2016-02-11 10:23:00

Zoja e Lurdë: buzëqeshja e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës


Festa e Zojës së Lurdë: Të kërkojmë buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë  së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme.

Mesazhi i Zojës së Lurdës është ftesa për pendesë e për shëlbim. Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh vjen përsëri ende sot nga Shpella e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen n udhën e jetës dhe të shpresojnë në Hyjin. Nga Lurda Maria vijon t’u dëftojë njerëzve shenjën e Kryqit të Krishtit, sintezë feje, që na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë. Zoja e Bekuar i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe të gjithë ata që vuajnë në shpirt e në trup, t’i sjellin sytë drejt Krishtit mbi Kryq , për të gjetur aty burimin e jetës e të shëlbimit”.

Mesazhi i Lurdës, mund t’i japë një hov të ri fesë e mund t’i përforcojë më tej besimtarët, për ta kumtuar me guxim gjithnjë më të madh misterin e Krishtit me gjeste e vepra dashurie e vëllazërimi. Maria zgjodhi Bernardetën për të transmetuar mesazhin e saj të kthimit në rrugën e Zotit, të lutjes, të pendesës. Maria na zbulon, në Lurdë, bukurinë e shndërruar, figurën e njerëzimit të ri, ajo shpreh sjelljen e lirisë sonë  të plotë para planit e vullnetit të Zotit, bazuar mbi njohjen e plotë të dinjitetit të vet. Ky privilegj u përket të gjithëve, sepse zbulon dinjitetin e njerëzve të dënuar nga mëkati, por të shpëtuar në shpresën e Hirit të Zotit, gjë që ndihmon në përballimin e jetës së përditshme.

Maria në Lurdë na kujton rolin qendror që ka lutja në jetën e të krishterëve e na kërkon të mos e humbasin guximin përballë vështirësive. Kisha në këtë festë na nxit të marrin shembull nga Maria përballë Kumtimit të Engjëllit, e na fton, t’u përgjigjemi thirrjeve të Zotit, sepse Ai mund të na i plotësojë dëshirat më të thella të zemrave tona.

Atyre që Zoti i thërret ta ndjekin në rrugën meshtarake ose rregulltare, Kisha na kujton gjithë lumturinë, që ndjen njeriu, kur e dhuron plotësisht jetën e vet në shërbim të Hyjit e të njerëzve.

Urimi është që familjet dhe bashkësitë e krishtera të bëhen vende, ku mund të lindin e të fitojnë pjekurinë thirrje të reja shpirtërore në shërbim të Kishës e të botës. Maria na fton të jetojmë si ajo, plot me shpresë të pamposhtur në Zotin e duke mos ua vënë veshin atyre, që pretendojnë se ne jemi të burgosurit e fatit.

E para Marisë, na përkujton Kisha, njeriu nuk duhet të ngurron të shfaqet me të gjithë ligështinë e tij, të bëjë pyetje, të paraqesë dyshimet dhe dëshirat më të fshehta. Dashuria për Marinë çarmatos çdo formë të mburrjes e, falë Asaj, zbulojmë se feja e krishterë nuk është barrë e rëndë, udhë drejt jetës së vërtetë, drejt lumturisë së përjetshme në Hyjin e me Hyjin.

Festa e Zojës së Lurdë na kujton edhe një herë se lutja e kthimi i zemrave janë rruga për ta përtërirë jetën dhe  botën. Shenjtorja e Zojës së bekuar në Lurdë është si dritë në errësirë, në ecjen tonë nëpër terr drejt Hyjit e Maria na hapi një portë drejt jetës së përtejme, drejt jetës së përjetshme, që na pret e na josh. Virgjëra Mari është inkurajim i popullit të besimtarëve që, krenarë e të fortë në fe, t’i jetojnë vendosmërisht mësimet e Krishtit e të Kishës së tij.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.