri një koleksion, sepse shtegtoi ndër ne pesë herë. Papa Benedikti e vuri kapelën meksikane në Guanajuato e tha se ndjehej meksikan. Tani e kishte radhën Françesku për ta vënë këtë sombrero, ardhur nga Kuba. Një familje meksikane e pati çuar në Kubë, por nuk arriti t’ia dorëzojë Papës e ma la mua ta bëj këtë. I premtova se po të shkonte Papa në Meksikë, do t’ia dorëzoja. Ajo, që nuk e përfytyroja dot, ishte se sombreroja do të rikthehej në Kubë. Kjo ishte e papritur. Faleminderit e shtegtim të mbarë!Papa Françesku:

Ju falënderoj. Faleminderit Valentina. Ju e të gjithë meksikanëve e, doemos, edhe të gjithë gazetarëve. Shumë faleminderit!








All the contents on this site are copyrighted ©.