2016-02-11 10:33:00

Përvjetori i themelimit të Qytet Shtetit të Vatikanit më 11 shkurt 1929.


Sot bie përvjetori i themelimit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që përkon me paktet lateranense të 11 shkurtit të vitit 1929.

Qyteti i Vatikanit lindi nga Konkordati ndërmjet Shtetit e Kishës nënshkruar ndërmjet Italisë së Musolinit e Papa Piut XII (nënshkroi kardinali Gasparri) të Pakteve të Lateranit të 11 shkurtit 1929. Marrëveshja, që njeh Katolicizmin si fe të shtetit, i jepte fund kundërshtive të hapura të nesërmen e marrjes së Romës më 20 shtator të vitit 1870. Pakti është ripërtërij, me disa ndryshime, më 18 shkurt 1984. Paktet Lateranense sanksionuan njohjen e Vatikanit dhe pjesëmarrjen e tij në institucionet ndërkombëtare.

“Ai territor” të fitojë “sovranitetin territorial”, “të nevojshëm dhe të detyrueshëm për atë që s’mund të jetë nënshtetas i asnjë sovraniteti tokësor”. Janë këto fjalët e Papa Piut XI cituar shpesh nga historianët për të kujtuar pikërisht firmën historike, që sanksionoi lindjen e 44 kilometrave katrore më të famshme të botës.
E vërtetë është se mund të pohohet me të drejtë se ai territor, të cilin Vatikani ia rezervoi vetes e që u njoh edhe ndërkombëtarisht, është materialisht e territorialisht i vogël, por si i tërë është i madh, më i madhi në botë, nga çdo lloj pikëpamje të shihet! Kur një territor mund të mburret me Kolonatin e Berninit, Kupolën e Mikelaxhelos, thesaret e shkencës dhe të artit në arkiva e biblioteka, në muzetë e në galeritë e Vatikanit, kur një territor mbulon e ruan Varrin e Princit të Apostujve, Pjetrit Apostull, mund të pohohet se ka edhe të drejtën të pohojë se nuk ka në botë territor më të madh e më të çmueshëm.

Në këtë përvjetor “territori i vogël për një mision të madh” – siç quhet shpesh - e ka kryer mirë funksionin për të cilin u impenjua Papa Rati. Shteti i Vatikanit ka kuptim, sepse i jep Selisë së Shenjtë një mbështetje, për të qenë e sigurt në lirinë e pavarësinë e saj, de facto e de jure, dhe me të vërtetë, ka shërbyer për këtë që nga themelimi e deri më sot: i ka siguruar Papës pavarësinë dhe lirinë nga çdo pushtet politik. Papa nuk është subjekt i asnjë pushteti politik.

Paktet e 11 shkurtit 1929-tës ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore.

11 shkurti, përvjetori i Pakteve Lateranense, mbetet një ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi "fundin e kundërvënies ndërmjet Shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të shtetit.

Këto dokumente i dhanë fund në Itali ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si besimtar katolikë në të gjitha fushat e jetës.

Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë si Shtet në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha katolike, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut.

Konkordati ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, njohje reciproke ndërmjet dy palëve, shikohet si model për Evropën. Marrëveshja, tashmë e konsoliduar, ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë, me Konkordatin e rishikuar më 1984, në përkim me mësimet e Koncilit të II të Vatikanit dhe me pjekurinë demokratike të Vendit, mund të bëhet një model i vërtetë për Evropën, për të përcaktuar rregulla të qarta në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa e tyre.

Kështu Kisha fitoi të drejtën e plotë për zhvillimin e misionit të saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, për të punuar në shërbim të paqes e të progresit të popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në kontinent. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që po kërkon stabilitetin e zhvillimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.